
Boksierja italiane Angela Carini, shpërtheu në lot, pasi la ndeshjen e saj kundër alegjerianes Imane Khelif. Ndeshja përfundoi për 46 sekonda, por ndezi kaq shumë polemika në rrjet e në Lojërat Olimpike Paris 2024.

Kjo, për shkak se Khelif është një nga dy boksierët që u lejohet të garojë në olimpiadë, pavarësisht se është skualifikuar nga kampionati botëror i femrave gjatë vitit të kaluar, pasi dështoi në testet e testosteronit dhe përshtatshmërisë së gjinisë. Disa njerëz e cilësuan si “transgjinore”, duke thënë se është e padrejtë biologjikisht që Angela dhe Imane të ndeshen në të njëjtin ring.
Në ndeshjen në fjalë, shihet se si Angela pëson dy grushta të fortë dhe më pas, kthehet në këndin e saj, duke ngritur dorën, për të treguar se u dorëzua. Ajo ra në gjunjë duke qarë dhe nuk pranoi që t’i jepte dorën kundërshtares, pasi u shpall fituese.

Carini tha se ishte tërhequr nga gara, pasi kishte marrë goditjen më të fortë ndonjëherë dhe kishte frikë se mos i thyhej hunda. “Jam zemërthyer. Unë shkova në ring për të nderuar tim atë. Unë kurrë nuk kam ndjerë një grusht si ky”, u shpreh Carini, duke shtuar:
“Pas grushtit të dytë, edhe pas vitesh përvojë, ndjeva një dhimbje të fortë në hundë. Thashë “mjaft”, sepse nuk doja më. Nuk mund ta mbaroja ndeshjen pas grushtit në hundë, kështu që ishte më mirë t’i jepja fund”.
Ajo tregoi se ndihej e copëtuar, sepse ishte luftëtare dhe kështu e kanë mësuar.

“Gjithmonë e kam përfaqësuar vendin tim me besnikëri. Këtë herë, nuk ia dola sepse nuk munda të luftoja më. Pavarësisht nga personi përballë, apo nga rrethanat, doja vetëm të fitoja. Doja të përballesha me personin që kisha përballë dhe të luftoja. Për mua nuk është humbje. Për mua, nëse hyn në ring, ke fituar, pavarësisht nga gjithçka tjetër. Unë nuk jam këtu për të gjykuar. Nuk më takon mua të them nëse është e drejtë apo e padrejtë. Unë bëra punën time dhe u largova me kokën lart. Jam një grua e pjekur; kur ndiej se nuk mundem të vazhdoj, nuk dorëzohem, por kam dinjitetin të them “mjaft”. Isha e bindur se do të fitoja, isha e përqendruar dhe e qetë. Por këto goditje në hundë të dhembin”.
Ndërsa vetë Khelif foli shkurtimisht, duke thënë:
“Unë jam këtu për arin”, referuar medaljes së artë. “Unë do luftoj me këdë, do i luftoj të gjithë”.
Për ndeshjen pati reagime të shumta, në rrjet e nga persona publikë. Reem Alsalem, raportuese speciale e OKB për dhunën ndaj vajzave dhe grave, shprehu shqetësimin e saj, duke thënë: “Angela Carini, me të drejtë, ndoqi instinktet e saj dhe i dha përparësi sigurisë së saj fizike. Por, ajo dhe atletet e tjera gra nuk duhet të jenë të ekspozuara ndaj kësaj dhune fizike dhe psikologjike, bazuar në gjininë e tyre”, tha ajo në X.
Kryeministrja italiane, Giorgia Meloni, tha: “Unë mendoj se atletet që kanë karakteristika gjenetike mashkullore nuk duhen të pranohen në garat e grave. Nga këndvështrimi im, nuk është një garë e barabartë”.

Komiteti Olimpik u kritikua për lejimin e Imane Khelif (Algjeria) dhe Lin Yu-ting (Tajvani) në garimin e kategorisë për femra. Ato nuk i kaluan testet e testosteronit dhe përshtatshmërisë gjinore. Khelif u skualifikua nga Kampionati Botëror në New Delhi disa orë para ndeshjes për medaljen e artë, pasi nuk arriti të përmbushte kriteret e pranimit në Shoqatën Ndërkombëtare të Boksit (IBA).
Ndërkohë Lin Yu-ting do të ndeshet me Sitora Turdibekova (Uzbekistani) në garën deri në 57kg.
Komiteti Olimpik ka bërë një reagim ndaj kritikave, duke thënë se përderisa sportistet janë gra në pasaportat e tyre, duhet të jenë në këtë kategori. Ndërsa Komiteti Olimpik i Algjerisë (COA) dënoi sulmet “e pabaza” ndaj Khelif.
“COA dënon fuqishëm shënjestrimin dhe keqpërdorimin joetik të sportises sonë të nderuar, Imane Khelif, me propagandë të pabazë nga disa media të huaja. Sulme të tilla ndaj personalitetit dhe dinjitetit të saj janë thellësisht të padrejta, veçanërisht kur ajo përgatitet për kulmin e karrierës së saj në Lojërat Olimpike. COA ka marrë të gjitha masat e nevojshme për të mbrojtur kampionen tonë”, u shprehën në një deklaratë.
Artikuj të sugjeruar: