Tom Craig, sportisti australian në disiplinën e hokej, u kap nga policia franceze duke blerë kokainë. Ai kërkoi ndjesë pasi u largua nga paraburgimi në Paris, vetëm me një paralajmërim, pa dënim apo gjobë.
Zyra e prokurorisë së Parisit bëri me dije se gjatë ditës së martë, një person u arrestua në mbrëmje, pasi u kap duke blerë kokainë në Fshatin Olimpik. Rezultoi që personi në fjalë ishte pikërisht Craig.
Sportisti kërkoi falje, duke u shprehur:
“Së pari, do të doja të kërkoja falje për atë që ka ndodhur në 24 orët e fundit. Bëra një gabim të tmerrshëm! Unë marr përgjegjësinë e plotë për veprimet e mia, të cilat janë vetëm të miat dhe në asnjë mënyrë nuk përfaqësojnë vlerat e familjes sime, shokëve të skuadrës, miqve të mi, sportit që bëj dhe ekipit olimpik të Australisë. Ju kam vënë në siklet të gjithëve. Më vjen vërtet keq”.
Craig, 28 vjeç, ka bërë mbi 100 paraqitje për të përfaqësuar Australinë dhe ka fituar medaljen e artë në Lojërat Olimpike Tokio 2020. Ndërkohë, shefja e misionit të Australisë, Anna Meares, u shpreh se ishte e kënaqur që Craig u lirua, por tha se vendimi i tij kishte pasoja.
“Ai është një njeri i mirë që mori një vendim të gabuar, por për vendime të tilla, ka pasoja. Ai kërkoi falje, tregoi pendesë, e pranoi gabimin dhe ne do ta mbështesim nëse i duhet ndihmë”, u shpreh Meares, duke shtuar se sportisti është larguar nga Fshati Olimpik dhe nuk do të konkurrojë më.
Para arrestimit të sportistit, prokuroria u shpreh: “Policët dëshmuan një këmbim kokaine në një pallat në lagjen e 9-të të Parisit, në mbrëmjen e 6 gushtit. Ata kapën shitësin, i lindur në dhjetor 2006 dhe blerësin, i lindur në shtator 1995 në Australi. Thuhet se ai është anëtar i ekipit australian të hokejit. Duke pasur parasysh sasinë e substancës së sekuestruar nga shitësi, hetimi i është besuar policisë kundër drogës”.
Artikuj të sugjeruar:
- Lojërat Olimpike Paris 2024: Çifti i tenistëve fiton medaljen e artë, pasi njoftoi ndarjen
- Lojërat Olimpike Paris 2024: Sportisti skualifikohet për faj të *penisit të madh*
- Vetëm Lojërat Olimpike në Paris mund të rikthenin në publik Eva Mendes & Ryan Gosling
- Luiza Gega nuk arrin të kualifikohet në finalen e Lojërave Olimpike Paris 2024