Bota

Një përmbledhje e atentatit ndaj Donald Trump

Shkruar nga Anabel

14 Korrik 2024

Një përmbledhje e atentatit ndaj Donald Trump
FOTO: Evan Vucci/AP

Ish-presidenti Donald Trump po mbante fjalën e tij në një tubim elektoral në Pensilvani kur u qëllua në podium. Trump ishte duke folur në momentin që plumbi e kapi në veshin e djathtë, ndërkohë që Shërbimi Sekret dhe FBI kanë identifikuar autorin, një 20-vjeçar me emrin Thomas Matthew Crooksm, që u dallua mbi çatinë e një objekti shumë pranë tubimit të Trump dhe u vra nga Forcat e Sigurisë Amerikane.

Autori: Sipas një videoje që ka qarkulluar në rrjete sociale pak minuta para sulmit, i riu ishte i regjistruar si votues i republikanëve dhe e shprehte hapur faktin se e urrente Trump-in.

Viktima dhe i plagosuri: Të shtënat lanë të vdekur një pjesëmarrës në tubim dhe një të plagosur rëndë, thonë autoritetet.

Reagimi i Trump: “Plumbi më kapi pjesën e sipërme të veshit të djathtë, por unë falënderoj Shërbimin Sekret për reagimin e shpejtë. E kuptova menjëherë se diçka nuk shkonte në atë që dëgjova, një zhurmë, të shtëna dhe menjëherë ndjeva se plumbi po depërtonte në lëkurë. Më e rëndësishmja: Dua t’i shpreh ngushëllimet e mia familjes së personit që u vra në tubim, si dhe familjes së personave të tjerë që mbetën të plagosur rëndë. Është e pabesueshme që një akt i tillë mund të ndodhë në vendin tonë. Zoti e bekoftë Amerikën!” e mbyll ai reagimin e tij në rrjetin social Truth Social.

Vetëm pak minuta pas ngjarjes së rëndë kanë reaguar liderët botërorë dhe atë shqiptarë përmes mesazheve të tyre:

Reagimi i presidentit Biden: “Ne nuk mund të lejojmë që të ndodhin gjëra të tilla. Ideja se mund të ndodhë një dhunë e këtij lloji në Amerikë është e pabesueshme.”

Presidentja e Komisionit Europian, Ursula von der Leyen, tha se ishte "thellësisht e tronditur" nga të shtënat. “Dhuna politike nuk ka vend në një demokraci. I uroj Donald Trumpit shërim të shpejtë dhe i shpreh ngushëllimet e mia familjes së viktimës së pafajshme,” tha ajo në rrjetin X (ish-Twitter).

Presidenti i Francës, Emmanuel Macron, e cilësoi tentativën si një "tragjedi për demokracitë tona". "Franca ndan me popullin amerikan tronditjen dhe zemërimin," shkroi ai në X, duke i uruar Trump-it shërim të shpejtë.

Presidenti i Ukrainës Zelensky tha se ishte i tmerruar kur mësoi për të shtënat ndaj Trump. “Dhunë e tillë nuk ka justifikim dhe nuk ka vend askund në botë.”

Kryeministri Rama: “Është shqetësuese të shohësh që një kandidat për president të Shteteve të Bashkuara të qëllohet gjatë një tubimi dhe të dëgjosh se një pjesëmarrës ka vdekur dhe disa të tjerë kanë mbetur të plagosur. Kjo është një tragjedi për botën demokratike. Mendimet e mia shkojnë për ish-presidentin Trump dhe familjen e tij. Ne të gjithë shpresojmë se kjo ngjarje e tmerrshme do të bashkojë Amerikën dhe të gjithë njerëzit e botës demokratike kundër të gjitha formave të dhunës.”

Presidenti Begaj u shpreh se e dënon sulmin e rëndë dhe çdo formë të dhunës politike në një vend demokratik.

“Mësova me keqardhje lajmin e tentativës për vrasjen e presidentit Donald Trump. I uroj shërim të shpejtë presidentit Trump dhe ngushëllime të sinqerta për humbjen e jetës së një personi të pafajshëm. E dënojmë ashpër këtë sulm dhe çdo formë të dhunës politike që nuk ka vend në demokraci.”

Ish-kryetari i PD-së, Sali Berisha: “Të dashur miq, një dorë kriminale shkrepi mbrëmë një seri të shtënash në një atentat me qëllim vrasjen e presidentit Donald Trump. Ky akt i shëmtuar kriminal, ndodhi gjatë fjalës së tij në një takim elektoral në Butler Pensilvania. Nga të shtënat presidenti Trump u plagos, por është jashtë rrezikut për jetën dhe një pjesëmarrës në miting u vra dhe dy të tjerë janë të plagosur rëndë. Atentator i identifikuar si Thomas Mattheu Crooks, 20 vjeç u asgjësua nga shërbimi sekret. Dënoj me ashpërsinë më të madhe këtë akt të urryer kriminal ndaj presidentit Donald Trump si një akt me të cilin kërkohet që me atentat, vrasje politike në fushatë elektorale të përcaktojnë e të mposhtin vullnetin e lirë të qytetarëve të SHBA. Me këtë rast i shpreh atij dhe familjes së tij dhe Partisë Republikane, solidaritetin tim më të plotë dhe të Partisë Demokratike të Shqipërisë dhe lutem për shërim të shpjetë dhe të plotë të tij. Uroj që kushdo që mund të jetë i implikuar në këtë akt të urryer terrorist të gjendet dhe marrë ndëshkimin më të rreptë ligjor.”

Artikuj të sugjeruar: