Beje Vete

5 kontrolle shëndeti që mund t’i bëni vetes për 10 minuta

Shkruar nga Anabel

18 Tetor 2024

5 kontrolle shëndeti që mund t’i bëni vetes për 10

Kur ka qenë hera e fundit që keni vendosur veten në radhë të parë kur vjen puna te shëndeti? Shpesh jemi aq të zënë me kujdesin për të tjerët sa e neglizhojmë veten. Por ruajtja e shëndetit tuaj është e domosdoshme, për ju dhe ata që ju rrethojnë.

Pa pasur nevojë të shkoni çdo herë tek mjeku në momentin që ju shfaqen simptoma të dyshimta, ja disa kontrolle të thjeshta që mund t'i bëni vetë në mënyrë që të parandaloni disa probleme të mundshme shëndetësore:

Kontrolli i gjoksit

Kanceri i gjirit është kanceri i dytë më i zakonshëm te gratë dhe rekomandohet që të bëni kontroll të rregullt vetë. Nëse keni histori familjare ose vëreni shenja që lidhen me sëmundjen, konsultohuni me mjekun tuaj për masa të tjera parandaluese.

Nëse nuk keni bërë kurrë një kontroll vetë, filloni duke ‘njohur’ gjinjtë tuaj. Shikojini në pasqyrë, prekini, shtypini lehtë. Ekspertët thonë se nuk ka një mënyrë të saktë ose të gabuar për ta bërë këtë, por nëse vini re diçka të pazakontë si ndonjë masë në sipërfaqe apo më në brendësi, mos e neglizhoni kontrollin me mjekun.

Kontrolli i lëkurës

Kanceri i lëkurës është githashtu një kancer i shpeshtë dhe njerëzit më të rrezikuar janë ata të cilët kanë lëkura të ndjeshme, për të cilët dielli është një kundërshtar i pamëshirshëm.

Si me kontrollin i gjoksit, hapi i parë është studimi i lëkurës suaj. Vini re njollat e mundshme në sipërfaqe, madje duke bërë foto për të monitoruar ndryshimet. Përsëriteni këtë rregullisht dhe shihni një mjek nëse vini re forma të çrregullta, ngjyra të paqëndrueshme ose njolla të mëdha në lëkurë.

Kontrolli dentar

Higjiena orale e mirë është thelbësore për shëndetin e përgjithshëm, por as larja e dhëmbëve dy herë në ditë dhe përdorimi i fillit dentar rregullisht nuk mund të garantojnë shëndetin e përsosur oral. Kontrollet e rregullta mund t'ju ndihmojnë të zbuloni shenjat e hershme të problemeve dentare si sëmundja e mishrave, kariesi, infeksione dhe madje edhe probleme me tretjen në organizëm.

Simptomat mund të përfshijnë:

- Mishra të gjakosur, të fryrë ose që shkaktojnë dhimbje;
- Dhëmbë të ndjeshëm;
- Aromë e pakëndshme e vazhdueshme e gojës;
- Dhimbje të nofullës ose gojës.

Kontrolli i mirëqenies trupore

Kompozita e trupit, e cila ka të bëjë me indeksin e masës suaj trupore (BMI), masën e muskujve dhe përqindjen e yndyrës, është një mënyrë më gjithëpërfshirëse për të matur shëndetin tuaj fizik. Llogaritni BMI-në: Peshoni veten dhe matni gjatësinë tuaj. Përdorni formulën e BMI-së (Indeksi i Masës Trupore): BMI = peshë (kg) / (lartësi (m))². Kjo do t'ju japë një tregues të përmasave tuaja trupore.

Përdorni një aplikacion: Ka shumë aplikacione që ndihmojnë në llogaritjen e kompozitës së trupit, duke ju kërkuar të shkruani peshën, lartësinë dhe masat trupore.

Vlerësimi i përbërjes trupore: Vini re peshën dhe masën e muskujve tuaj dhe mbanjini shënim për të monitoruar ndryshimet e mundshme. Nëse keni një peshore që mat yndyrën dhe masën e muskujve, qëndroni mbi të dhe ndiqni udhëzimet për të marrë rezultatet.

Kontrolli i zemrës

Sëmundjet e zemrës janë dy herë më shumë vdekjeprurëse sesa kanceri i gjirit, megjithatë shumë prej nesh mund të mos i njohin shenjat paralajmëruese, të cilat mund të përfshijnë:

- Dhimbje në gjoks;
- Mungesë frymëmarrjeje;
- Dobësi, mungesë energjie;
- Lodhje;
- Probleme me tretjen.

Kontrolli i rregullt i tensionit të gjakut dhe rrahjeve të zemrës është një mënyrë e shpejtë dhe e lehtë për të ndihmuar në ruajtjen e një zemre të shëndetshme. Mund të kontrolloni tensionin e gjakut duke shkuar në farmacinë tuaj më të afërt.

Shëndeti juaj është i rëndësishëm dhe dedikimi i 10 minutave në ditë për këto kontrolle të thjeshta mund të japë rezultate të mëdha. Megjithatë, ndonëse këto këshilla janë të dobishme, ato nuk duhet të zëvendësojnë kurrë këshillat profesionale mjekësore.

Artikuj të sugjeruar: