Shendeti i Gruas

Përparimi më i madh në 25 vjet: Trajtimi i ri ul me 40% rrezikun e vdekjes nga kanceri cervikal

Shkruar nga Anabel

15 Tetor 2024

Përparimi më i madh në 25 vjet: Trajtimi i ri ul me 40% rrezikun

Mjekët janë shpresëplotë për trajtimin e ri kundër kancerit cervikal (kanceri në qafën e mitrës), pasi sipas studimeve, ul me 40% rrezikun e vdekjes nga sëmundja, duke shënuar kështu përparimin më të madh kundër sëmundjes në 25 vjetët e fundit.
 
Kanceri i qafës së mitrës është lloji i katërt i kancerit më të zakonshëm te gratë në botë, me rreth 660,000 raste të reja dhe 350,000 vdekje çdo vit, sipas Organizatës Botërore të Shëndetësisë. Shumë nga gratë e prekura janë në të 30-at e tyre dhe pavarësisht kujdesit, kanceri rikthehet në deri 30% të rasteve.

Trajtimi i ri u testua te pacientët nga Mbretëria e Bashkuar, Meksika, India, Italia dhe Brazili, për një periudhë 10-vjeçare. Trajtimi përfshin një përgatitje paraprake, para se pacientët t'i nënshtrohen kimioterapisë me rrezatim - trajtimi standard për kancerin e qafës së mitrës që përfshin një kombinim të kimioterapisë dhe rrezatimit. Në një hulumtim të udhëhequr nga “University College London”, është raportuar se rezultatet e provës klinike të fazës së tretë treguan një ulje prej 40% të rrezikut të vdekjes nga sëmundja dhe një ulje prej 35% të rrezikut të rikthimit të kancerit brenda të paktën pesë viteve.

Dr. Mary McCormack, studiuese kryesore e provës klinike në UCL, tha për “The Guardian” se ky zbulim ishte përparimi më i rëndësishëm në trajtimin e kancerit të qafës së mitrës që nga fundi i shekullit të kaluar. “Ky është përparimi më i madh që nga miratimi i kimioterapisë me rrezatim në vitin 1999,” tha ajo.

“Çdo përmirësim në jetën e një pacienti me kancer është i rëndësishëm, veçanërisht kur trajtimi tolerohet mirë nga trupi dhe jepet për një kohë relativisht të shkurtër, duke i lejuar gratë të rikthehen në jetën e tyre normale shpejt.”

Studiuesit në UCL dhe spitalin “University College London” (UCLH) përfunduan një hulumtim afatgjatë të pacientëve që morën trajtimin e shkurtër të kimioterapisë përpara kimioterapisë me rrezatim.

Prova, e financuar nga “Cancer Research UK” dhe Qendra e Provave Klinike në UCL, shqyrtoi nëse një trajtim i shkurtër i kimioterapisë përpara kimioterapisë me rrezatim mund të ulte rastet e rikthimeve dhe vdekjeve te pacientët me kancer në qafën e mitrës.

Prova klinike mori në studim 500 gra që u përzgjodhën rastësisht për të marrë regjimin e ri të trajtimit ose trajtimin standard me kimioterapi dhe rrezatim. Asnjë prej tumoreve të pacientëve nuk ishte përhapur në organe të tjera.

Në studim, një grup mori trajtimin e ri gjashtëjavor për kimioterapi me karboplatin dhe paclitaksel, të ndjekur nga rrezatimi standard, si dhe kimioterapia javore me cisplatin dhe brachiterapi (e njohur si kimioterapi me rrezatim). Grupi i dytë mori vetëm kimioterapinë dhe rrezatimin e zakonshëm. Pas pesë vitesh, 80% e atyre që morën fillimisht një kurs të shkurtër kimioterapie ishin ende gjallë dhe në 72% të rasteve, kanceri nuk ishte kthyer apo përhapur. Në grupin e trajtimit standard, 72% ishin gjallë dhe 64% nuk kishin pasur rikthim apo përhapje të kancerit.

UCL raportoi se prova klinike gjeti një ulje prej 40% të rrezikut të vdekjes dhe një ulje prej 35% të rrezikut të rikthimit të kancerit, kur krahasoi të dy grupet duke përdorur metrika të ndryshme.

Abbie Halls, menaxhere shërbimesh për klientët nga Londra, e diagnostikuar me kancer të qafës së mitrës kur ishte 27 vjeç, është një nga gratë që mori trajtimin e ri.

“Nuk kam pasur kancer për më shumë se nëntë vjet dhe nuk jam e sigurt nëse do të isha këtu pa trajtimin që mora,” tha ajo. “Jam e lumtur që mund të luaj një rol në përparimin e kërkimeve, të cilat shpresoj se do të shpëtojnë jetën e shumë grave në vitet në vijim.”

Rezultatet nxitën thirrje për zbatimin e këtij trajtimi në të gjithë Mbretërinë e Bashkuar dhe ndërkombëtarisht. McCormack tha:

“Një trajtim i shkurtër i kimioterapisë përpara trajtimit standard me kimioterapi dhe rrezatim rrit ndjeshëm mbijetesën dhe ul rrezikun e rikthimit te pacientët me kancer të qafës së mitrës”.

“Kjo është një mënyrë e thjeshtë për të bërë një ndryshim pozitiv, duke përdorur ilaçe ekzistuese që janë të lira dhe tashmë të aprovuara për përdorim te pacientët. Disa qendra të trajtimit të kancerit e kanë miratuar dhe nuk ka asnjë arsye që kjo të mos ofrohet për të gjithë pacientët që i nënshtrohen kimioterapisë dhe rrezatimit për këtë lloj kanceri”, u shpreh McCormack.