Menjëherë sapo përmendim trendet e modës këtë vit, mendja na shkon vetëm tek ai, supermodeli pa gjini i cili shënjoi dhe bëri zhurmë në çdo pasarelë këtë sezon. Tek ai që ka ‘rrëmbyer’ titujt kryesorë të prestigjiozeve ndërkombëtare si Forbes, TMZ, Daily Front Row, etj.
Elton Ilirjani, vazhdon të jetë kryefjala e eventeve të modës kudo në botë dhe këtë herë nuk mund të mos ishte sërish ai qendra e vëmendjes në Miami Art Week. Një event që për zakon ka festën e artit pamor, por kur dy shqiptarë bëhen bashkë nuk mund ta kalojnë këtë thjeshtë si një festë.
Ilirjani dhe dizajnerja shqiptare e modës Ema Koja, e njohur ndryshe me emrin e saj profesional Ema Savahl Couture, krijuan një punë artistike duke lidhur në mënyrë perfekte modën dhe artin. Stilimet e saj u shfaqën në dy sfilata gjatë Javës së Artit në Miami, hapja e të cilave iu besua plotësisht filantropistit shqiptar.
Shfaqja e parë ishte më 5 dhjetor në Miami Swim Week, The Shows dhe ajo e dyta më 8 dhjetor në Influencers Global Awards në Hotel Eden Roc në Miami.
Ilirjani e hapi shfaqjen e parë me veshje të frymëzuara nga bukuritë natyrore. Ai shkëlqeu me krijime që jepnin detaje nga botanika dhe me nuanca të bukura të të gjelbrës. Gjithashtu detajet natyrore ishin bërë ‘një’ jo vetëm me pamjen e tij sipërfaqësore, por edhe me lëkurën mbi të cilën i ishin pikturuar në mënyrë perfekte. Një formë arti që vlen të thuhet se supermodelit i pëlqen shumë.
“Më pëlqen të punoj kryesisht me stilistë që janë krijues të dorës”, është shprehur Hanko gjatë një interviste të shkurtër për prestigjiozet e huaja. “Ata janë të kujdesshëm dhe kanë vërtetë një pasion që është përtej biznesit”, vijoi ai.
Elton Ilirjanin ky vit nuk e përmbushi vetëm nga aspekti i tij profesional, por edhe ai shpirtëror. Ilirjani sapo ka njohur botën me Hankon, emrin e artit pas të cilit qëndron mamaja e dashur e tij, e cila e ka mbështetur në çdo rrugëtim. Sot si për t’ia shpërblyer të gjithë atë, ka bërë që emri i saj Hanko të dëgjohet dhe flitet kudo nëpër botë.
E nëse do të flasim për Ema Savahl puna e saj ndër vite ka treguar se suksesin e ka të pa diskutueshëm.
“Ky koleksion ishte një festë e energjisë që rrjedh brenda të gjithëve ne”, është shprehur stilistja, e cila ka veshur yje botërore si Jennifer Lopez, Katy Perry, Paris Hilton dhe Tyra Banks.