Sot, Shqipëria dhe Kosova i dhanë lamtumirën e fundit kolosit të letërsisë shqipe, Ismail Kadaresë. Në homazhet e nderit, të organizuara nga qeveria shqiptare, u vu re se “hija” e Nënë Terezës qëndronte mbi arkëmortin e shkrimtarit të ndjerë.
Njerëzit, me të drejtë, pyetën veten se pse shenjtorja ishte prezente në këtë ceremoni që i kushtohet shkrimtarit të madh dhe kuriozitetin na e shoi kryeministri Edi Rama, duke sqaruar se ishte një rastësi.
“Këtë hije të Nënë Terezës mbi trupin e Ismailit nuk e solli kush, as kush e përgatiti këtë ceremoni, ishte këtu, kishte ardhur më parë. Njoftimi që salla ishte e zënë dhe Nënë Tereza nuk lëvizte dot më erdhi bashkë me foton që po montohej për një shfaqje sot në darkë. “Lëreni aty u thashë, nuk ka më mirë”.
“Askujt nuk do i thoshte mendja çka rastësia e solli këtu enkas për Ismailin dhe më mirë se sa nën hijen e saj, shqiptares që i takon botës, as se si tjetër nuk mund të bëhej ceremonia e përcjelljes nga jeta të shqiptarit që i takon botës dhe duke e njohur e dija në çast që nën hijen e shenjtores së tij, Ismaili do të ndihej i marrë nën mbrojtje nga të tërë ata që nuk e donin, përgjatë kalimit të tij nga kjo botë në tjetrën”, u shpreh kryeministri.
Më tej, në fjalimin e tij, Edi Rama u shpreh:
"I dashur Ismail, nuk ta tregoj dot sa do doja të ta tregoja ç’më panë sytë e ç’më tha mendja duke u marrë me funeralin tënd. Por më duhet të të falenderoj që në këtë novelë të pashkruar më dhe atë përgjigjen që s’ta mora dot në të gjallë kur thoshe "nuk shkruaj më", ma ktheje "i kam thënë të tëra". Sot jam plotësisht i bindur se Ismail Kadare i tha vërtetë të tëra ç’kishte për të thënë. Ismail Kadare e meriton të prehet në një banesë të fundit që të jetë vetëm e tija. Jo bashkë me dëshmorët sepse ai as ishte dëshmor dhe as nuk kishte në asnjë qelizë të tij dëshirën për të rënë dëshmor. Jo bashkë me vëllezërit Frashëri, sepse as nuk ia kanë borxh t’i bëjnë vend në varret e tyre dhe as na i kishte Ismaili borxh që t’i ndalojmë vetminë e tij vetëm e vetëm sepse nuk ja ndalon dot duke na parë me shpotinë e vetë duke na thënë 'jo-në' e tij. As përballë "Rogner-it".
Ai shtoi:
"Ismail Kadare jetoi si dëshmitar i një fjale që mori të tëra lëvdatat e botës dhe tërë smirën dhe sharjet e mundshme të vendit që e lindi. Mbeti në arkivat e procesverbaleve të Nobel, i vetmi kandidat për të cilin ka një dosje letrash anonime. Ai erdhi, shkroi dhe iku. I kemi vetëm një detyrim, t’ia respektojmë ikjen duke i dhënë një banesë të fundit ku të mos ndihet i kërcënuar as nga dashuria e pakërkuar që e kishte tmerr, as nga fqinjësia asnjëherë e dëshiruar që e kishte lemeri dhe as nga tubimet, nderimet dhe fjalimet që i kishte llahtari.
Artikuj të sugjeruar:
- Lamtumirë Ismail Kadare! Homazhet në nder të shkrimtarit të ndjerë
- Kosova shpall ditë zie 3 korrikun në nder të Ismail Kadaresë
- Botuesi tregon momentet e fundit të Ismail Kadaresë:
- 2 dhe 3 korriku shpallen ditë zie në nder të shkrimtarit Ismail Kadare
- Botuesi i Ismail Kadaresë flet për shkrimtarin e ndjerë: “Iku pa asnjë peng”
- 10 poezi të pakoha nga Ismail Kadare
- Ndërron jetë Ismail Kadare