Showbiz dhe TV

Samanta flet për shtatzëninë, partnerin dhe muzikën

Shkruar nga Anabel

12 Shkurt 2025

Samanta flet për shtatzëninë, partnerin dhe muzikën
Foto: Fadil Berisha

“Këtë vit i bëri Zoti planet për mua” u shpreh Samanta Karavalla për vitin më të rëndësishëm të jetës së saj. Në një intervistë për Living, Samanta ndau detaje për këtë fazë të re të jetës së saj, shtatzënisë, bashkëjetesën dhe jetën tani në SHBA.

“Po jetoj një nga periudhat më magjike të jetës sime. Nuk ka fjalë që ta përshkruajnë ndjesinë e një jete të vogël që rritet brenda teje… Çdo goditje më kujton se dashuria më e pastër dhe më e vërtetë që kam ndjerë ndonjëherë po vjen. Zemra ime nuk është thjesht e plotë, por rreh ndryshe. E di që jeta ime do të ndryshojë përgjithmonë dhe jam gati për çdo sfidë.” – u shpreh Samanta.

Këngëtarja foli edhe për partnerin, i cili nuk është shqiptar, por ka nisur të mësojë shqip që të komunojë me të.

“Gjuha jonë është aq e bukur, aq e dëlirë… dhe po, edhe pak e vështirë! Ai nisi ta mësonte shqipen me disa aplikacione online dhe po ia dilte shumë mirë, derisa ndaloi. Ishte një periudhë shumë interesante, sepse çdo mëngjes e shihja duke përsëritur fraza si: “Përshëndetje, znj. Sam! A doni të pini diçka? Apo të hani diçka" Kjo ishte koha kur flisnim më shumë me video call dhe ai po përpiqej të mësonte disa fjalë për të komunikuar me prindërit e mi. Por, ajo që më bën më shumë për të qeshur është kur bëhet kurioz se çfarë po them unë me miqtë e mi, ndaj më besoni, do ta rinisë shqipen shumë shpejt. Si një amerikan me origjinë italiane, ka mësuar italishten shumë mirë, dhe madje me babin tim komunikon shkëlqyeshëm.”

Samanta theksoi se “ai është shumë familjar dhe bashkëpunues në çdo aspekt, jo vetëm në shtëpi. Jemi si një ekip dhe kjo na mban të lidhur fort”.

Për sa i përket muzikës, Samanta u shpreh se pavarësisht se ndodhet larg, muzika ka qenë dhe do të mbetet gjithmonë pjesë e saj, duke nënkuptuar se do të jetë vazhdimisht aktive me projekte muzikore.

"Mendja ime është zgjuar 24/7 duke menduar për risitë që do t’i sjell publikut këtë vit, por njëkohësisht po mundohen të mos jem shumë e ashpër me veten e të shijoj momente si këto, që vijnë rrallë në jetë. Këtë vit i bëri Zoti planet për mua, ndaj ndihem më shumë se e bekuar dhe mirënjohëse për këtë kapitull të ri të jetës sime."