Art & Libra

Fiks për fundjavën! Dy libra që duhet t’i lexoni me patjetër

Shkruar nga Anabel

8 Nëntor 2024

Fiks për fundjavën! Dy libra që duhet t’i lexoni me

E premtja erdhi dhe nëse do që të nisësh një libër të bukur, ne në Anabel të sjellim 2 sugjerime: “Më quajnë Lusi Barton” dhe “Parajsa artificiale” nuk duhet t’i humbësh. Më poshtë, do të gjesh edhe detaje për secilin libër.

“Më quajnë Lusi Barton”

Fiks për fundjavën! Dy libra që duhet t’i lexoni me

Libri me një fjali

Një marrëdhënie e koklavitur familjare, gjurmët e pashlyeshme që lë fëmijëria në psikikën njerëzore dhe procesi i vështirë i shërimit që shpie në çlirim shpirtëror e mendor.

Informacion i përgjithshëm rreth librit

Përfshirë në listën e gjatë të Man Booker Prize! (2016)

Përfshirë në listën e shkurtër të International Dublin Literary Aëard! (2018)

Pas një operacioni që duhej të ishte fare i thjeshtë, Lusi Barton fillon ta marrë veten dalëngadalë. E ëma, me të cilën nuk ka folur prej vitesh, vjen që ta shohë. Në një dhomë spitali në zemër të Manhatanit, përpara vezullimit të qiellgërvishtësit Chrysler që ngrihet përtej dritares, dy gratë kuvendojnë gjatë. Ndonëse lidhja e tyre dukej e prerë, rrjedha e fjalëve ndoshta mund të shuajë zhurmën shurdhuese të gjërave të pathëna.

Thashetheme të vogla për njerëz nga fëmijëria e Lusit, duket se i lidhin sërish, por nën sipërfaqe fshihen tensionet dhe dëshirat që kanë karakterizuar çdo aspekt të jetës së Lusit: arratia e saj nga familja e trazuar, pasioni për t’u bërë shkrimtare, martesa, dashuria për dy vajzat e saj. Në atë dhomë spitali, për pesë ditë e net, dy gratë nuk janë gjë tjetër veçse gjëja më e lashtë, më e rrezikshme dhe më prekëse në botë: nënë e bijë që kujtohen sa e duan njëra- tjetrën.

Kritika

Një roman i përkryer, në fjalët e kujdesshme të të cilit vibrojnë heshtjet. “Më quajnë Lusi Barton” na dhuron një larmi të rrallë emocionesh, nga dhembja më e thellë deri te hareja e kulluar.

The New York Times

Strout është një rrëfimtare e mrekullueshme e ngjarjeve të çuditshme familjare, e aftë të thurë sixhade të mbushura me mençuri, dhembshuri,
thellësi.

The Guardian

Një roman bashkëkohor, i qetë e plot dhembshuri, për dashurinë, dëshirën dhe qëndresën e një familjeje të shkatërruar që s’ka fjalë ta rrëfejë.

The Boston Globe

Një roman i shkurtër kushtuar dashurisë, veçanërisht asaj të ndërlikuarës nënë e bijë, por edhe për lidhjet më të thjeshta dhe të papritura... I evokon këto lidhje me një stil kaq të thatë, të kulluar dhe të thellë, saqë libri ngjan si shkrimet e shenjta.

Newsday

Mbi autoren

Elizabeth Strout është shkrimtare amerikane, e nderuar me shumë çmime, ndër të tjera ka fituar edhe Pulitzer Prize (2009) me romanin Olive Kitteridge. Ka filluar të shkruajë qysh e vogël dhe në adoleshencë ishte e etur për të lexuar biografitë e shkrimtarëve, mbi të gjitha ngaqë donte të studionte mënyrën se si i rrëfenin historitë e tyre. Ajo ka ndjekur Bates College, në degën Gjuhë e Letërsi Angleze. Ka fituar ndër të tjera çmimet: Los Angeles Times Art Seidenbaum Award për Romanin e Parë, dhe Chicago Tribune Heartland Prize. Ajo jep mësim në programin Master i Arteve të Bukura në Queens University of Charlotte.

Fragmente nga libri

1)  "Mendoj se e njoh fare mirë dhimbjen që si fëmijë shtrëngojmë në gji, atë dhimbje që zgjat gjithë jetën, dhe atë dëshirim aq të thellë sa as për të qarë nuk qajmë dot. E mbajmë të shtrënguar fort, oh, po, me çdo përpëlitje të zemrës që rreh: Kjo është imja, kjo është imja, kjo është imja".

2) "Kjo është historia e një nëne që e do të bijën. Një dashuri jo e përkryer. Sepse të gjithë ne i duam të tjerët në mënyrë jo të përkryer".

3) "Pyesim veten, gjithmonë pyesim veten, çfarë na shtyn ta përçmojmë dikë, çfarë na bën të ndihemi më të mirë se tjetri?"

4) "Secili prej jush ka vetëm një histori, – tha ajo. – Atë do ta shkruani në mënyra të ndryshme. Por mos u shqetësoni shumë për historinë. Tek e fundit, vetëm atë keni".

5) "ç’është e vërteta, mendoj se të jesh i pamëshirshëm, do të thotë të mbledhësh veten dhe të thuash: “Kjo jam unë dhe unë nuk do të shkoj atje ku nuk dua të shkoj, në Amgash, Ilinoi, dhe nuk do të rri peng i një martese që nuk e dua, do ta mbledh veten dhe do të turrem përpara, e verbër si lakuriq nate, por do të eci përpara!” Besoj se kjo do të thotë të jesh i pamëshirshëm".

"Parajsa artificiale"

Fiks për fundjavën! Dy libra që duhet t’i lexoni me

Informacion i përgjithshëm rreth librit

“Parajsa artificiale” përshkruan 24 orë nga marrëdhënia romantike, e njëkohësisht e çuditshme, e Simon Shuterit, një burri në moshë të mesme, dhe një vajze njëzeteshtatë vjet më të re. Vajza vuan raportin e vështirë të dy prindërve, të cilët kanë pasur luhatje në jetën bashkëshortore. Ajo i kërkon të dashurit të saj, ta ndihmojë në mënyrë që prindërit të mos ndahen.

Atëherë, Simon Shuteri, për hatër të të dashurës së re dhe naive, do të përpiqet të trillojë realitete paralele ku do të ndërthuren dhe bashkëveprojnë historia, luftërat tradicionale dhe konfliktet kibernetike, fetë dhe Inteligjenca Artificiale.

Ky rrëfim i shkruar thjesht, me dialogë të shpejtë dhe provokues, shpalos për lexuesin jo vetëm një histori dashurie atipike, por edhe një sërë tematikash bashkëkohore të rëndësishme.

Romani është i ndarë në dy pjesë të shkurtra. Në pjesën e parë, që titullohet Ferri, rrëfehet për një një luftë imagjinare mes Iranit dhe Shqipërisë të cilën Simon Shuteri e sajon me mjeshtëri, duke përdorur disa fakte të vërteta historike që lidhin dy vendet. Ndërsa, në pjesën e dytë, që titullohet Parajsa, përmes pyetjeve naive të vajzës dhe përgjigjeve të çuditshme të Simon Shuterit, gjejmë një përshkrim përrallor të jetës në kohën e Inteligjencës Artificiale.

Inteligjenca Artificiale do të ndryshojë botën, duke zhdukur përfundimisht tre armiqtë më të mëdhenj të njeriut, thotë Simon Shuteri: Zotin, paranë dhe punën fizike. Nuk do ketë më të varfër dhe as të pasur, nuk do ketë më shtet dhe as demokraci, por njerëzit do jenë të gjithë të barabartë dhe të lumtur.

Këto skenare të ardhmesh të afërta, të bazuara në fakte të vërteta historike dhe aktuale, na shtyjnë në reflektime mbi sa e kontrollojmë vërtet jetën tonë dhe sa kontrollohemi nga faktorë të tjerë.

Autori

Romani “Parajsa artificiale” është botimi më i ri i shkrimtarit të njohur Ben Blushi.

Gjatë viteve të fundit, botimet e Ben Blushit kanë qenë ndër më të shiturit në treg dhe kanë fituar çmime kombëtare dhe ndërkombëtare. Ben Blushi është përkthyer në disa vende të botës, si në Greqi, Kroaci, Bullgari, Itali, Kinë, Arabi Saudite etj.

Botime Pegi ka sjellë për lexuesit shqiptarë: “41 sekrete” (2022), “Komploti” (2023) dhe “Parajsa artificiale” (2024).

Fragmente nga libri

1) "çfarë është dashuria për ty? Dashuria është një zjarr që duhet mbajtur në frigorifer...".

2) "Ai nuk beson në Zot, tha vajza, ma ka thënë mami. "Ai nuk beson në Zot, por jo për arsyet që nuk besoj unë, tha Simon Shuteri. Po për çfarë arsyesh, pyeti vajza. Sepse ai mendon se është i plotfuqishëm dhe nuk mund të ketë një qenie tjetër që mund të vendosë në emër të tij, pra ai e refuzon Zotin jo nga pozita shkencore por nga pozitat e një narcizisti".

3) "Po pse beson vetëm tek e nesërmja? Sepse atë e kam në dorë, tha Simon Shuteri. Ajo është e vetmja gjë që mund të ndryshojë. Po të për të shkuarën çfarë mendon? Mendoj se fetë, gjuhët, racat dhe kombet janë gjëja më e keqe që i ka ndodhur njerëzimit. Imagjino sikur gjithë bota të fliste një gjuhë, të kishte një fe, të ishte një komb, një ngjyrë, një racë, një shtet dhe të drejtohej nga një qeveri, çfarë parajse do ishte".

4) "Unë i njoh mirë patriotët e dehur që besojnë se fajin për çdo dështim e kanë gratë..."

5) "... kisha diçka ndryshe që nuk e shpjegoja dot. Unë kuptoja më shpejt nga të tjerët gjërat që mund të ndodhnin nesër. Aftësia për të eksploruar të nesërmen është arti im. Me këtë e kam fituar jetën. Këtë aftësi për të parashikuar, shumë njerëz e quajnë intrigë, por ajo është thjesht një intuitë e lindur".

6) "Ti beson te pavdekësia, pyeti vajza. Unë besoj se njeriu jeton ende shumë keq dhe shumë pak, sepse shkenca nuk ka arritur ende të zbulojë ilaçin kundër plakjes", tha Simon Shuteri. Pse ti mendon se plakja është një sëmundje, pyeti vajza. Sigurisht, tha Simon Shuteri, plakja është një sëmundje që mund të kurohet. Pra ti thua se, nëse plakja mund të shtyhet, gjyshja ime që është 81 vjeçe, mund të dukej 35 vjeçe dhe meqë gjyshi im ka vdekur, mund të ishte në ndonjë klub nate me një të dashur duke pirë një hugo? Ndoshta ti dhe gjyshja, pa e ditur, mund të ishit dashuruar me të njëjtin burrë, tha Simon Shuteri. Do ishte diçka shumë e shëmtuar, tha vajza. Prandaj plakja është e domosdoshme dhe Zoti e ka shpikur në mënyrë që gjyshet dhe mbesat të mos ngatërrojnë burrat".