Një pije që të bën të ndihesh më i lumtur? Super, më sillni 14 të tilla tani! Ndoshta ke dëgjuar për “dopamine dressing” apo “dopamine decor”, por trendi më i ri që ka pushtuar TikTok-un është “dopamine drinks” - kokteje funksionale pa alkool që premtojnë të përmirësojnë humorin.
Duke parë gjendjen e botës sot, nuk është çudi që njerëzit po kërkojnë mënyra të thjeshta për të ndjerë më shumë gëzim. Sigurisht, një koktej herë pas here mund të duket si zgjidhja e duhur, por sipas krijuesve të përmbajtjes si Olivia Noceda, “dopamine drinks” janë më efektive dhe pa pasojat e ditës së nesërme. “A e dini se ka të dhëna që tregojnë se pijet pa alkool rrisin nivelet e dopaminës?” - tha Noceda në një video në janar 2024. “Dallimi është se të nesërmen zgjohesh duke u ndjerë shkëlqyeshëm.”
Por çfarë i bën këto pije kaq të veçanta? Dhe a janë vërtet aq të thjeshta sa duken? E provova vetë për të zbuluar nëse ky trend vlen vërtet dhe si mund ta përgatisësh një “dopamine drink” në shtëpi.
Si funksionojnë “dopamine drinks”?
“Dopamina është neurotransmetuesi përgjegjës për ndjenjën e kënaqësisë dhe motivimit, por shumë njerëz sot vuajnë nga nivele të ulëta për shkak të stresit kronik, mungesës së gjumit, ushqimeve të përpunuara dhe ekspozimit të vazhdueshëm ndaj ekraneve,” – shpjegon dietologia Melanie Murphy Richter. Sipas nutricionistes integruese Pam Cho, një dietë e pasur me lëndë ushqyese të caktuara mund të ndihmojë në rritjen e dopaminës, duke përmirësuar humorin, përqendrimin dhe kujtesën.
Megjithatë, “dopamine drinks” nuk bazohen vetëm te përbërësit, por edhe te mënyra si i konsumon. “Vetë procesi i përgatitjes dhe shijimit të një pijeje që mezi e pret mund të rrisë dopaminën,” - shton Cho. Pra, nëse e shijon momentin dhe e sheh si një ritual kënaqësie, je në rrugën e duhur.
Çfarë të shtosh në një “dopamine drink”?
Nëse dëshiron të përfitosh maksimalisht nga kjo pije, është e rëndësishme të zgjedhësh përbërësit e duhur. “Dopamina prodhohet nga aminoacidi L-tirozinë, i cili gjendet te bajamet, farat e kungullit dhe bananet,” – thotë Richter. Por për ta kthyer L-tirozinën në dopaminë, trupi ka nevojë edhe për vitamina B, magnez dhe hekur.
Ja disa përbërës që ndihmojnë në rritjen natyrale të dopaminës:
• Kakao ose matcha – Kakao përmban flavonoide dhe feniletilaminë (PEA) që stimulojnë çlirimin e dopaminës, ndërsa matcha përmban L-theanine, e cila ndihmon në stabilizimin e saj.
• Pure bananeje – Përveç L-tirozinës, bananet janë të pasura edhe me vitaminë B6, thelbësore për prodhimin e dopaminës.
• Kripë Himalaje – Ofron minerale si magnezi dhe zinku, të cilat mbështesin metabolizmin e dopaminës dhe sinjalizimin nervor.
• Boronica të egra – Përmbajnë antioksidantë që mbrojnë qelizat e trurit nga stresi oksidativ.
• Tahini ose gjalpë bajamesh – Të pasura me yndyra të shëndetshme dhe L-tirozinë, ideale për një pije funksionale.
• Vitaminë C – Një përbërës kyç për prodhimin e dopaminës, që gjendet tek agrumet, frutat e pyllit, mango dhe kivi.
• Magnez – Ndihmon në mbrojtjen e dopaminës nga stresi dhe mund të gjendet te çokollata e zezë, boronica dhe papaja.
Çfarë të shmangësh?
• Sheqernat artificialë – Mund të ndërhyjnë në sinjalizimin e dopaminës dhe në afatgjatë të ndikojnë negativisht në humor.
• Alkooli dhe kafeina – Edhe pse mund të japin një ndjesi të përkohshme euforie, krijojnë varësi dhe në fakt mund të ulin nivelet e dopaminës me kalimin e kohës.
• Shijet që nuk të pëlqejnë – Përvoja duhet të jetë e këndshme, ndaj shmang përbërësit që nuk të tërheqin, sepse mund të zvogëlojnë efektin e pritshëm.
Artikuj të sugjeruar: