The Weeknd ka bërë të ditur se albumi i tij i ardhshëm, i fundit në trilogjinë që filloi me “After Hours” dhe vazhdoi me “Dawn FM,” do të titullohet “Hurry Up Tomorrow”. Njoftimi është shoqëruar me një seri deklaratash, të mbushura me referenca nga këngët e tij, ndërsa sfondi muzikor përfshin tinguj dramatikë.
View this post on Instagram
“Kjo ditë më është dukur si një rrotullim i pafund,” shkruhet në deklaratë. “Vazhdoj të shtrembëroj të vërtetën, imun ndaj marramendjes, i mpirë nga të përzierat. Ajo që qëndron poshtë - bërtet në heshtje. Shikoj në pasqyrë dhe ndihem si i vjetër ashtu edhe i ri, i mbërthyer në harresë dhe i paaftë për të lëvizur. Ende nuk jam përballur me veten…Ajo që dikur më bënte të pathyeshëm, më nxorri dështak në skenën botërore. Një traumë e re u shfaq. Kur të mbarojë kjo ditë, do të zbuloj kush jam”, thuhej në video dhe më pas, “HURRY UP TOMORROW.”
Deklarata vazhdon: “Ky album përfaqëson kulmin krijues të projektit, duke shërbyer si kapitulli i tretë dhe i fundit, i ndërtuar me tema ekzistenciale dhe vetëreferuese, siç shihet në teaser-at e fundit që kanë ndezur fansat në pritje për këtë kapitull përfundimtar”.
Ende nuk është caktuar një datë publikimi për albumin. Të shtunën, The Weeknd do të mbajë një koncert të veçantë në Estádio Morumbi në São Paulo, Brazil, që do të transmetohet drejtpërdrejt në YouTube.
Gjithashtu, The Weeknd do të dhurojë 10% të të ardhurave neto nga shitjet në event dhe online për “Brazilian Soul Fund” të “BrazilFoundation”, që mbështet komunitetet e prekura nga fatkeqësitë natyrore dhe vështirësitë ekonomike në jug të Brazilit.
The Weeknd nisi këtë kapitull të ri në korrik me një video mbi një minutë të gjatë, të postuar në Instagram-in e tij, që përfshin një seri të imazheve të ngjashme me ëndrra nga katër vitet e fundit të karrierës së tij muzikore.
Aty shfaqeshin makina sportive, elemente të pokerit, kostumi i kuq dhe syzet ikonike që The Weeknd mbante në videoklipin e “Blinding Lights” dhe në videoklipet e tjera nga albumi “After Hours” i vitit 2020. Më tej, kalon në imazhin e burrit të moshuar nga “Dawn FM,” dhe karakteret e mbuluara me kapuç nga turneu i tij “After Hours Til the Dawn.”
Më pas, shtohen elementë të rinj: Një karakter, ndoshta një manekin, me një maskë që duket shumë si fytyra e tij (ai ka mbajtur shumë maska gjatë turneut) dhe në përfundim, një karakter që duket si ai në moshë të vogël, i rrethuar nga një turmë manekinësh të bardhë që përpiqen ta prekin.