Ushqim & Pije

10 ushqimet dhe pijet që ndryshojnë shije nëse ruhen në frigorifer

Shkruar nga Anabel

9 Tetor 2024

10 ushqimet dhe pijet që ndryshojnë shije nëse ruhen në
FOTO: LightStock/Getty Images

Frigoriferi mund të jetë vendi i sigurt për ruajtjen e ushqimeve të ndryshme, por jo për të gjitha. Disa perime apo produkte të caktuara, nëse ruhen gjatë në frigorifer mund të ndryshojnë shijen. Vendosja e tyre në frigorifer mund të ndikojë edhe në jetëgjatësinë e tyre:

#1 Vaj ulliri ekstra i virgjër

Vaji ekstra i virgjër i ullirit duhet të ruhet gjithmonë në një enë të errët, hermetike në temperaturën e dhomës dhe jo në frigorifer për disa arsye. Shkencëtari William Li shpjegon se nëse vaji i ullirit ruhet në frigorifer, “do të krijohen kristale dhe vaji do të bëhet më i turbullt dhe me teksturë më të fortë.”

#2 Patatet

Ftohja ndikon negativisht në shijen e tyre, prandaj ruajini patatet në një vend të errët që të bllokoni lagështinë dhe si pasojë kalbjen.

#3 Bananet

“Bananet janë një burim i mirë i kaliumit dhe fibrave të dobishme,” thotë Li. Për të përfituar sa më shumë, është më mirë që t'i mbani ato jashtë frigoriferit. "Bananet duhet të mbahen në temperaturën e dhomës për t'i ndihmuar ato të piqen, por jo në frigorifer".

#4 Buka

Frigoriferi e than bukën shpejt. Në vend të kësaj, mbajeni pjesën që e konsumoni shpejt në temperaturën e dhomës dhe pjesën tjetër në ngrirje.

#5 Qepët

Qepët, njësoj si patatet, duhet të mbahen në një vend të errët, por kujdes! Mbajini qepët larg patateve, sepse këto të fundit lëshojnë lagështi dhe mund të çojnë në kalbjen e tyre.

#6 Hudhra

“Hudhrat duhet të ruhen në një zonë të freskët dhe të thatë,” thotë Li. "Në frigorifer, hudhra bëhet e butë dhe thahet".

#7 Domatet

“Në frigorifer, domatet humbasin shijen, teksturën e tyre dhe fillojnë të shpërbëjnë qelizat,” shton Li.

Ruajtja e domateve në frigorifer gjithashtu, mund t'i bëjë ato të qullëta, kështu që lërini diku në kuzhinë, pa qese letre apo plastike.

#8 Kafeja

Frigoriferi (dhe ngrirësi) krijojnë kondensim, i cili mund të ndikojë në shijen e kafesë së bluar dhe të kokrrave të kafesë.

#9 Kungujt

Nuk është një ide e mirë që kungujt të ruhen në frigorifer, por nëse e bëni, pritini në copa të vogla dhe futini në një enë hermetike në frigorifer.

#10 Salcë pikante

Një salcë e blerë apo e bërë, nëse mbyllet mirë në shishe apo kavanoz mund të ruhet në një ambient në kuzhinë, pa pasur nevojë që të vendoset në frigorifer.

Artikuj të sugjeruar:

 

Burimi: Real Simple