
Prokuroria e Milanos ka mbyllur hetimet ndaj Chiara Ferragni-t dhe personave të tjerë të përfshirë në skandalin e kompanisë "Balocco" dhe vezëve të Pashkëve “Dolci Preziosi”.
Përpos protagonistes kryesore në këtë çështje me drejtësinë italiane, hetimet janë mbyllur edhe për Fabio Damato-n, ish-bashkëpunëtorin e saj të ngushtë, Alessandra Balocco-n, pronaren e kompanisë së ëmbëlsirave "Pandoro" dhe Franco Cannillo të “Dolci Preziosi”.

"Chiara beson te pafajësia e saj dhe fakti se gjithçka do të sqarohet së shpejti,” thanë avokatët e influencueses, Giuseppe Iannaccone dhe Marcello Bana, në emër të influencueses.
“Ne besojmë se kjo çështje nuk ka asnjë rëndësi penale dhe se aspektet e diskutueshme tashmë janë trajtuar dhe zgjidhur brenda kompanisë "Agcom". Ne do të nisim diskutimet me prokurorët sa më shpejt të jetë e mundur dhe jemi të bindur në një rezultat pozitiv të kësaj çështjeje.”
Një rikujtesë për çështjen në fjalë:
Historia u bë publike në dhjetor, ku në mediat italiane dolën disa fakte në lidhje me mashtrimin me fushatën e bamirësisë mes Chiara-s dhe kompanisë “Balocco”.
Siç pretendohej në fillim të fushatës, panetonet do të shiteshin në treg me një vlerë 9 euro (ndërkohë që çmimi normal është jo më shumë se 5 euro), ndërsa nga shitja e çdo ëmbëlsire një pjesë do të dhurohej për spitalin në Torino.
Kur skandali u zbulua, autoritetet e krimit ekonomik dhe financiar në Itali, zbuluan se kompania “Balocco” në fakt kishte bërë vetëm një transaksion prej 50 mijë eurosh në llogarinë e spitalit. Kjo ka ndodhur një muaj para se të niste fushata e bashkëpunimit mes Chiara-s dhe kompanisë së ëmbëlsirave.
Artikuj të sugjeruar: