Art & Libra

Të bijat e Ismail Kadaresë flasin për shkrimtarin e ndjerë: “Ishte krejt i veçantë”

Shkruar nga Anabel

3 Korrik 2024

Të bijat e Ismail Kadaresë flasin për shkrimtarin e ndjerë:

Sot (3 korrik 2024), Ismail Kadare u përcoll me nderime të shumta për në banesën e fundit, pasi ndërroi jetë 2 ditë më parë në moshën 88-vjeçare. Në homazhin në nder të tij u bënë bashkë personalitete të ndryshme nga bota e artit, politkës e sferave të tjera, të cilët përkujtuan shkrimtarin kolosal.

Dy vajzat e Kadaresë, Besiana dhe Gresa, mbajtën një fjalim në nder të të atit të tyre, duke thënë se një ndër mënyrat se si mund t’i bëjmë homazh shkrimtarit, është duke lexuar veprat e tij:

“Të dashur miq, faleminderit që keni ardhur sot. Jemi të gjithë shumë të prekur nga gjithë kjo dashuri, mesazhet e ngushëllimit, shumë ceremoni prekëse. Nuk do bëj ndonjë fjalim. E përfytyroj që thoshte një nga frazat e tij të preferuara: “do na lësh rehat tani, nuk dua”. E përfytyroj, është ngjitur, është si në një vorbull drite. E përfytyroj që është ngjitur si hyj në panteonin e gjenive të botës dhe na shikon. Një nga mënyrat për t’i bërë homazh është të lexojmë të gjithë përsëri veprat e tij. Faleminderit që keni ardhur sot”.

Vajza tjetër, Gresa, u shpreh se i ati i ndjerë ishte i veçantë në gjithçka:

“Të dashur miq, faleminderit për prezencën tuaj. Desha të them diçka të vogël. Ismaili ka qenë gjithnjë një baba ndryshe nga të gjithë etërit e shokëve e shoqeve të mia. Ishte krejt i veçantë si në gjithë gjërat e tjera dhe i bindej vetëm ligjeve të letërsisë. Kurrë nuk më ka mërzitur për neglizhencat e mia për punët e shtëpisë, e plot e plot të tjera, por nuk m’i kursente sarkazmat për autorët që unë lexoja. Nga ana tjetër, entuziazmohej sa i gjeja ndonjë rrjesht për shembull nga përkthimi i Nolit, që ishte i goditur. Këtë filozofi, dora-dorës, ndoshta e kam adoptuar dhe vetë që nga fëmijëria”.

Artikuj të sugjeruar: