Social Buzz

“A e blejnë paratë lumturinë?”: Studimi i ri i përgjigjet pyetjes 1 milion dollarëshe

Shkruar nga Anabel

19 Korrik 2024

 “A e blejnë paratë lumturinë?”: Studimi i ri i

Përgjigjja e shkurtër? Po! Paratë mund ta blejnë lumturinë.
 
Përgjigjja e gjatë? Një studim i ri i kryer në universitetin “Wharton”, Pensilvani, zbuloi se ka një marrëdhënie mjaft pozitive mes parave dhe lumturisë. Matt Killingsworth, “gjurmoi” lumturinë në projektin e tij kërkimor trackyourhappiness.org, ku mori kampionin e 33,269 personave të rritur e të punësuar amerikanë, nga mosha 18-65 vjeç, me të ardhura të paktën 10,000 dollarë/vit, të cilët iu përgjigjën pyetjeve që lidheshin me “kënaqësitë e jetës”.
 
Killingsworth përdori gjithashtu të dhëna nga milionerë e miliarderë, të cilat shpesh mungojnë, ose janë shumë të vështira për t’u marrë. Për këtë, studimi e ka një arsye: “Ndoshta njerëzit e pasur nuk janë të prirur ta kalojnë kohën e tyre të lirë duke bërë sondazhe” dhe në fakt, bën sens.
 
Të dhënat treguan se hendeku i lumturisë mes pjesëmarrësve të pasur dhe me të ardhura të mesme ishte më i gjerë sesa mes pjesëmarrësve me të ardhura të mesme dhe të ulëta. Studimi i ri zbuloi se individët e pasur ishin “thelbësisht dhe statistikisht më të lumtur se njerëzit që fitonin mbi 500,000 dollarë në vit”.
 
Killingsworth tha për Guardian se ishte shumë i befasuar me hendekun e ndryshimit të përgjithshëm mes njerëzve që gëzojnë pasuri, karshi atyre me të ardhura më të ulëta.

“Paratë janë vetëm një nga shumë gjëra që kanë rëndësi për lumturinë dhe një ndryshim i vogël në të ardhura ka tendencë të shoqërohet me dallime mjaft të vogla në lumturi,” tha Killingsworth, duke shtuar: "Por, nëse dallimet në të ardhura/pasuri janë shumë të mëdha, ndryshimet në lumturi mund të jenë gjithashtu shumë më të mëdha".

Pra, pse njerëzit e pasur mund të jenë më të lumtur?

Përgjigjja, besojmë është e qartë, por ka dhe një shpjegim psikologjik. Killingsworth shpjegoi se kur ke pasuri, ke një ndjenjë më të madhe kontrolli në jetën tënde dhe kjo mund të shpjegojë rreth 75% të lidhjes para-lumturi.

“Unë mendoj se një pjesë e madhe e njerëzve që kanë para janë në kontroll të jetës së tyre dhe kanë më shumë liri për të jetuar jetën që duan të bëjnë”.

Killingsworth tha se interesi i tij për të studiuar lumturinë buron nga dëshira për të kuptuar se si ta bëjë jetën më të mirë: “Ironikisht, një pjesë e arsyes pse jam kaq i interesuar për lumturinë është sepse vetëm paratë, (të cilat ne tashmë jemi mjaft të motivuar për t’i ndjekur) janë vetëm një pjesë e vogël e ekuacionit të përgjithshëm për lumturinë. Pra, një pjesë e arsyes që unë studioj lumturinë është që të zgjerojmë horizontet tona përtej gjërave si paraja.”
 
Ai shtoi: “Çfarë do të bënim ndryshe nëse do ta merrnim seriozisht lumturinë? Si individë, familje, organizata dhe shoqëri? Është një pyetje afatgjatë dhe jo një pyetje për të cilën ne do të kemi menjëherë përgjigje perfekte.”