
Gratë që kanë sjellë në jetë fëmijë, e dini mirë ndjesinë e atyre ditëve të para pasi janë bërë nëna. Pavarësisht nëse keni pasur lindje natyrale apo cezariane, trupit i duhet kohë për t’u kthyer në gjendjen apo format e mëparshme.
Mjekra obstetre-gjinekologe Alyssa Dweck tregon se janë disa gjëra që nënat nuk duhet t’i bëjnë, sidomos javët e para pasi kanë sjellë një fëmijë në jetë.
#1 Mos e mbingarkoni trupin tuaj
Shmangni së bëri gjëra më shumë se sa mund të përballojë trupi juaj pas lindjes, veçanërisht kur bëhet fjalë për ushtrime ose punë të rënda shtëpie. Për të vendosur muskujt e legenit apo pjesë të tjera të trupit në punë, duhet të bëni disa lëvizje të lehta apo ecje, sipas mjekes Rikki Balwdin.
#2 Mos pini duhan
Ekspozimi i të porsalindurve ndaj tymit është një nga faktorët kryesorë që shkakton ndryshim kardiovaskular te bebet.
#3 Mos i anashkaloni vaktet
Megjithëse jeni të fokusuara kryesisht në ushqyerjen e të porsalindurit tuaj, duhet të keni kujdes për ushqimin, thotë mjekja Carolyn Kuhn. “Një dietë e ekuilibruar është thelbësore gjatë rikuperimit pas lindjes, për nënën, por edhe për vlerat që merr foshnja përmes qumështit të gjirit.”
#4 Mos i injoroni shenjat e depresionit pas lindjes
Javët e para pas lindjes sjellin shumë ndryshime në trup, duke përfshirë ndryshimet hormonale dhe fizike. Shumë gra përjetojnë ndjenja trishtimi, shton mjekja Melanie Lagomichos. Nëse po e përjetoni këtë gjendje, mbështetuni për ndihmë te familjarët, partneri, miqtë etj.
#5 Mos refuzoni ofertat për ndihmë
Kujdesi për një të porsalindur nuk është i lehtë dhe nuk sugjerohet që ta trajtoni vetëm. Kërkoni ndihmë kur të keni nevojë dhe telefononi mjekun/en tuaj nëse keni pyetje apo shqetësime.
#6 Mos e neglizhoni kujdesin për veten
Kur keni një të porsalindur, dita dhe nata juaj merr tjetër drejtim. Nga e qara e bebit, te ndërrimi i pelenave, ushqyerja etj, ju bëjnë të ndiheni ndryshe. Por, ju nuk duhet të neglizhoni trupin gjatë kësaj kohe. Flini në një moment më të qetë, ushqehuni shëndetshëm, vishuni mirë etj.
#7 Mos ngrini pesha të rënda
Mos ngrini asgjë të rëndë gjatë periudhës pas lindjes, veçanërisht javët e para. Nëse bëni këtë, ju mund të shkaktoni hernie ose të dëmtoni qepjet që ende nuk janë shëruar pas lindjes.
#8 Mos harroni të përdorni kontraceptivë
Shumë nëna të reja, prej fokusit që kanë tek i/e porsalindurit harrojnë që shanset për të mbetur sërish shtatzënë, sidomos gjatë ushqyerjes me gji janë aty.
"Një keqkuptim i zakonshëm është se ju nuk mund të mbeteni shtatzënë gjatë ushqyerjes me gji," thotë mjekja Lagomichos.
Ndaj, tregoni kujdes duke u mbrojtur. Në të mirë të shëndetit tuaj fizik dhe mendor, nënave u duhen afërsisht 18 muaj që trupi të rikuperohet dhe të bëhet gati për një shtatzëni të radhës.
#9 Mos i injoroni simptomat shqetësuese
Pas lindjes, mund të përjetoni dhimbje, shqetësime të caktuara etj. Nëse simptomat bëhen shqetësuese, atëherë drejtohuni te mjeku juaj.
# 10 Mos e krahasoni veten me të tjerët
Rrjetet sociale mund të jenë një mënyrë për të mbledhur informacione, por njëherësh dhe një kurth i rrezikshëm drejt krahasimit të vetes me të tjerët. Asnjë trup nuk është njësoj, asnjë stil prindërimi nuk është i njëjtë, ndaj ndaloni së bëri këtë, në të mirë të shëndetit tuaj mendor dhe fizik.
Artikuj të sugjeruar:
Burimi: Parents