
Në vitin 1986, në mesin e një klase baleti, princeshë Diana u ul në tokë, me sytë mbushur me lot. Ajo u rrëfye para mësueses së saj të kërcimit, Anne Allan, duke thënë se nuk dinte ç’të bënte dhe se ishte në dijeni se Charles po takohej me Camilla-n.

“Duket se nuk mund të bëj asgjë në mënyrë të saktë kur bëhet fjalë për tim shoq. Unë e dua shumë dhe dua që ai të jetë krenar për mua, por nuk mendoj se kjo është reciproke. Nuk e kuptoj pse nuk jam e mjaftueshme për të. Mendoj se ai preferon një grua më të madhe në moshë. E di që po takohet prapë me Camilla-n”, shkruhet në librin me kujtime “Dancing with Diana”, nga Anne Allen.
Diana nisi të bënte kurse kërcimi me Allan një javë pas dasmës së saj përrallore me Charles, më 29 korrik 1981. Princesha dhe mësuesja u bënë mike të ngushta dhe Di i rrëfeu jo pak herë zemërthyerjet dhe palumturinë e saj.

“Pse ai nuk më do? S’e kuptoj, vërtet. Kam provuar gjithçka. Kam provuar të bie dakord me dëshirat e tij, edhe pse nuk i aprovoj gjithnjë. Mes nesh nuk ka afrimitet dhe unë jam gjithnjë e vetmuar. Thjesht dua të më duan. S’vazhdoj dot më kështu. Ata presin nga unë që të mos them asgjë dhe të vazhdoj. Si mund ta bëj këtë?”, kujton Allan, e cila shton se Charles nuk ishte i lumtur me pasionin e gruas së tij për kërcimin.
Ajo gjithashtu kujton një episod, në të cilin Diana kërkonte aprovimin e Charles. “Ajo shkoi te Charles dhe qëndroi pranë tij. Mund ta ndieja që ajo në mënyrë të dëshpëruar kërkonte aprovimin e tij. Ai tha: “Shumë mirë, zemër” dhe u kthye për të folur me dikë tjetër. E ndjeva mosdakordësinë e tij dhe m’u ndrydh zemra”.

Miqësia e Diana-s me Anne ishte goxha e fortë. Në vitin 1987, Diana u shokua nga vdekja e truprojës dhe të dashurit të saj, Barry Mannakee, i cili ndërroi jetë në një aksident me motor. Diana e përshkroi Mannakee si “dashurinë më të madhe”, sipas edhe regjistrimeve që dolën në dritë. Pasi Mannakee ndërroi jetë, Diana i tha Anne se ajo dhe Charles jetonin jetë të ndara.

“Gjithçka që dua nga Charles është që të më dojë. Ka veç zbrazëti tani. Ai shkon te Camilla sa herë që ka mundësi. Kjo s’është ajo që dua. Unë dua që martesa të funksionojë, por nuk mundem tani. Duhet të kapem te shpresa se mos do të ndryshojë?”, kishte pyetur princesha.
Kur Allan e pyeti se si mund të jetojë pa seks, Diana ishte skuqur dhe kishte thënë se kishte takuar kurrë njeri që ta bënte të ndihej më mirë se kurrë me veten. Më vonë u zbulua se ajo ishte në një romancë me Maj. James Hewitt, në vitin 1986.

“U lumturova që dikush po kujdesej, po i jepte dashuri në një mënyrë të ëmbël, edhe pse isha e shqetësuar se mund ta lëndonte atë, nëse merrej vesh”, tha Allan.
Allan shkruan në libër një tjetër fragment nga Diana, e cila “ra” në dysheme duke qarë me dënesë, pasi ishte në një situatë të padurueshme. Diana nuk e kishte parë të shoqin për javë të tëra.
“Diana dëshironte që Charles të ishte me të dhe ta donte. Edhe pse ajo, në atë pikë kishte raportet e saj romantike, Charles ishte burri që dëshironte dhe kjo i shkaktonte agoni”, thotë Allan.
Diana gjithashtu rrëfeu se vuante nga bulimia* dhe se kishte turp ta tregonte diçka të tillë. “E kuptova se pallati ishte i shqetësuar dhe ishte në dijeni, ose të paktën dyshonte për problemin. Sa më shumë e mendoja, aq më shumë inat ndieja. Nëse ata e dinin, a i kishte ofruar dikush ndihmë dhe kujdes? Nuk më dukej sikur po. A e kishin neglizhuar këtë sëmundje dhe shenjat e dobësisë, duke mos e kuptuar gjendjen mendore të Diana-s?”.
*Bulimia - çregullim psikologjik i të ngrënit, që karakterizohet me intervale të të ngrënit të pakontrolluar, zakonisht me sasi të mëdha ushqimi, pasuar nga metoda joadekuate për të hequr qafe ushqimin e konsumuar (të vjella dhe marrje e laksativëve), në përpjekje për kontrollim të peshës. Merakosja e tepruar për formën dhe peshën janë gjithashtu karakteristika të bulimisë.
Bulimia e Diana-s u bë edhe më problematike, duke e lënë Allan edhe me më shumë pikëpyetje dhe inat. “A mendoi Charles se kjo ishte një sjellje e pranueshme dhe se Diana do të kthente shpinën dhe thjesht do të vijonte? A ishte ai i lehtësuar që e shoqja kishte raportet e veta romantike? A ndikoi kjo tek ai? Nuk duket se po”, shkruan Allan në librin e saj me kujtime.
Allan shkruan gjithashtu për një gjest romantik që Diana mendoi: Një piknik me Charles. Kur ai pa tavolinën e piknikut, lëshoi dorën e saj dhe i tha: “Nuk ha jashtë. Thuaji shërbëtorit t’i marrë gjërat”. “Në atë moment, një pjesë nga Diana vdiq. Qëllimet e saj të dashura u shkatërruan nga ca fjalë të forta”.

Në librin “Dancing with Diana” shkruhet edhe për momentin kur Diana foli me Camilla-n, pasi ishte e shqetësuar që ta linte Charles vetëm në festën e ditëlindjes së motrës së Camilla-s, Annabel Elliot. Allan shkruan:
“Camilla bëri një koment të çuditshëm: “Ti ke gjithçka në botë. Burra që bien në dashuri me ty dhe dy fëmijë të bukur. Çfarë do më shumë?”. Diana u përgjigj: “Dua burrin tim!”. Më tej, ajo kujton se Diana i tha se Charles ndihej fajtor dhe se gjatë rrugës për në shtëpi, u tregua shumë i dashur me të.
Hera e fundit që mikeshat folën, ishte pas vdekjes së babait të Diana-s, Earl Spencer, në mars të vitit 1992, kur edhe Diana dhe Charles u ndanë zyrtarisht. Ata u divorcuan në gusht të 1996-ës. Allan thotë se mbeti e ngrirë pas vdekjes së Diana-s në një aksident automobilistik në Paris, në vitin 1997.
“Në mësimet tona, Diana ishte veç vetvetja. Ajo e lejoi dritën brenda saj që të digjej edhe më fort dhe ishte një nder i jashtëzakonshëm për mua që të isha pjesë e kësaj”, përfundon Allan.
Artikuj të sugjeruar: