Eva Buzo është atletja e parë grua që përshkon me not kanalin e Otrantos. Avokatja me origjinë shqiptare, këtë herë ia doli të mbarojë me sukses sfidën e saj, duke notuar për orë të tëra dhe përshkuar 92 km.
Viktor Koçaj, shoqëruesi i Evës gjatë këtij rrugëtimi emocionues, u shpreh:
“Ajo është nisur rreth orës 18:30 të darkës. Parmbrëmë në darkë (17 gusht 2024) dhe ka mbërritur sot në mëngjes, në orën 5 e ca minuta (19 gusht 2024). U nisëm nga San Focca dhe mbërritëm këtu, mes gjirit të Gramës dhe gjirit të Varkave, siç e njohim ne”.
Ai shtoi se Evën e shoqëruan edhe delfinë në këtë udhëtim.
Eva nuk mundi të flasë për shkak të kalcifikimit të gojës nga kripa, por gjendja e saj shëndetësore është e mirë. Notarja ka bërë vetëm disa ndalesa për të pirë ujë dhe ka ruajtur një ritëm të qëndrueshëm noti.
View this post on Instagram
Sherif Dyrmishaj, peshkatar dhe shoqërues i Evës në këtë sfidë të jashtëzakonshme tha:
“Urime Evës, jam pa fjalë. Eva hyri në historinë e detit në një mënyrë më fisnike duke sakrifikuar veten e saj. Kalimi i kanalit të Otrantos, pas një dështimi të një viti më parë, do të themi e betonozoi emrin e Evës në një nga shkëmbinjtë e Karaburunit. Unë do të thoja që ta quanim ‘Shkëmbi i Evës’ atë shkëmb ku Eva kapi për herë të parë kapi tokën shqiptare. Eva ka bërë mbi 50 e ca milje”.
Eva Buzo është avokate në Australi. Ajo ka qenë një zë i fortë për problematikat sociale që lidhen me të drejtat e njeriut. Eva ka punuar në Afrikën Lindore dhe Azinë Jugore, në organziata të mirënjohura si “Save the Children” dhe “World Wision”.
Eva e ka ndërmarrë edhe më parë këtë sfidë të vështirë, para një viti, por e ndërpreu për shkak të ndërlikimeve shëndetësore.