Kafshë

Peshkaqenët në Brazil dalin pozitivë në testet e kokainës, por si ka mundësi? o.O

Shkruar nga Anabel

24 Korrik 2024

Peshkaqenët në Brazil dalin pozitivë në testet e

Peshkaqenët që jetojnë në brigjet e Brazilit kanë rezultuar pozitivë në testet e kokainës, sipas një studimi të ri. Kjo është hera e parë që studimet dalin në një përfundim të tillë. Shkencëtarët testuan 13 peshkaqenë në ujërat e Brazilit, pranë Rio de Janeiro dhe gjetën se në muskujt dhe në mëlçinë e tyre kishte mbetje të kokainës. Rezultati ishte i njëjtë për të 13 peshkaqenët, thuhet në studimet e fondacionit “Oswaldo Cruz”.

Peshkaqenët në Brazil dalin pozitivë në testet e

Nivelet e kokainës ishin 3 herë më të larta në muskuj, në krahasim me prezencën e substancës narkotike në mëlçi. Peshkaqenët femra kishin një përmbajtje më të lartë kokaine në trup, krahasuar me meshkujt.

Kalojmë te pyetja që na mundon të gjithëve: “Si ka mundësi?”

Në këtë rast, ka gisht njeriu.

“Kokaina ndot detin për shkak të ujërave të zeza që shkarkohen nga përdoruesit e kokainës, si dhe nga laboratorët e paligjshëm që e prodhojnë/përziejnë kokainën”, u shpreh Enrico Mendes Saggioro, bashkëautori i këtij studimi.

Përdorimi i kokainës është rritur masivisht në mbarë botën gjatë dekadave të fundit. Rreth 22% e përdoruesve jetojnë në Amerikën e Jugut dhe Brazili renditet si vendi i dytë në rajon për përdorimin më të madh të lëndës narkotike në rang rajonal. Rritja e konsumit dhe infrastruktura e dobët e trajtimit të ujërave të zeza kanë shkaktuar edhe ekspozimin e peshkaqenëve ndaj kokainës. Hulumtimet e mëparshme sugjeruan se kokaina e derdhur në det nga trafikantët e drogës mund të jetë përgjegjëse për rezultatet, por sipas Mendes Saggioro, nuk ishte ky rasti.

Peshkaqenët në Brazil dalin pozitivë në testet e

Ende nuk është e qartë nëse kokaina e dëmton shëndetin e peshkaqenëve, shpjeguan ekspertët, megjithatë studimet e mëparshme kanë treguar se droga dëmton specie të tjera si peshqit dhe midhjet.

“Është e mundur, megjithëse nuk është vërtetuar ende që ekspozimi i peshkaqenëve ndaj kokainës ka efekte të dëmshme fiziologjike”, u shprehën studiuesit.

Përpos kësaj, shtuan se nuk është e mundur të vërtetohet ndonjë efekt në sjelljen e peshkaqenëve, por dihet se kokaina shton sjelljet hiperaktive dhe të çrregullta te kafshët e tjera, sipas vrojtimeve të ndryshme që janë bërë.

Efektet e mundshme në shëndetin e njeriut janë po ashtu të vështira për t’u përcaktuar, pasi kokaina tanimë ka hyrë në zinxhirin ushqimor, për shkak se peshkaqenët konsumohen nga njerëzit në Brazil dhe në shumë vende të tjera.

Sipas Enrico Mendes Saggioro, do të kryhen edhe studime në peshqit emigrues, si barbuni, për të verifikuar nëse emigrimi i peshqve ndikon në akumulimin e kokainës.

Në një studim të kryer në vitin 2021, studiuesit dolën në përfundimin se trofta e murrme mund të bëhet e varur nga droga e paligjshme metamfetaminë, kur ajo grumbullohet në rrugët ujore.

"Peshqit janë të ndjeshëm ndaj efekteve negative të shumë drogave aktive neurologjike, duke nisur që nga alkooli e deri te kokaina dhe mund të zhvillojnë varësi nga këto substanca, për shkak të dopaminës që marrin. Kjo është e ngjashme me njerëzit”, tha autori kryesor i studimit, Pavel Horky, ekspert në fushën e shkencës.