Chiara Ferragni ka bërë sot një reagim të gjatë në rrjetet e saj sociale duke treguar të vërtetën e saj për gjithë raportin me Fedez-in, që ka qenë i mbushur plot drama dhe situata të pakëndshme që nga ndarja e çiftit në fillim të vitit 2024.
Në Instagramin e saj, Chiara nisi deklaratën e fortë duke folur për sakrificat që ka bërë për dashurinë, duke e përshkruar lidhjen e saj si një përkushtim total:
“Kam zgjedhur heshtjen gjatë këtyre muajve për të mbrojtur veten dhe familjen time, por tani, nuk mund të qëndroj më në heshtje. Kam kaluar 7 vite në një marrëdhënie ku kam dashuruar siç di unë, pa frena dhe me gjithë qenien time. Kam dashur edhe kur kisha plot arsye për të ikur, kam duruar situata për të cilat do t’i kisha thënë çdo mikeje: ‘Mos e lejo veten të kalosh këtë.’ Por për mua, dashuria ishte edhe kjo: sakrificë.”
Chiara vazhdoi rrëfimin e saj dukë thënë se kishte zgjedhur të heshtte edhe në momentet më të errëta, si pas ndarjes së papritur nga Fedez:
“Nuk thashë asgjë as kur më la nga një ditë në tjetrën në periudhën time më të vështirë, shkurtin e kaluar, kur mezi ngrihesha nga shtrati.”
Tradhtia dhe telefonata që i ndryshoi gjithçka
Për herë të parë, Chiara foli hapur për tradhtinë e Fedez-it dhe motivin për ta nxjerrë atë nga shtëpia e tyre:
“Kam dëgjuar shumë herë që unë e dëbova nga shtëpia, por nuk është thënë kurrë pse. E dëbova pasi zbulova një tradhti pikërisht në ato ditë (një nga shumë të tjera, pa dyshim). Nuk është thënë as që ai nuk hezitoi ta shfrytëzonte situatën për të më shpëtuar nga ‘dëmtimi i imazhit tim’.”
Një moment tjetër i rëndë ishte telefonata e vetëm një muaji më parë, ku Fedez (emri i vërtetë Federico), i pranoi të vërtetën:
“Nuk thashë asgjë publikisht as kur, disa ditë para Krishtlindjeve të 2024-ës, Federico më telefonoi (duke patur qëllimin e qartë për të folur me mua) dhe më pranoi për herë të parë historinë me këtë të dashur, e cila vazhdonte që nga viti 2017, duke më thënë gjithashtu se kishte menduar të mos martohej me mua pak ditë para dasmës, por nuk dinte si të tërhiqej publikisht.”
“Unë nuk isha në një marrëdhënie të hapur!”
Ferragni sqaroi gjithashtu një herë e mirë një nga pyetjet që qarkullonte rreth marrëdhënies së saj me Fedez:
“Lidhja ime me Federico-n ishte e vërtetë për mua. Nuk kam qenë kurrë në një çift të hapur (ishte e hapur vetëm për tjetrin, pa dijeninë time).”
Pavarësisht dhimbjes, ajo tha se ishte krenare që kishte dashuruar me gjithë shpirt, por tani e di që është koha për t’i lënë gjërat pas:
“Më vjen keq që për tjetrin kam qenë thjesht një person për t'u tallur dhe përdorur sipas dëshirës, por ndonjëherë duhet të hapësh sytë, të përballesh me realitetin, të vuash, të ringrihesh dhe të kuptosh se meriton diçka më të mirë.”
Në fund, ajo e mbyll rrëfimin e saj me një urim për veten dhe ndjekësit e saj:
“Një dashuri jo perfekte, por të paktën të vërtetë dhe të përjetuar njësoj nga të dyja palët. Këtë ia uroj vetes dhe të gjithëve ju, sepse është minimumi që meritojmë në këtë kaos që quhet jetë.”
Reagimi i pakursyer i Chiara-s vjen pas publikimit të tradhtisë së Fedez nga Fabrizio Corona.
Ish-paparaci, i cili prej kohësh ka qenë i afërt me reperin, ka deklaruar në formatin e tij në rrjetet sociale, “Falsissimo”, se në zemrën e Fedez-it kishte pasur gjithmonë një grua tjetër dhe “gjithmonë do të thotë gjithmonë”: edhe gjatë martesës së mbushur me thashetheme me Chiara Ferragni-n. Corona e përmendi dhe emrin këtë herë: dashuria e vërtetë e Fedez-it do të ishte Angelica Montini.

Corona, në "Falsissimo", publikoi një telefonatë mes Fedez-it dhe Montini-t, në të cilën ajo e quante veten si "një nga të paktët që e donte vërtet Fedez-in". Corona pretendoi se ky version i ngjarjeve do të konfirmohej nga një bisedë me asistentin e Fedez-it, që në fakt i kërkoi atij të mos e zbulonte historinë, po ashtu edhe nga vetë Angelica Montini, e cila e pranoi: "Po, është e vërtetë".
Nëse kjo video e Corona-s solli një sërë reagimesh dhe vëniesh në pikëpyetje për vërtetësinë e fjalëve të tij, deklarata e Chiara-s sapo vërtetoi se gjithçka e thënë ka qenë reale.
Këto fjalë padyshim do të ndezin debate të shumta, ndërkohë që mbetet për t’u parë nëse Fedez do të vendosë të reagojë dhe të japë versionin e tij të historisë.
Copyright Anabel.al / Ndalohet ribotimi pa lejen e redaksisë.
Artikuj të sugjeruar:
- Divorci i Chiara Ferragni-t dhe Fedez: Detajet nga marrëveshja e ndarjes
- Chiara Ferragni thotë se Fedez e ka tradhtuar o.O
- Mbyllen hetimet për skandalin e bamirësisë: Reagon Chiara Ferragni
- Chiara Ferragni reagon pas dramës Fedez-Tony Effe
- Fedez shpërthen kundër Chiara-s & Tonny Effe-s o.O
- Thumba dhe përplasje: Një përmbledhje e dramës mes Fedez, Tony Effe & Chiara Ferragni