
Për Kendall Jenner, të qenit modele me sa duket nuk është gjithçka që ajo ka dashur apo ëndërruar në jetë. Për Jenner ka qenë e kundërta e asaj që ne mendojmë: Pasarela, shumë festa e miqësi me VIP-a; përkundrazi. Ajo shprehet se modelingu i ka hapur dyert për vetminë dhe probleme të shëndetit mendor.
“Nuk jam këtu për të thënë se kam pasur një rrugëtim shumë të vështirë, edhe pse kam qenë një vajzë me fat,” tha Kendall për podkastin “Anything Goes with Emma Chamberlain”. “Unë kam pasur shumë sfida të miat, përtej faktit se punoja shumë apo nuk isha e angazhuar në fushata të ndryshme modelingu për një kohë të gjatë", vijoi ajo.
Pavarësisht se modelingu i ka mundësuar udhëtime në çdo cep të botës dhe kjo mund të duket si ëndërr për çdo vajzë të re, për Jenner kjo ka sjellë edhe shumë ndjesi vetmie, duke qenë larg familjes për një kohë të gjatë.

“Kam pasur net vërtet të vështira, kur gjendesha në qytete të ndryshme për shkak të punës dhe thjesht më zinte gjumi duke qarë me dënesë. Nuk kisha parë familjen time prej tre muajsh dhe thjesht ndihesha vetëm gjatë gjithë kohës,” shtoi Jenner.
"Ka pasur shumë momente të caktuara kur kam thënë: "Çfarë po ndodh, a ia vlen e gjithë kjo?"
Për t’ia dalë mbanë me këtë betejë të vazhdueshme me vetminë, supermodelja tha ka zgjedhur që të shtojë disa gjëra të reja në stilin e jetës, si shëtitjet më të gjata, qëndrimi më pak orë në internet, më pak orë punë etj.
Përtej kësaj, për Kendall modelingu ka qenë një mundësi fantastike për të parë botën dhe për të takuar njerëz të ndryshëm.
“Është me të vërtetë diçka e bukur të jesh në gjendje të udhëtosh botën siç kam bërë unë. Ndoshta nuk do të kisha udhëtuar kurrë kaq shumë. Kam takuar shumë njerëz të mrekullueshëm, ndaj jam shumë mirënjohëse për përvojën time.”
Artikuj të sugjeruar:
Burimi: Instyle