Avokati i Justin Baldonit thotë se padia e ardhshme e aktorit kundër Blake Lively jo vetëm që do të nxjerrë në pah "të vërtetën", por gjithashtu do të ekspozojë "ata që besojnë se janë të paprekshëm".
"Kjo nuk është një përgjigje apo kundërpadi, është një ndjekje e qëllimshme e së vërtetës," thotë avokati Bryan Freedman për padinë e ardhshme të Baldonit, e cila pason ankesën shpërthyese të Lively që akuzon Baldonin, 40 vjeç, për ngacmim seksual në xhirimet e filmit "It Ends with Us".
Freedman, një avokat veteran i Holliwood-it, thotë gjithashtu se depozitimi i Baldonit do të "ekspozojë" falsifikime në ankesën e Lively, veçanërisht një seri mesazhesh private që dyshohet se tregojnë sikur Baldoni i dërgon mesazhe dhe e-mail-e ekzekutives së PR-it, Jennifer Abel dhe ekspertes së menaxhimit të krizës, Melissa Nathan, teksa ata planifikonin çfarë Lively, 37 vjeç, pretendon se ishte një fushatë shpifëse e orkestruar për të "shkatërruar" reputacionin e saj.
"Kjo padi do të zbulojë dhe ekspozojë narrativën e rreme dhe shkatërruese që ishte krijuar qëllimisht nga një publikim i medias, i cili u mbështet në burime të liga dhe neglizhoi një proces të plotë të kontrollit të fakteve për të konfirmuar vlefshmërinë e këtyre mesazheve," tha Freedman për revistën PEOPLE.
Artikulli të cilit i referohet Freedman, i titulluar "Ne mund të varrosim këdo: Brenda një makinerie të njollosur të Holliwood-it", dha lajmin për ankesën e Lively-t një ditë pasi ajo e paraqiti atë në California.
"Në më shumë se tre dekada praktikë ligjore, unë kurrë nuk kam parë një sjellje të tillë joetike, të nxitur nga ata që abuzojnë me pushtetin e tyre dhe manipulojnë të vërtetën," shton Freedman.
“Mediat kryesore i kanë armatosur prej kohësh platformat e tyre për të shtrembëruar të vërtetën, për të shfrytëzuar dobësitë dhe për të shkatërruar jetë pa mbajtur përgjegjësi,” vazhdon avokati.
“Këto padi do të përballen me këtë sistem ballë për ballë, duke siguruar që asnjë individ apo ent, sado me ndikim të jetë, nuk mund të vazhdojë të përjetësojë këtë cikël frike dhe shkatërrimi”.
"E vërteta jo vetëm që do të dalë në dritë, ajo do të shpërbëjë iluzionet e mbështetura nga ata që besojnë se janë të paprekshëm," përfundon Freedman.
Deklarata e fundit e avokatit vjen menjëherë pas raportimit të 27 dhjetorit të Daily Mail se sapo gjykatat të rihapen në vitin e ri, Baldoni planifikon të ngrejë një kundërpadi kundër Lively. Freedman i tha gazetës britanike se padia e ardhshme do t'i "trondisë të gjithë".
Lively fillimisht e paditi Baldonin më 20 dhjetor, duke pretenduar në një ankesë prej 80 faqesh se pasi ajo raportoi ngacmimin seksual në xhirimet e "It Ends with Us", Baldoni (i cili luajti, prodhoi dhe drejtoi filmin) u hakmor kundër saj duke orkestruar një fushatë shpifjeje që synonte të prishte imazhin e saj.
Artikuj të sugjeruar: