Horoskopi Mujor

Horoskopi i Susan Miller për muajin korrik 2024: Ujori dhe Peshqit

Shkruar nga Anabel

5 Korrik 2024

Horoskopi i Susan Miller për muajin korrik 2024: Ujori dhe Peshqit

Horoskopi i Susan Miller për muajin korrik 2024: Ujori dhe Peshqit

Duket se këtë muaj je shumë i/e përqendruar në çështjet që lidhen me shtëpinë, pronën dhe familjen. Falë shfaqjes së Jupiterit te shenja e Demit, ka të ngjarë që në këtë fushë të jetës të bësh një përparim të rëndësishëm, i cili mund të të sjellë lumturi dhe kënaqësi. Gjatë korrikut mund të bësh ca ndërhyrje të vogla për të rregulluar ose rinovuar shtëpinë. Por, mund edhe të mendosh zhvendosjen në një shtëpi më të madhe, shitjen e pronës, apo marrjen me qira të një ambienti të ri. Sidoqoftë, bëje këtë jo më vonë se data 20 korrik, pasi Marsi do të largohet nga sektori i shtëpisë. Më pas, kjo zonë e jetës tënde do të qetësohet.

Tani që e ke ngritur folenë tënde, Marsi do të shkojë drejt sektorit të dashurisë, për të nisur një periudhë më të ngrohtë, emocionuese dhe romantike. Marrëdhëniet e tua, qofshin ato shoqërore ose romantike do të jenë më aktive se kurrë. Jupiteri ndodhet në sektorin e dashurisë së vërtetë, kështu që në javët e ardhshme ka të ngjarë që të ndodhin gjëra emocionuese në lidhje me çështjet e zemrës. Nëse je single, sigurohu që të dalësh më shpesh nga 20 korriku e në vijim. Nëse ke plane për një fëmijë, është një moment i përsosur për ta bërë dëshirën realitet. Nëse ke fëmijë, atëherë do të gjesh kohën për të kaluar më shumë momente dhe kujtime me ta. Në gjysmën e dytë të korrikut, me shumë gjasa do të organizosh pushime familjare.

Jo të gjithë kanë dëshirë të kenë një fëmijë, ndaj theksi do të vendoset te Marsi, i cili zhvendoset në shtëpinë tënde artistike. Krijimtaria jote do të jetë e fortë dhe imagjinata do të burojë nga mendja jote brilante. Ndërkohë, sa i përket punës, ajo do të marrë ritmin e duhur pas Hënës së re me 5 korrik dhe do të duhet të kesh më shumë vëmendje karshi detyrave të tua. Nëse je i/e vetëpunësuar, biznesi do të bëhet më i suksesshëm dhe klientët do të vijnë drejt sipërmarrjes tënde. Nëse punon për një tjetër person, do të jesh një ndihmë e madhe për të. Saturni, një sundimtar i lashtë, do të merret posaçërisht me shenjën tënde, për të të dhuruar mbështjetje, sidomos gjatë Hënës së re të 5 korrikut.

Hëna e re do të të ofrojë gjithashtu kohën e mjaftueshme për të bërë vizitat e duhura me mjekët dhe dentistin. Nëse ke pasur probleme shëndetësore, por i ke neglizhuar vizitat, është momenti që të lësh një takim me profesionistët.

Hëna e plotë e 21 korrikut në Bricjap do të sjellë më shumë pushime për ty. Do të duash të përjetosh një ‘letargji’ pas gjiiithëëë mundit dhe faktit që ke qenë kaq i/e zënë në muajt e mëparshëm, ndaj një pushim i merituar është vendimi më i mirë që mund të marrësh.

Kjo Hënë e plotë do të sjellë diçka të madhe e të rëndësishme në jetën tënde. Për fat të mirë, planetet janë miqësorë me njëri-tjetrin dhe jemi të bindur se do të të pëlqejë rezultati.

Horoskopi i Susan Miller për muajin korrik 2024: Ujori dhe Peshqit

Rishtazi, jeta s’ka qenë shumë e lehtë për ty, për shkak se Saturni po rri pezull në shenjën tënde. Kjo planet është kërkues dhe do që ti të fokusohesh shumë te përgjegjësitë që ke dhe të mendosh për të ardhmen tënde. Saturni në Diell, zakonisht kërkon që ti të mësosh diçka të re, e cila do të të vlejë në të ardhmen. Është një proces i vështirë, sigurisht, por duke qenë se leksioni do të të shërbejë shumë, duhet ta marrësh patjetër.

Zgjidh të punosh mbi një synim të caktuar, i cili pasi të realizohet, do të vendosë bazat e jetës tënde. Saturni vjen çdo 29 vjet dhe të mëson gjëra që do të ndikojnë në jetën tënde për të paktën 3 vite. Peshqit e lindur nga 3-10 mars do të ndiejnë ndikimin e drejtpërdrejtë të Saturnit këtë vit. Ndërsa Peshqit e tjerë, do të ndiejnë më shumë presion dhe do të kenë një periudhë më sfiduese.

Hëna e re e 5 korrikut do të bjerë në Gaforre dhe për ty, do të jetë Hëna e re më romantike e vitit. Kjo do të të bëjë të heqësh pak mendjen nga përgjegjësitë që ke dhe do të të ndihmojë në raportet që ke me familjarët dhe fëmijët e tu. Nëse je beqar/e, kjo ngjarje qiellore mund të të ndihmojë që të gjesh dashurinë e re dhe të të sjellë në jetën tënde një person elektrizues, me të cilin do të kesh kaq shumë kimi.

Nëse po planifikon të kesh një fëmijë, kjo Hënë e re do të aktivizojë edhe më shumë mendimin tënd. Ti e ke në dorë vetë. Gjithashtu, imagjinata jote do të nxitet. Si një person i shenjës së Peshqve, ka të ngjarë që të jesh një person me prirje artistike. Mendo, frymëzohu dhe krijo kryeveprat. Muzat e tua mund të jenë ëndrrat, gjestet, portretet e simbolet, ndaj me shumë gjasa, projekti yt i ri do të jetë kaq emocionues!

Nëse do të bësh pak pushim, korriku do të të ofrojë edhe këtë mundësi. Duke qenë se i përket shenjës së Peshqve, ti mund të ushqesh një dëshirë të madhe për të qenë pranë detit, ndaj do të kesh mundësi të bësh një arratisje të vogël, por rifreskuese.

Gjatë këtij muaji, sidomos plus/minus 21 korrikut, kur do të ndodhë edhe Hëna e plotë në Bricjap, mund ta gjesh veten duke planifikuar më shumë takime me miqtë e tua. Do të marrësh ftesa, do të kesh surpriza, do të bësh ca arratisje të shkurtra, por domethënëse për miqësinë tënde.

Copyright Anabel.al / Ndalohet ribotimi pa lejen e redaksisë.