Marredhenie

Ja sa zgjat *periudha e mjaltit* në një marrëdhënie

Shkruar nga Anabel

23 Tetor 2024

Ja sa zgjat *periudha e mjaltit* në një marrëdhënie

Nëse po afron përvjetori i tretë me partnerin tuaj dhe marrëdhënia duket sikur po humbet shkëlqimin e fillimit, mos u shqetësoni, nuk jeni vetëm! Për shumicën e çifteve, periudha e mjaltit - ajo faza magjike e dashurisë kur gjithçka duket perfekte - përfundon rreth vitit të tretë. Kjo është koha kur shumë çifte fillojnë të përballen me një sërë sfidash të reja, të njohura si “problemet e vitit të tretë”.

Në vitin e tretë, marrëdhënia kalon nga pasioni i fillimit, në një fazë ku qëndrueshmëria dhe rutina fillojnë të mbizotërojnë. Nga njëra anë, kjo është diçka pozitive, pasi tregon që ju keni krijuar një lidhje të fortë dhe të qëndrueshme. Por nga ana tjetër, është edhe momenti kur fillojnë të dalin në pah çështje që mund të jenë injoruar më parë: si ndryshimet në qëllimet e jetës, qëndrimet mbi paratë, marrëdhëniet me familjarët etj.

Pse ndodh kjo?

Periudha pas vitit të tretë të marrëdhënies është një moment kryesor për shumë çifte, sepse atëherë fillon të shuhet ai zjarri i fillimit dhe çiftet përballen me “jetën e vërtetë.” Jeni mësuar me njëri-tjetrin, e keni parë partnerin tuaj në të gjitha format e tij - të mirat dhe të këqijat. Kjo është koha kur filloni të bëni pyetje më të thella për të ardhmen: "A duam fëmijë?", "A kemi të njëjtat qëndrime mbi financat?"; "A na lidhin të njëjtat vlera?”. Nëse këto pyetje nuk marrin përgjigje të përbashkëta, tensionet mund të rriten dhe të çojnë në konflikte të shpeshta.

Sfidat më të zakonshme pas 3 viteve marrëdhënie

Në këtë fazë, çiftet përballen me disa sfida të zakonshme, të cilat shpesh ndikojnë te marrëdhënia nëse nuk trajtohen me kujdes:

Vendimet mbi prindërimin: A doni të bëheni prindër dhe kur? Këto vendime mund të ndryshojnë dinamikën e një marrëdhënieje në mënyrë të ndjeshme.

Çështjet financiare: Që nga kursimet deri te shpenzimet e përbashkëta, paratë janë një ndër burimet kryesore të mosmarrëveshjeve.

Marrëdhëniet me familjen dhe vjehrrit: A përfshihen shumë apo jo në jetën tuaj? Marrëdhëniet e afërta ose të tensionuara me familjarët mund të ndikojnë në qëndrueshmërinë tuaj.
Kjo është koha kur këto ndryshime bëhen më të dukshme dhe shpesh kërkojnë kompromis.

Nëse mosmarrëveshjet dhe diferencat fillojnë të shpeshtohen, ato mund të ndikojnë emocionalisht dhe psikologjikisht te të dy partnerët. Marrëdhënia mund të fillojë të duket më shumë si një barrë sesa si një burim lumturie. Ndjenja e tensionit të pashprehur mund të krijojë distancë dhe të zbehë intimitetin e marrëdhënies.

Për disa çifte, ky është momenti kur ata vendosin të ndahen, pasi kuptojnë që janë të papajtueshëm në të ardhmen. Për të tjerë, ky është një moment për të investuar më shumë në marrëdhënie, për të rritur komunikimin dhe për të krijuar një bazë më të fortë.

Si ta kaloni me sukses problemin e “vitit të tretë”?

Mos u frikësoni nga këto sfida! Ka mënyra për t’i përballuar dhe për të dalë më të fortë:

Shprehini shqetësimet tuaja: Mbi të gjitha, komunikimi është çelësi. Flisni për ndjenjat tuaja, për shqetësimet dhe për atë që dëshironi nga marrëdhënia. Pyesni veten dhe njëri-tjetrin: “Si mund të përmirësohemi?”

Kaloni kohë cilësore së bashku: Siç thonë, dashuria nuk është vetëm një ndjenjë, është edhe një zgjedhje. Merrni kohë për të bërë aktivitete që ju lidhin, qoftë një darkë romantike apo një udhëtim të shkurtër larg rutinës së përditshme.

Zgjidhni konfliktet menjëherë: Mos i anashkaloni konfliktet dhe mos i lini të grumbullohen. Diskutojini çështjet me qetësi dhe përdorni fjali të tipit “unë ndihem” për të shmangur akuzat dhe kritikat.

Mos harroni:

Në çdo marrëdhënie, ndryshimet janë të natyrshme dhe përballja me vështirësi është pjesë e rritjes së përbashkët. Periudha e mjaltit mund të zgjasë tre vjet, por dashuria e vërtetë, ajo që përballet me të gjitha stuhitë dhe e kapërcen rutinën, është ajo që zgjat përjetësisht. Pyetja është: A jeni të gatshëm të luftoni për të?

Artikuj të sugjeruar: