Sot

Humbje e madhe për Kishën Ortodokse: Ndahet nga jeta Kryepeshkopi Anastas Janullatos

Shkruar nga Anabel

25 Janar 2025

Humbje e madhe për Kishën Ortodokse: Ndahet nga jeta Kryepeshkopi

Pas një beteje me shëndetin që prej 3 janarit, Kryepeshkopi Anastas Janullatos ndërroi jetë mëngjesin e 25 janarit 2025, në spitalin “Ungjillëzimi” në Athinë. Lajmin e hidhur e bëri të ditur Kisha Ortodokse Autoqefale e Shqipërisë përmes një njoftimi zyrtar, ku u theksua se Kryepeshkopi ndërroi jetë si pasojë e mosfunksionimit të shumë organeve.

 

?? Fjeti më Zotin Kryepiskopi i Tiranës, Durrësit dhe Gjithë Shqipërisë, ANASTASI. Kisha Orthodhokse Autoqefale e...

Posted by Kisha Orthodhokse Autoqefale e Shqipërisë on Friday, January 24, 2025

Trupi i Kryepeshkopit pritet të sillet në Tiranë, ndërsa detajet e ceremonisë mortore do të përcaktohen pas mbledhjes së Sinodit. Ceremonia pritet të jetë me përmasa të jashtëzakonshme, ku do të marrin pjesë përfaqësues të nivelit më të lartë fetar nga e gjithë bota dhe media ndërkombëtare.

Një trashëgimi e jashtëzakonshme që rilindi Kishën Ortodokse Shqiptare

Kryepeshkopi Anastas Janullatos ishte një figurë kyçe në ringritjen e Kishës Ortodokse Autoqefale të Shqipërisë. I zgjedhur si Kryepeshkop i Tiranës, Durrësit dhe gjithë Shqipërisë më 2 gusht 1992, ai e ngriti Kishën nga rrënojat pas dekadave të persekutimit fetar. Nëpërmjet përpjekjeve të palodhura, ai themeloi Akademinë Teologjike “Ringjallja e Krishtit” në Durrës dhe dy gjimnaze teologjike.

Puna e tij u shtri përtej misionit shpirtëror: Kryepeshkopi ndërtoi 155 kisha të reja, restauroi 63 kisha të tjera dhe riparoi mbi 160 ndërtesa ekzistuese. Ai ngriti 75 qendra kishtare, duke përfshirë shkolla, qendra mjekësore dhe kampe për të rinjtë, me një total prej rreth 500 godinash.

Ai shpërndau qindra ton ushqime, veshje dhe ilaçe për njerëzit në nevojë. Gjithashtu, themeloi një gazetë mujore, tre revista dhe një stacion radioje, duke krijuar edhe punishte për prodhimin e qirinjve, ikonave dhe restaurimin e tyre.

Figura dhe kontributi i Kryepeshkopit Anastas Janullatos do të mbeten një udhërrëfyes dhe frymëzim për brezat e ardhshëm, jo vetëm për Kishën Ortodokse, por edhe për gjithë Shqipërinë.