Mendo për herën e fundit kur dikush të tha se vërtet i pëlqejnë idetë e tua apo mënyra se si sillesh me të tjerët. Tani, mendo për herën e fundit kur dikush të komplimentoi për bluzën e bukur ose për flokët që duken mirë. Cili kompliment të dha më shumë energji pozitive?
Komplimentet janë një mënyrë e thjeshtë për të rritur energjinë pozitive rreth nesh, por shpesh ndodh që të biem në "grackën” e komplimenteve që përqendrohen në pamjen fizike dhe jo në cilësitë e brendshme të një personi.
Për më tepër, nuk mund të dihet se çfarë lloj shqetësimesh apo pasigurish përjeton dikush lidhur me pamjen e tij fizike – edhe një vërejtje e vogël mund të shkaktojë ankth tek një individ që ka probleme me vetëvlerësimin.
Në fund të fundit, a nuk është koha që të ndalojmë së vlerësuari kaq shumë pamjen e jashtme dhe të përqendrohemi më shumë te cilësitë që e bëjnë një person të bukur, si mirësia, bujaria apo pozitiviteti? Ja 10 komplimente që rrisin energjinë pozitive dhe përhapin gëzim, pa qenë nevoja të bëni komente të panevojshme për pamjen e dikujt.
1. Je një dëgjues/e i/e mirë
Kur njerëzit përpiqen të dëgjojnë atë që ke për të thënë, tregoji se e vlerëson këtë përpjekje. Shumica përballen me stresin dhe ankthin e tyre, dhe mund të jetë e vështirë të krijojnë hapësirë për shqetësimet e të tjerëve. Kur dikush tregon sadopak vëmendje për të dëgjuar atë që ke për të thënë, mos nguro t’i bësh një kompliment për këtë cilësi.
2. Pasioni yt është frymëzues
Edhe nëse interesat e tua ndryshojnë nga ato të një individi, mund të admirosh ende pasionin me të cilin dikush flet për një temë të caktuar, aq shumë sa që pasioni i tyre mund të ndezë një zjarr brenda teje dhe të të shtyjë edhe ty të eksplorosh dëshirat e tua. Duke i treguar dikujt se pasioni i tij është frymëzues, do ta inkurajosh të vazhdojë të ndjekë ëndrrat e tij.
3. Forca dhe durimi yt janë për t’u admiruar
Kur sheh që dikush ka kapërcyer sfida dhe ka arritur në një vend më të qetë dhe të qëndrueshëm, përgëzoje! Duke i kujtuar dikujt se sa forcë ka treguar për t'i tejkaluar ditët më të vështira, do t’i ndihmosh të ndihen më të fortë dhe më të përgatitur për sfidat e ardhshme.
4. E adhuroj personalitetin tënd
A nuk ke dashur ndonjëherë të vlerësohesh për personalitetin tënd të veçantë? Kur dikush vëren gjërat e vogla, unike rreth teje dhe i gjen të bukura, duket sikur po të shohin për herë të parë.
5. Je origjinal/e
Në një shoqëri të përqendruar te rrjetet sociale dhe përshtatja me të tjerët, mund të jetë një veprim i guximshëm t'i tregosh veten tënde të vërtetë botës. Prandaj, nëse vëren se dikush po qëndron besnik/e ndaj natyrës së tij/saj pa u ndikuar nga ajo çfarë sheh në rrjetet sociale, trego sa e admirueshme është kjo!
6. Ndihem vetvetja kur jam me ty
Kur i tregon dikujt se sa pozitive të duket energjia e tij, ai ndihet i sigurt. Nëse ke një mik/e apo familjar që të bën të ndihesh mirë me praninë e tij – tregoji se ndjehesh vetvetja kur je me të.
7. Ke shije të mirë
Shija është subjektive, por kur dikush ndan me ty interesat e tij, trego se e vlerëson. Nëse të pëlqen stili i veçantë në veshje, apo playlista e muzikës së një personi, mos prit më gjatë për ta komplimentuar. T’i thuash dikujt se ka shije të mirë është një rritës i menjëhershëm i vetëbesimit.
8. Ti je shumë krijues/e
Edhe artisti/ja më me përvojë pëlqen të dëgjojë se mendja e tij/saj është krijuese. Kur sheh se dikush i ka kushtuar kohë dhe përpjekje një projekti krijues, komplimentoje për artin e tij/saj.
9. Humori yt më bën gjithmonë të qesh
Një nga përvojat më të bukura në jetë është gëzimi i të qeshurit dhe kur dikush të bën të qeshësh, është diçka e mrekullueshme. Nëse njeh dikë që gjithmonë të bën të buzëqeshësh, tregoji sa e vlerëson humorin e tij/saj.
10. Je shumë pozitiv/e
Kur dikush bën më të mirën për të qenë sa më pozitiv/e, meriton t'i thuash se sa shumë e vlerëson këtë prej tij/saj. Duke i thënë dikujt se pozitiviteti është ndihmues për të tjerët, do ta inkurajosh të vazhdojë të jetë i/e tillë.
Ji vëzhgues/e, kushtoji rëndësi gjërave të vogla të njerëzve përreth teje dhe vlerësoji ata për atë që janë, jo për mënyrën sesi duken. Përtej pamjes së jashtme, është bukuria që ndodhet brenda secilit ajo që ka edhe më shumë fuqi.
Artikuj të sugjeruar: