Bota

Donald Trump zgjidhet presidenti i ardhshëm i SHBA

Shkruar nga Anabel

6 Nëntor 2024

Donald Trump zgjidhet presidenti i ardhshëm i SHBA

Fushëbetejat në shtatë shtetet kyçe, të cilët mbanin “çelësat” e Shtëpisë së Bardhë i dhanë Donald Trump mandatin e dytë. Trump ka triumfuar në Pensilvani, Karolinën e Veriut dhe Georgia, shtete të rëndësishme, duke përcaktuar kështu epërsinë ndaj Kamala Harris.

Siç edhe parashikohej, Trump “rëmbeu” bastionet konservatore nga Florida në Idaho, ndërsa Harris fitoi shtete liberale nga New York-u në Kaliforni.

Për herë të dytë, Trump u besua si lideri i Shteteve të Bashkuara, ndërsa çështjet si ekonomia, aborti, emigracioni dhe gjeopolitika ishin temat e “nxehta” të kësaj fushate elektorale. Në fjalimin e tij pas fitores, ndonëse ende nuk ishte zyrtarizuar plotësisht, Trump falenderoi të gjithë qytetarët që e votuan, ndërsa theksoi se do t’i japë fund luftës dhe do të mbajë premtimet e dhëna që kryesisht lidhen me taksat dhe emigracionin.

Heshtja kaploi kampin e demokratëve. Kamala Harris anuloi fjalimin e saj duke zgjedhur një moment tjetër për të folur publikisht, ndërsa nuk dihet ende nëse do ta njohë rezultatin zgjedhor.

Liderët botërorë urojnë rizgjedhjen e Donald Trump

Udhëheqësi i Hungarisë, Viktor Orban ishte lideri i parë europian që uroi kandidatin republikan, Donald Trump në rimarrjen e detyrës si president i SHBA-ve.

Më pas, Keir Starmer, kryeministri britanik, tha se kjo ishte një fitore historike dhe mezi pret të bashkëpunojë me Trump.

“Si aleatët më të afërt, ne qëndrojmë krah për krah në mbrojtje të vlerave tona të përbashkëta të lirisë, demokracisë dhe sipërmarrjes.”, tha ai.

Ndërkohë, ndonëse qasja e Trump nuk ka qenë shumë miqësore ndaj tij, urimi i presidentit ukrainas, Vlodomyr Zelensky nuk mungoi.

“Ne presim me padurim një epokë të një SHBA-je të fortë nën udhëheqjen vendimtare të Presidentit Trump. Ne llogarisim në mbështetjen e vazhdueshme të Ukrainës nga SHBA”, ka deklaruar ndër të tjera presidenti i Ukrainës.

I menjëhershëm ishte dhe urimi nga kryeministri izraelit Benjamin Netanyahu, i cili e konsideroi si ngjarje historike duke vënë theksin te miqësia e tij me Trump.

“Urime për rikthimin më të madh të historisë!”, tha ai në një deklaratë në gjuhën angleze të shkruar në stilin e markës tregtare të Trump.

“Kthimi juaj historik në Shtëpinë e Bardhë ofron një fillim të ri për Amerikën dhe një riangazhim të fuqishëm ndaj aleancës së madhe mes Izraelit dhe Amerikës. Kjo është një fitore e madhe! Në miqësi të vërtetë,” përfundoi Netanyahu.

Po ashtu, Presidenti i Francës, Emmanuel Macron, uroi Trump duke theksuar se partneriteti mes tyre do të vijojë edhe në katër vitet e ardhshme.

Giorgia Meloni, në emër të qeverisë italiane, theksoi se vlerat e përbashkëta dhe aleanca e fortë me SHBA-në do të forcohen gjatë presidencës së Trump.

“Në emrin tim dhe të qeverisë italiane, urimet e mia më të sinqerta për presidentin e zgjedhur të Shteteve të Bashkuara, Donald Trump. Italia dhe Shtetet e Bashkuara janë vende motra, të lidhura me një aleancë të fortë, vlera të përbashkëta dhe miqësi historike. Kjo është një marrëdhënie strategjike, të cilën jam i sigurt se tani do ta forcojmë edhe më shumë. Punë të mbarë, president”, shkruan kryeministrja italiane në X.

Presidenti turk, Erdogan, përmes urimit bëri të ditura pritshmëritë e tij ndaj Trump duke theksuar se shpreson që paqja në botë të rivendoset.

“Në këtë epokë të re, ne shpresojmë që marrëdhëniet Turqi-SHBA do të forcohen dhe krizat dhe luftërat rajonale dhe globale, veçanërisht çështja palestineze dhe lufta Rusi-Ukrainë, do të marrin fund. Besoj se do të bëhen më shumë përpjekje për një botë më të drejtë”, tha presidenti i Turqisë në mesazhin e tij.

Shefi i NATO-s, Mark Rutte në një postim në platformën X, shkroi se udhëheqja e Trump do të jetë çelësi për ta mbajtur aleancën sa më të fortë, ndërsa shton se mezi pret avancimin e paqes përmes bashkëpunimit.

“Urova Donald Trump në zgjedhjen e tij si President i Shteteve të Bashkuara. Lidershipi i tij do të jetë përsëri çelësi për të mbajtur të fortë Aleancën tonë. Mezi pres të punoj përsëri me të për të avancuar paqen përmes fuqisë përmes #NATO-s”, ka shkruar Rutte.

Kina përçolli urimet përmes zëdhënësve të saj duke theksuar se respekton vullnetin e amerikanëve.

“Ne respektojmë zgjedhjen e popullit amerikan. Pasi të publikohen dhe shpallen zyrtarisht rezultatet e zgjedhjeve në SHBA, ne do të trajtojmë çështjet e lidhura në përputhje me praktikën e zakonshme,” shtoi zëdhënësja kur u pyet nëse presidenti kinez Xi Jinping do ta telefononte Trumpin për ta uruar.

Por, Vladimir Putin i Rusisë ka refuzuar të reagojë.

Zëdhënësi i Kremlinit Dmitry Peskov tha se Rusia po monitoron me kujdes informacionin mbi zgjedhjet në SHBA dhe nuk ka gjasa të japë një vlerësim zyrtar derisa të shohë “fjalë dhe veprime konkrete”
Ai theksoi se SHBA është një vend “jo mik i Rusisë”, ndërsa shtoi se është përfshirë në mënyrë indirekte në luftë kundër shtetit rus.

Shqipëria uron Trump

Urimi i parë erdhi nga kryeministri Edi Rama. Kreu i qeverisë përmes një postimi në rrjetin social “X” deklaroi se mezi pret të punojë me Trump me Presidentin e 47-të të Amerikës.

“Urime për Donald Trump në këtë fitore të jashtëzakonshme  Ishte një nder i vërtetë të punoja përkrah presidentit të 46-të të Shteteve të Bashkuara për të forcuar lidhjen mes dy vendeve tona. Mezi pres privilegjin e madh të punoj me presidentin e 47-të për të përmirësuar më tej partneritetin tonë për paqe, prosperitet dhe përparim të mëtejshëm”, shkruan Rama.

Po ashtu, kreu i Partisë Demokratike, Sali Berisha, përshëndeti triumfin e konservatorit Donald Trump.

Ai theksoi se marrëdhëniet tradicionale midis dy vendeve dhe dy partive do të njohin zhvillime të shkëlqyera.

“Me presidentin Donald Trump, SHBA, aleatët dhe partnerët e tyre në këtë kohë luftërash janë më të sigurt se kurrë më parë. Në emër të Partisë Demokratike të Shqipërisë, parti simotër prej tre dekadash e Partisë Republikane, uroj përzemërsisht fitoren historike të presidentit të 47-të të SHBA Donald Trump, kandidatëve të kësaj partie në drejtimin e Kongresit të SHBA dhe shpreh besimin se marrëdhëniet tradicionale midis dy vendeve dhe dy partive do të njohin zhvillime të shkëlqyera.”, tha ai mes të tjerash.