Timo Flloko, mik i shkrimtarit të ndjerë Ismail Kadare, i ka kushtuar kolosit të letërsisë një poezi emocionuese, ku ka rrëfyer ndjesitë e tij në një mëngjes bosh, pas trishtimit që la pas humbja e Kadaresë.
Poezia:
Timo Flloko - KADARE (Requiem)
E piva kafen e helmët pa ty, këtë mëngjes,
Dhembjen, fillikat, me kë ta ndaja,
“Chateau Juvenilja” tek e shoh më ngjan,
Më shkretëtirë se Saharaja...
Ike heshtjes si gjigant, i menduar
(Bëre vallë pakt të fshehtë me ikjen?!)
Le bosh pas vetes, në mijëra zemra,
Zbrazëti pa skaj, apokaliptike...
(Pse vijnë gjenitë dhe ikin nga kjo botë..?!)
Ikja jote është shtegëtim qiellor,
Vdekjen s'mund as ta imagjinoj dot!
Mortin s'mund ta marr as me mend..
Një zog erdh' a m'u faneps
Fluturimin ndali, u ul në vendin tënd,
(Të ish hij' e Nobelit ai udhëhumbës,
Me pendesën në vete, një gjasë aq e rrallë,
U nis por mbërriti vonë, nga erërat që frynin
Korb u bë nga mërzia, se s'të gjeti gjallë...)
U përmenda në fund, humbës në atë bosh,
Hodha sytë në qiell, përtej, te e panjohura,
Me pafundësinë u shkri, atje përjetshëm,
Shpirti yt shteg'tar që kapërcen kohërat.
Ismail Kadare ndërroi jetë në mëngjesin e 1 korrikut 2024, duke lënë pas një krijimtari që na krenon. Ai ka prezantuar denjësisht Shqipërinë kudo në botë, përmes veprave të tij të pakoha, ndaj humbja e tij është vetëm fizike. Kadare u përcoll për në banesën e fundit nga personalitete të njohur, artistë, familjarë e miq, të cilët i dhanë lamtumirën një prej gjenive të letërsisë.
Për nder të tij, Shqipëria vendosi dy ditë zie, 2 dhe 3 korrikun dhe Kosova, një ditë zie - 3 korrikun.
Artikuj të sugjeruar:
- Të bijat e Ismail Kadaresë flasin për shkrimtarin e ndjerë: “Ishte krejt i veçantë”
- Edi Rama shpjegon “praninë” e Nënë Terezës në homazhet për Ismail Kadarenë
- Lamtumirë Ismail Kadare! Homazhet në nder të shkrimtarit të ndjerë
- Kosova shpall ditë zie 3 korrikun në nder të Ismail Kadaresë
- Botuesi tregon momentet e fundit të Ismail Kadaresë:
- 2 dhe 3 korriku shpallen ditë zie në nder të shkrimtarit Ismail Kadare
- VIP-at reagojnë për ndarjen nga jeta të shkrimtarit Ismail Kadare
- 10 poezi të pakoha nga Ismail Kadare
- Ndërron jetë Ismail Kadare