Në emisionin më të fundit të “Andale Sport”, Flori, Benard, Tomas dhe Megi diskutuan mbi performancën zhgënjyese të Kombëtares Shqiptare në këtë edicion dhe arsyet e mundshme të këtij rezultati jo të mirë.
Benardi theksoi se nuk kupton nëse lojtarët nuk po japin maksimumin, pasi në Europian dhanë një performancë shumë më të mirë. Sipas tij, diçka mungon në këtë periudhë.
“Sivjet Kombëtarja ka qenë dobët. Nuk e di nëse nuk duan të japin maksimumin, por ne e pamë që në Europian performuan shumë më mirë se kaq. Duket sikur diçka mungon në këtë edicion.”
Tomas thekson se nuk është më ai “entuziazmi” dhe organizimi që shfaqën më parë.
“Rënia e Kombëtares filloi që në Europian. Ka një ngërç që mund të lidhet me formacionin ose taktikat. Trajneri nuk po arrin të sjellë të njëjtën energji dhe organizim në fushë.”
A është Kombëtarja e përçarë?
Në këtë pikë, Megi solli në vëmendje një tjetër problematikë: mungesën e unitetit.
“Unë mendoj që janë pak të përçarë si skuadër dhe nuk kanë atë frymën e përbashkët që kishin në Europian. Lojtarët luajnë në vende dhe kampionate të ndryshme. Bajrami është në Skoci, Mitaj në Arabi e Laçi në Çeki. Këto ndryshime ndikojnë shumë. Edhe mënyra se si stërviten është ndryshe dhe, për këtë arsye, përshtatja në Kombëtare bëhet më e vështirë.“
Ndryshimet në kampionate dhe stërvitje ndikojnë në mënyrën se si lojtarët performojnë në ekipin kombëtar. Për shembull, Uzuni bën një lojë shumë të mirë në Spanjë, por nuk arrin të japë maksimumin me Kombëtaren.
Një tjetër problem është edhe koha e pakët e lojës për disa lojtarë, siç përmendi Tomas, por përsëri ky u konsiderua më shumë si justifikim.
Në fund ata theksuan nevojën për një qasje të re taktike dhe për më shumë bashkëpunim mes lojtarëve për të rikthyer Kombëtaren në formën e saj më të mirë.
Artikuj të sugjeruar: