Sport

Imane Khalif padit Elon Musk, Donald Trump & J.K Rowling (dhe persona të tjerë)

Shkruar nga Anabel

15 Gusht 2024

Imane Khalif padit Elon Musk, Donald Trump & J.K Rowling (dhe persona

Imane Khalif ka ngritur një padi kundrejt sulmeve dhe bullizimit online që iu bë pasi mori pjesë në Lojërat Olimpike Paris 2024, ku fitoi medaljen e artë në disiplinën e boksit. Pas ndeshjes me boksieren italiane Angela Carini, e cila u dorëzua pas 46 sekondash, njerëzit vunë në dyshim identitetin seksual të Imane-s, duke pretenduar se ajo është transgjinore.

Khelif u bë subjekti i ri i internetit, i cili diskutoi aq shumë për seksualitetin dhe “përparësinë e saj fizike”. Khelif, nga ana tjetër, i dha Algjerisë një medalje të artë në boks, duke rikthyer kështu vëmendjen te ky sport. Për herë të fundit, Algjeria e kishte fituar një medalje të artë në vitin 1996.

Gjatë ditës së mërkurë (14 korrik 2024), avokati i saj, Nabil Boudi, u shpreh se është ngritur një padi për “sulmet në rrjetet sociale”. Padia është ngritur në Paris dhe në të përfshihen emra si Elon Musk dhe J.K Rowling. Ish-CEO i X dhe shkrimtarja e sagës “Harry Potter” akuzohen për sulme online mizogjene, raciste dhe seksiste. “Kjo garanton që prokuroria do të gëzojë të gjithë lirinë për të hetuar kundrejt gjithë këtyre njerëzve, përfshirë edhe ata që kanë dërguar dhe shkruar mesazhe urrejtjeje dhe kanë vendosur nofka”, u shpreh avokati.

Imane Khalif padit Elon Musk, Donald Trump & J.K Rowling (dhe persona

Avokati shtoi se në padi përmendeshin shumë persona, ndër ta edhe Elon Musk, J.K. Rowling dhe Donald Trump. “Trump postoi në X, kështu që edhe nëse nuk do të përmendej nga padia jonë, në mënyrë të pashmangshme do të jetë nën hetim nga prokuroria”.

Khelif u përball me shumë akuza mbi një tranzicion të pretenduar gjinor, sidomos kur u zbulua se ajo nuk mund të garonte në Kampionatin Botëror të Boksit në vitin 2023, pasi nuk kishte kaluar testin e përshtatshmërisë gjinore, i administratuar nga International Boxing Association (IBA). Komiteti Olimpik i kundërshtoi akuzat, duke thënë se në dokumentacion, Imane Khelif është grua dhe si e tillë do të trajtohet. Komiteti Olimpik u shpreh: “Shkencërisht, nuk është një burrë që lufton një grua”, si dhe mori masa për përjashtimin e International Boxing Association, për shkak të akuzave si korrupsion, mungesë transparence në lidhje me financat dhe qeverisjen.

Imane Khalif padit Elon Musk, Donald Trump & J.K Rowling (dhe persona

Në një postim të publikuar në X, Rowling publikoi një foto nga ndeshja e Imane me Angela-n, ku shkroi: “Buzëqeshja e një burri që e di se është i mbrojtur nga një institucion sportiv mizogjen, i cili shijon shqetësimin e një gruaje që sapo është goditur me një grusht në kokë. Ambicia e jetës së saj sapo është shkatërruar”. Në një tjetër postim ajo u shpreh se nuk po pretendon se Khelif është transgjinore, por kundërshtimi i saj përkoi me dhunën e burrave ndaj grave, e cila po bëhet tanimë një “sport olimpik”.

Musk gjithashtu u shpreh se “burrat nuk duhet t’u përkasin sporteve të grave”, ndërsa Trump përfitoi nga situata për ta kthyer rastin në një fushatë politike. Ai publikoi një fragment nga ndeshja dhe u shpreh: “Unë do t’i mbaj burrat larg sporteve të grave”.

Avokati i Imane tha për Variety se po kërkojnë që prokuroria të hetojë jo vetëm njerëzit që përmenden në padi, por këdo që e ndien të nevojshme. “Nëse çështja shkon në gjykatë, ne do të dalim në gjyq”, u shpreh ai.

Pedro Diaz, trajneri i boksieres algjeriane, u shpreh se presioni që ajo duroi gjatë Lojërave Olimpike Paris 2024 ndikoi shumë jo vetëm tek ajo, por tek të gjithë njerëzit rreth saj. “Herën e parë që ajo garoi në Olimpiadë, pati një stuhi të çmendur jashtë ringut. Nuk kisha parë kurrë diçka kaq të neveritshme”, u shpreh ai.

Imane Khalif padit Elon Musk, Donald Trump & J.K Rowling (dhe persona

Në përfundimin e Lojërave Olimpike, Imane Khelif fitoi kundrejt Yang Li (Kinë) dhe u shpreh: “Jam plotësisht e kualifikuar për të garuar. Unë jam një grua si çdo grua tjetër. Kam lindur grua, kam jetuar si grua, kam konkurruar si grua dhe nuk ka asnjë dyshim për këtë”, duke shtuar se gjithë zërat që qarkulluan i dhanë një shije më të mirë suksesit të saj.

Artikuj të sugjeruar: