Yjet e Hollivudit, Angelina Jolie dhe Brad Pitt, kanë arritur një marrëveshje divorci pas një beteje ligjore tetë-vjeçare, sipas avokatit të saj.
Çifti, i cili u martua në vitin 2014 dhe ka gjashtë fëmijë, ishte ndër çiftet më të njohura në industrinë e argëtimit dhe u quajt "Brangelina" nga shtypi.
Jolie kërkoi divorcin në vitin 2016 dhe më vonë, gjatë proceseve të veçanta gjyqësore, doli se ajo e kishte akuzuar Pitt për sjellje abuzive ndaj saj dhe dy prej fëmijëve të tyre në një avion privat po atë vit.
Pitt nuk u akuzua pas një hetimi policor mbi incidentin dhe i ka mohuar akuzat.
Avokatët e tij nuk kanë komentuar publikisht mbi marrëveshjen e divorcit.
Avokati i Jolie, James Simon, tha në një deklaratë se klientja e tij është përqendruar në "gjetjen e paqes dhe shërimin për familjen e tyre" që kur filluan procedurat e divorcit.
Ai vazhdoi: "Kjo është vetëm një pjesë e një procesi të gjatë që ka nisur tetë vjet më parë. Sinqerisht, Angelina është e lodhur, por është e lehtësuar që kjo pjesë ka përfunduar."
Çifti ishte përfshirë në një betejë për kujdestarinë e fëmijëve që në muajt e parë pas shpalljes së divorcit. Ata ranë dakord për një marrëveshje të përbashkët në vitin 2021.
Ndërsa avokatët e Jolie kanë thënë se është arritur një marrëveshje divorci, mbetet e paqartë nëse kjo do t'i japë fund një tjetër beteje ligjore mes tyre për një vresht francez.
Ata janë përfshirë në një mosmarrëveshje të vazhdueshme për Chateau Miraval, të cilin e blenë së bashku në vitin 2008 ku u zhvillua dhe martesa e tyre.
Në vitin 2022, Pitt e akuzoi Jolie se kishte shitur aksionin e saj në pronë te oligarku rus Yuri Shefler pa dijeninë e tij. Jolie nuk ka komentuar publikisht mbi padinë në atë kohë.
Çifti u takua në sheshxhirimet e filmit të vitit 2005 "Mr. and Mrs. Smith" dhe marrëdhënia e tyre tërhoqi vëmendje ndërkombëtare nga mediat.
Martesa ishte e dyta për Pitt, pas një marrëdhënieje me yllin e serialit "Friends", Jennifer Aniston.
Ajo ishte martesa e tretë për Jolie, pas aktorëve Billy Bob Thornton dhe Jonny Lee Miller.
Artikuj të sugjeruar: