Grupi i famshëm Oasis ka njoftuar se do të ribashkohet në një turne madhështor, i cili do të organizohet në 14 dita në Mbretërinë e Bashkuar dhe Irlandë. Turneu do të zhvillohet në vitin 2025. Gjithashtu, do të kenë edhe disa koncerte në stadiumet e Londrës, Mançesterit, Ediburgut dhe Dublinit. Biletat do të dalin në shitje më 31 gusht, që në orën 9:00 të mëngjesit.
Njerëzit dhe fansat e grupit, ndonëse nuk shpresonin për një rikthim, u shprehën të emocionuar dhe të surprizuar nga ky ribashkim. “Kam pritur 25 vjet për këtë moment!”; “Oasis janë thjesht të mrekullueshëm! Jam shumë i lumtur”; “O Zot, magjiiikee”; “Ok, bota po shërohet! Oasis, mezi pres të dëgjoj “Wonderwall”; “Një ndër grupet e mia të preferuara! O Zot, s’mund ta besoj” ishin disa nga komentet në rrjetet sociale.
Turneu do të zhvillohet plot 16 vjet pas ndarjes së grupit, ku Noel Gallagher u largua në mënyrë të beftë pas një shfaqjeje në një festival në Francë dhe 30 vjet nga publikimi i albumit të dytë dhe më të shiturit, “What’s the Story: Morning Glory?”, i publikuar në vitin 1995. Vëllezërit, Liam dhe Noel Gallagher, u grindën ashpër dhe grupi u nda.
Por, tanimë që ka ndodhur ribashkimi, u shpjegua se në fakt, nuk ka ndodhur ndonjë moment zbulimi që solli ribashkimin, thjesht u kuptua gradualisht se tanimë ishte momenti i duhur për të risjellë në jetë Oasis.
Në deklaratën e grupit, thuhet: “Armët janë heshtur. Yjet janë rreshtuar. Pritja e madhe mori fund. Eja dhe shiko! Nuk do të transmetohet në televizion”, referuar turneut. Formacioni i bandës muzikore nuk është konfirmuar ende (përpos vëllezërve) dhe thuhet se grupi nuk e ka në plan të rihyjë në studion e regjistrimit për të bërë këngë të reja.
The guns have fallen silent.
— Oasis (@oasis) August 27, 2024
The stars have aligned.
The great wait is over.
Come see.
It will not be televised. pic.twitter.com/FaELtNlVMh
Gjatë ditëve të fundit, vëllezërit Gallagher kishin bërë ca postime në rrjetet sociale, të cilat paralajmëronin një rikthim të mundshëm. Ata publikuan logon e Oasis dhe disa klipe.
Oasis janë një grup rock-u anglez, i krijuar në vitin 1991 në Mançester. Grupi u krijua nga Liam Gallagher (vokalist), Paul Arthurs (kitarist), Paul McGuigan (në bass) dhe Tony McCarroll (bateri). Më pas, Liam i kërkoi të vëllait, Noel-it që të bëhej pjesë e bandës, si anëtari i pestë. Noel u kthye në liderin e grupit dhe mori edhe detyrat e krijimit të teksteve për katër albumet e grupit.