Celebrity

Videoja virale: Mbreti Charles thyen rregullin mbretëror, për të marrë një puthje *.*

Shkruar nga Anabel

17 Korrik 2024

Videoja virale: Mbreti Charles thyen rregullin mbretëror, për të
Getty Images

E ke parasysh kur dikush të thotë: “Më jep pak faqen të të puth”? Pak a shumë kjo ka ndodhur rishtazi në takimin e fundit të mbretit Charles, i cili, për të marrë një puthje, theu rregullin e mbretërisë.

Edhe pse monarkia britanike njihet për rregullat striktë, kjo s’e ka ndaluar Charles që gjatë vizitës së tij në Channel Island, të bisedonte me një grua 91-vjeçare, të quajtur Kathleen Moriarty dhe më pas, ta lejonte atë ta puthte në faqe.

Në një video, tashmë virale në X, Charles shihet duke biseduar me një grua nga turma. Më pas, me një veprim surprizues, Charles lëviz qafën dhe i afron faqen gruas së moshuar, e cila e puth në faqe.

Moriarty, e cila pati fatin të puthte mbretin, dha një intervistë për BBC, ku u shpreh: “Unë i thashë atij:

“Të lutem, mund të të jap një puthje?” dhe ai më dha faqen. Thjesht e bëra. As nuk e planifikova, por e shijova. Ai është shumë i dashur dhe shumë i mirë, jam e kënaqur. Mendova se kur mund ta bëjnë gjithë gocat e bukura dhe të reja, mund ta bëjë dhe kjo zonjusha e vjetër në moshë”, tha ajo duke qeshur.

Videoja virale: Mbreti Charles thyen rregullin mbretëror, për të
Getty Images

Gjithsesi, duhet thënë se kjo është një thyerje e rregullave nga ana e mbretit, pasi në monarkinë britanike, nuk lejohet që mbretërorët të kenë kontakte fizike me njerëzit e thjeshtë. Në rastet e përshëndetjeve, për burrat mjafton një lëvizje koke, ndërsa për gratë, një përkulje e lehtë.

Gjithsesi, kjo nuk është hera e parë që mbreti Charles lejon një person tjetër ta puthë. Pas vdekjes së mbretëreshës Elizabeth II në shtator 2022, mbreti u takua me një admirues të tij, i cili pati dëshirën ta puthte. Mbreti ia realizoi dëshirën dhe ja, historia u përsërit pas thuajse dy vitesh.

Artikuj të sugjeruar: