Celebrity

Paris Hilton zbulon çrregullimin që e paska mbajtur sekret për shumë vite

Shkruar nga Anabel

6 Tetor 2024

Paris Hilton zbulon çrregullimin që e paska mbajtur sekret për
FOTO: LEON BENNETT/GETTY

Duket se Paris Hilton ka vendosur të jetë e sinqertë me të gjithë në lidhje me çrregullimin ADHD, për të cilin nuk ka folur kurrë më parë. Në një shkrim për revistën “Teen Vogue”, ajo tregoi se si simptomat e këtij çrregullimi e çuan atë në një institucion edukimi për adoleshentët me probleme në sjellje, në një kohë kur akoma nuk ishte “vulosur” diagnoza e saj.

“Duke u rritur, më thoshin gjithmonë se isha shumë energjike, shumë e hutuar, shumë llafazane, pra shumë në gjithçka,”e nis ajo shkrimin e saj.

Paris thotë se ka kaluar vite duke u ndjerë e keqkuptuar dhe e ndëshkuar për mënyrën se si truri i saj funksiononte.

“Shumë më vonë gjatë jetës zbulova se çfarë po ndodhte në të vërtetë. Është diçka që dikur e mbaja të fshehtë sepse shqetësohesha për mënyrën se si do të perceptohesha nga të tjerët. Por, këto sfida janë vetëm njëra anë e medaljes. Ana tjetër është diçka e bukur: kreativiteti, pasioni dhe një mendje që shkon drejt gjërave të guximshme dhe të papritura," thekson Hilton.

Paris Hilton zbulon çrregullimin që e paska mbajtur sekret për
FOTO: KEVIN MAZUR/GETTY

Për nënën e dy fëmijëve, ADHD nuk është një "kufizim", por " një superfuqi".

"Është arma ime sekrete në një botë që shpesh na kërkon të “luajmë” me letra të hapura."

Ky çrregullim i lejon Hilton-it që të përqendrohet në gjërat që i vlerëson më shumë në jetë, si puna dhe familja e saj.  

Çfarë është çrregullimi ADHD?

Deficiti i vëmendjes dhe çrregullimi hiperaktiv (ADHD) është një çrregullim i shëndetit mendor që mund të shkaktojë nivele mbinormale të sjelljeve hiperaktive dhe impulsive. Njerëzit me ADHD gjithashtu mund të kenë probleme të përqendrojnë vëmendjen në një detyrë të vetme ose të qëndrojnë ulur për periudha të gjata kohore. Të rriturit dhe fëmijët mund të kenë ADHD.

Artikuj të sugjeruar:

 

Burimi: People