
Shikimi i fëmijëve po përkeqësohet gjithnjë e më shumë dhe sipas një studimi të publikuar në “British Journal of Ophthalmology”, 1 në 3 fëmijë vuan nga miopia. Analizat janë kryer në rang global. Studiuesit thonë se izolimi për shkak të pandemisë Covid-19 pati një ndikim negativ në shikimin e fëmijëve, të cilët kaluan më shumë kohë para ekraneve digjitale, sesa duke parë natyrën.
Miopia është kthyer në një shqetësim botëror, pasi sipas këtyre ritmeve, do të prekë edhe më shumë fëmijë deri në vitin 2050, paralajmëron studimi në fjalë. Shifrat më të larta regjistrohen në Azi, ku 85% e fëmijëve japonezë dhe 73% e fëmijëve nga Koreja e Jugut vuajnë nga miopia. Më tej, 40% e fëmijëve me miopi janë regjistruar në Kinë dhe Rusi.

Paraguai dhe Uganda kanë regjistruar shifrat më të ulëta, ku kanë vetëm 1% të fëmijëve të prekur nga miopia. Mbretëria e Bashkuar dhe SHBA kapin shifrat e 15%.
Studimi mbikëqyri kërkimet që përfshijnë më shumë se 5 milionë fëmijë dhe adoleshentë në 50 shtete, në 6 kontinente dhe doli në përfundimin se nga periudha 1990-2023, shifrat e fëmijëve me miopi janë trefishuar. Rritja është “e dukshme” pas pandemisë, shprehen ekspertët.
Miopia, zakonisht, nis gjatë ciklit të parë shkollor dhe ka tendencën që të përkeqësohet, derisa syri ndalon rritjen, e cila ndalon rreth moshës 20 vjeç. Ka edhe faktorë të tjerë që ndikojnë në miopi, si gjenetika, trashëgimia nga prindërit, ekspozimi i gjatë ndaj ekraneve digjitale dhe librave, por edhe vendndodhja dhe shkollimi në vende si Singapori dhe Hong Kong. Në këto vende, fëmijët, të cilët e nisin studimin në moshë të vogël, kalojnë një kohë të gjatë mbi libra, çka mund të tendosë muskujt e syrit dhe të çojë drejt miopisë, thonë studimet.
Në vendet e Afrikës, ku shkolla nis në moshën 6-8 vjeç, miopia është 7 herë me e zakonshme se në vendet aziatike.