2024-a nuk është vetëm “viti i karmës”, por edhe “viti i ndarjeve”. Gjatë këtij viti, shumë personazhe VIP u kanë dhënë fund romancave të tyre, duke shokuar publikun.
Më poshtë, të rikujtojmë disa prej tyre:
Enada Hoxha dhe Gerd Vaso
Rishtazi, përflitet për një ndarje mes Enada Hoxhës dhe Gerd Vasos. Vërdallë thuhet se balerinët i kanë dhënë fund martesës së tyre. Ata ishin të martuar prej vitesh dhe janë njohur që në periudhën kur ishin në shkollë, gjithashtu, janë prindër të një djali 16-vjeçar, Roan.
Burime për Anabel.al e konfirmuan lajmin. Ndonëse arsyet e ndarjes (së mundshme) ende nuk dihen, në disa media është supozuar se balerini e ka tradhtuar bashkëshorten në mënyrë të përsëritur. Thuhet edhe se ata nuk jetojnë më bashkë.
Monika Kryemadhi dhe Ilir Meta
Në qershor, Ilir Meta, publikisht pranoi se ai dhe Monika Kryemadhi kanë nisur procedurat e divorcit. “Znj. Monika Kryemadhi është tashmë ish-bashkëshortja ime dhe sot kam ndjekur edhe rrugën juridike për këtë çështje. Kam njoftuar edhe djalin tim, Besar Ilir Meta”, u shpreh ish-presidenti.
Më tej, ish-presidenti u shpreh se martesa e tyre pësoi një krisje të fortë pas djegies së mandateve:
“Marrëdhëniet tona kanë pësuar krisje të fortë që nga vendimi për djegie të mandateve që u morën me sakrificë dhe gjak në betejë të hapur ndaj koalicionit anti-Meta të 17 majit, të prindit 1 dhe 2. Qëndrimet e saj në kah të kundërt me kauzat që unë mbroj duhet të merrnin fund dhe vendimi ynë i jep fund çdo vendimi të panevojshëm. Mirëkuptoj çdo reagim të gjithkujt dhe përgjegjësitë e mia lidhen me qindra njerëz”.
Iliri dhe Monika kanë qenë të martuar që prej tetorit të vitit 1998 dhe kanë 2 vajza dhe një djalë.
Princ Leka dhe Elia Zaharia
Një prej ngjarjeve më shokuese në botën e VIP-ave ka qenë padyshim ajo e divorcit të princit Leka dhe Elia Zaharisë. Ata denoncuan njëri-tjetrin për dhunë, një video qarkulloi online dhe më pas, divorci u finalizua në maj. Më shumë mbi këtë ngjarje, mund të lexoni këtu.
Bes Kallaku dhe Xhensila Myrtezaj
Bes Kallaku dhe Xhensila Myrtezaj përfliteshin prej kohësh për një ndarje, por vetë aktori i humorit e konfirmoi në edicionin e parë të “Ferma VIP”, ku kishte rolin e Agait. Në një darkë me fermerët, Besi u shpreh:
“Kur isha këtë herë në Itali erdhi më mori dikush. Më pyeti se çfarë ke bërë, po fëmijët? Mirë i thashë, gocën e shoh më shpesh, djalin pak më rrallë sepse jetojnë me ish-bashkëshorten. U mërzita sepse njeriu ndodhet me disa situata në jetë që nuk i ka pritur, është pak e vështirë. E rëndësishme është të jenë të mirë. Rëndësi ka që të jenë mirë me shëndet”, u shpreh ai ndër të tjera.
Era Istrefi dhe Amir Rrahmani
Këngëtarja dhe futbollisti u ndanë pa bujë, por sërish, nuk u shpëtuan syve kuriozë. U vu re se prej kohësh ata nuk postonin më foto me njëri-tjetrin në llogaritë përkatëse në rrjetet sociale, si dhe nuk e ndiqnin njëri-tjetrin në Instagram. Më vonë, në një intervistë, Rrahmani pranoi se është beqar.
Sara Hoxha dhe Ledri Vula
Sara dhe Ledri kanë më shumë episode se “100 Vitrinat”. Lajmi për ndarjen e tyre bëri bujë në vitin 2023, por sërish, pati disa zëra se ata u rikthyen dhe i zgjidhën dramat. Megjithatë, me zhvillimet e fundit, ku Ledri është parë në shoqërinë e Rina Zaitit, e cila mendohet se është e dashura e tij e re, me shumë gjasa ai dhe Sara i kanë dhënë fund raportit.
Përfliten si të ndarë – Romeo dhe Heidi
Romeo dhe Heidi janë një prej çifteve që përflitet se janë ndarë. Zërat nisën pas ditëlindjes së Romeos (dhe Donaldit), pasi Heidi nuk e uroi partnerin e saj për ditëlindje. Ende nuk ka një reagim prej dyshes, ndërsa vijojnë të ndiqen në Instagram.
Artikuj të sugjeruar: