Bota

Një historik i disa prej atentateve ndaj ish-presidentëve amerikanë

Shkruar nga Anabel

15 Korrik 2024

Një historik i disa prej atentateve ndaj ish-presidentëve
FOTO: EVAN VUCCI/AP

Më 13 korrik, ndërsa ish-presidenti amerikan, Donald Trump, ishte duke folur gjatë fushatës së tij në Pensilvania, u dëgjuan disa të shtëna. Trump u lëndua në veshin e djathtë, ndërsa 2 persona të tjerë janë në gjendje të rëndë. Një person u vra si rrjedhojë e atentatit të Trump. Shërbimi Sekret ekzekutoi në vend të riun, i cili kishte si qëllim të vriste Trump.

Atentatori ishte një djalë 20 vjeç, i cili njihej si një republikan që “e urrente” Trump.
 
Nisur nga rasti i Trump, të sjellim historikun e atentatëve që i janë bërë ish-presidentëve në SHBA.

Andrew Jackson – 30 janar 1835

Një historik i disa prej atentateve ndaj ish-presidentëve

Më 30 janar të 1835-ës, Andrew Jackson do të binte viktimë e një atentati, por fati qe në anën e tij. Një piktor, i quajtur Richard Lawrence, u përpoq të qëllonte presidentin e atëhershëm me dy pistoleta, por dështoi në të dyja rastet. Më vonë, dikush i provoi pistoletat dhe të dyja funksiononin mirë.

Lawrence u kap pasi presidenti e rrahu me bastunin e tij. Ai u shpall i pafajshëm nga gjykata për shkak të sëmundjes mendore dhe u mbyll në një institucion për shëndetin mendor, deri në fund të jetës.

Abraham Lincoln – 14 prill 1865

Një historik i disa prej atentateve ndaj ish-presidentëve

Ai u bë viktimë e një atentati më 14 prill 1865, në teatrin “Ford” në Uashington, rreth orës 22:15. Vrasësi i tij, John Wilkes Booth, ishte aktor i njohur dhe përpiloi një plan për të rrëmbyer presidentin. Më vonë, pasi mori pjesë në një fjalim të presidentit për të drejtën e votës për njerëzit me ngjyrë, Booth vendosi që ta vriste.

Ndërsa Lincoln po shijonte një shfaqje në teatër, vrasësi hyri nga pas dhe e qëlloi presidentin me një pistoletë “Derringer”, të kalibrit 44. Plumbi depërtoi në pjesën e pasme të kokës, duke e lënë të plagosur rëndë. Lincoln u dërgua menjëherë në spital dhe ra në koma për 9 orë. Presidenti ndërroi jetë në 7:22 të mëngjesit të 15 prillit.

James A. Garfield – 2 korrik 1881

Një historik i disa prej atentateve ndaj ish-presidentëve

James A. Garfield ra pre e një atentati rreth 4 muaj pasi mori detyrën. Atentati u krye në stacionin hekurudhor Baltimore në Uashington. Teksa presidenti mbërriti në stacionin e trenit, shkrimtari dhe avokati Charles J. Guiteau, e qëlloi dy herë. Një plumb e qëlloi në shpatull dhe tjetri, në shpinë.

Për 11 javët e ardhshme, ai duroi dhimbjet dhe vuajtjet, dersia ndërroi jetë më 19 shtator 1881, në orën 22:35, teksa vuajti ndërlikimet e shkaktuara nga infeksionet e plagëve, për shkak se mjekët i preknin plagët pa mjete të sterilizuara.

William McKinley – 6 shtator 1901

Një historik i disa prej atentateve ndaj ish-presidentëve

Vrasja e tij ndodhi në “Temple of Music” në Buffalo, New York. McKinley u qëllua në zonën e barkut nga Leon Czolgosz, një anarkist, i cili e vrau me një revolver të kalibrit të 32-të.

Plumbi i parë ra në rikoshet, ndërsa i dyti, e kapi në pjesën e barkut. Megjithëse fillimisht u duk se ai po e merrte veten nga plaga, gjendja u përkeqësua shpejt, për shkak të gangrenës në plagët e tij. Ai ndërroi jetë më 14 shtator 1901, në orën 2:15 të mëngjesit.

Franklin D. Roosevelt – 15 shkurt 1933

Një historik i disa prej atentateve ndaj ish-presidentëve

17 ditë para inaugurimit të parë presidencial të Roosevelt, Giuseppe Zangara, qëlloi 5 herë drejt presidentit, në Miami, Florida. Ndonëse plumbat nuk kapën presidentin, ata vranë kryebashkiakun e Çikagos, Anton Cermak dhe plagosën 4 persona të tjerë.

Zangara u shpall fajtor për vrasjen e kryebashkiakut dhe u ekzekutua në karrigen elektrike më 20 mars 1933.

John F. Kennedy – 22 nëntor 1963

Një historik i disa prej atentateve ndaj ish-presidentëve

Vrasja e presidentit John F. Kennedy, ndodhi rreth orës 12:30 të mëngjesit të së premtes së 22 nëntorit të vitit 1963, në Dallas, Teksas. Ai ndërroi jetë në një autokolonë presidenciale, teksa u qëllua për vdekje. Mendohet se vrasësi ishte ish-marinsi dhe dezertori Lee Harvey Osëald, i cili e qëlloi nga kati i gjashtë i një ndërtese.

Ai u qëllua në shpinë dhe në kokë. Autokolona e dërgoi menjëherë në spital, ku Kennedy u shpall i vdekur në orën 13:00. Lee u arrestua dhe u akuzua për vrasjen e presidnetit dhe të një polici.

Më 24 nëntor, ndërsa Lee po transferohej nga burgu i qytetit në një burg lokal, u bra nga Jack Ruby.

Theodore Roosevelt – 14 tetor 1912

Një historik i disa prej atentateve ndaj ish-presidentëve

Tre vjet e gjysmë pasi u largua nga detyra, Theodore Roosevelt kandidoi sërish në zgjedhjet presidenciale të vitit 1912, si anëtar i Partisë Progresive. Teksa ishte duke bërë fushatë, më 14 tetor, John Schrank, e qëllon në gjoks me një armë speciale të policisë. Plumbi që doli nga arma “Colt”, e kalibrit 38, u ngadalësua nga një libërth me 50 faqe që ndodhej në xhepin e xhaketës së Roosevelt. Një kontribut tjetër dha edhe këllëfi metalik i syzve.

Schrank u çarmatos menjëherë dhe pasi Roosevelt siguroi turmën se ishte në rregull dhe i tha policisë të kujdesej për atentatorin, vijoi me fjalimin e tij. Roosevelt ishte një gjahtar dhe anatomist me përvojë, ndaj arriti në përfundimin se duke qenë se nuk pështyu gjak, do të thoshte se plumbi nuk kishte shkuar deri në mushkëri.

Ai foli për 84 minuta para se të merrte ndihmën mjekësore.

 Gerald Ford – 5 dhe 22 shtator 1975

Një historik i disa prej atentateve ndaj ish-presidentëve

Dy gra të ndryshme u përpoqën ta vrisnin presindentin e SHBA, Gerald Ford. Ato janë të vetmet gra që u përpoqën të vrasin një president, me 2 atentate të cilat patën një distancë kohore prej 17 ditësh.

Përpjekja e parë erdhi nga Lynette Formme, e cila më 5 shtator 1975, u mundua ta vriste me armë presidentin. Ajo u godit menjëherë në kokë nga agjentët e Shërbimit Sekret dhe arma nuk u shkrep kurrë.

Përpjekja e dytë ishte nga Sara Jane Moore, jashtë një hoteli në San Francisco, më 22 shtator 1975. Moore u përpoq ta vriste presidentin, por u ndërpre nga një kalimtar.

Ronald Reagan –  30 mars 1981

Një historik i disa prej atentateve ndaj ish-presidentëve

Një person i armatosur qëlloi Ronald Reagan, teksa largohej nga një festë nga hoteli “Hilton” në Uashington. Personi i armatosur, John Hinckley Jr., qëlloi nga turma drejt limuzinës së Reagan. Hinckley ishte një djalosh 25 vjeç, i cili vuante nga psikoza akute. Ai mendoi se nëse do të qëllonte presidentin, do t’i binte në sy aktores Jodie Foster. Në vitin 1982, ai u shpall i pafajshëm dhe iu nënshtrua trajtimit në një spital psikiatrik.

Reagan u shtrua për 2 javë në spital, për t’u rikuperuar nga plagët e marra.

Donald Trump - 13 korrik 2024

Një historik i disa prej atentateve ndaj ish-presidentëve

Ish-presidenti Donald Trump po mbante fjalën e tij në një tubim elektoral në Pensilvani kur u qëllua në podium. Trump ishte duke folur në momentin që plumbi e kapi në veshin e djathtë, ndërkohë që Shërbimi Sekret dhe FBI kanë identifikuar autorin, një 20-vjeçar me emrin Thomas Matthew Crooksm, që u dallua mbi çatinë e një objekti shumë pranë tubimit të Trump dhe u vra nga Forcat e Sigurisë Amerikane.

Të shtënat lanë të vdekur një pjesëmarrës në tubim dhe një të plagosur rëndë, thonë autoritetet.