Ismail Kadare është pa diskutim një ndër kolosët e letërsisë shqipe, ndaj është mëse e pritshme që krijimtaria e tij të cilësohet si një thesar dhe krenari kombëtare. Tanimë, ato do të ruhen në një pavion të veçantë në Arkivin e Shtetit.
Përmes një postimi në rrjetet sociale, kryeministri Edi Rama, bëri me dije se familjarët e shkrimtarit të ndjerë kanë dorëzuar të gjitha shkrimet, skicat, dorëshkrimet, draftet fillestare të punimeve të Kadaresë, si dhe veprat e pabotuara pranë Drejtorisë së Përgjithshme të Arkivave.
“Fondi i vyer i veprimtarisë letrare të shkrimtarit të madh Ismail Kadare do të ruhet në një pavion të veçantë të Drejtorisë së Përgjithshme të Arkivave. Familjarët e shkrimtarit të madh kanë dorëzuar për ruajtje, administrim, restaurim dhe digjitalizim të gjithë koleksionin e tij letrar përfshirë dorëshkrime, skica idesh, dorëshkrime të veprave të pabotuara, si dhe drafte fillestare të punimeve të tij”, u shpreh ai.
Ismail Kadare ndërroi jetë më 1 korrik 2024, në moshën 88-vjeçare.
Ismail Kadare ka lindur në Gjirokastër, më 28 janar 1936 dhe është akademik, politikan dhe një ndër shkrimtarët më të mëdhenj bashkëkohor të letërsisë shqipe. Ndonëse shquhet për prozën, sërish kontributi i tij është i madh edhe në poezi, dramë e përkthime. Poezia ishte një pasion i hershëm i tij, pasi ka krijuar vargje qysh prej rinisë dhe më pas, eksperimentoi me prozën, duke u bërë një prej prozatorëve më të njohur shqiptarë.
Veprat e Kadaresë kanë një rëndësi të veçantë, pasi janë përkthyer në rreth 45 gjuhë të ndryshme dhe është autori që na ka prezantuar denjësisht në botë. Ai u bë anëtar i përhershëm i Akademisë së Shkencave Morale dhe Politike në vitin 1996; është nderuar me çmime ndërkombëtare, si dhe është nominuar disa herë për çmimin Nobel.
Artikuj të sugjeruar:
- Helena flet për të ndjerin Ismail Kadare: “Akoma nuk e kuptoj që nuk është më”
- Të bijat e Ismail Kadaresë flasin për shkrimtarin e ndjerë: “Ishte krejt i veçantë”
- Edi Rama shpjegon “praninë” e Nënë Terezës në homazhet për Ismail Kadarenë
- Lamtumirë Ismail Kadare! Homazhet në nder të shkrimtarit të ndjerë
- Kosova shpall ditë zie 3 korrikun në nder të Ismail Kadaresë
- Botuesi tregon momentet e fundit të Ismail Kadaresë:
- 2 dhe 3 korriku shpallen ditë zie në nder të shkrimtarit Ismail Kadare
- VIP-at reagojnë për ndarjen nga jeta të shkrimtarit Ismail Kadare