Cyber Fun

Nëse përdor të njëjtin fjalëkalim për çdo faqe, kemi një lajm të keq për ty

Shkruar nga Anabel

18 Shkurt 2025

 

Nëse përdor të njëjtin fjalëkalim për çdo

E dimë të gjithë që nuk duhet të përdorim të njëjtin fjalëkalim për çdo llogari, por sa prej nesh e ndjekin me të vërtetë këtë rregull?


Sipas një raporti të Forbes, më shumë se 70% e njerëzve përdorin të njëjtin fjalëkalim për disa faqe dhe aplikacione të ndryshme. E kuptueshme: kush ka nerva të mbajë mend kaq shumë fjalëkalime të ndryshme? Mirëpo, edhe pse mund të duket praktike në moment, në afatgjatë mund të sjellë pasoja serioze për sigurinë e të dhënave.


Pse nuk duhet të përdorësh të njëjtin fjalëkalim në disa platforma?


Përdorimi i të njëjtit fjalëkalim kudo e bën më të lehtë për piratët kompjuterik të futen në llogaritë e tua.


Alex Hamerstone, drejtor i "TrustedSec", një kompani etike e sigurisë kibernetike, thotë se nëse dikush do të krijonte një faqe ku kërkohet regjistrimi me fjalëkalim, ai mund të shihte të gjitha të dhënat e përdoruesve.


“Ndoshta mendon se nuk ka problem që dikush të dijë fjalëkalimin tënd për një faqe të caktuar, por problemi është që shumica e njerëzve përdorin të njëjtin fjalëkalim gjithandej,” shpjegon ai. Kjo do të thotë që mund të vjedhin fjalëkalimin tënd nga një faqe dhe ta përdorin për të hyrë në llogaritë e tua të bankës, email-in, rrjetet sociale dhe më shumë.


Ndryshimi i vogël nuk mjafton


E ke bërë ndonjëherë atë manovrën ku i shton një numër ose një pikëçuditëse fjalëkalimit tënd të zakonshëm? Nëse po, nuk je i vetmi. Por, fatkeqësisht, edhe kjo metodë nuk është e sigurt.


Sipas Vahid Behzadan, profesor i sigurisë kibernetike në Universitetin e "New Haven", ndryshimet e vogla krijojnë një model të parashikueshëm, i cili mund të deshifrohet lehtësisht nga programet e krijuara për të vjedhur fjalëkalime.


“Modelet si numrat në fund ose ndjekja e një renditjeje të caktuar karakteresh mund të zbulohen automatikisht nga hakerat,” thotë ai.


Çfarë mund të bësh për të mbrojtur llogaritë e tua?


Një mënyrë e mirë për të siguruar fjalëkalimet është përdorimi i autentifikimit me dy hapa (multi-factor authentication).


Mund ta kesh të aktivizuar për disa aplikacione, siç janë llogaritë bankare apo email-i. Kjo metodë kërkon një hap shtesë sigurie, si një kod i dërguar në telefon, një aplikacion autentifikimi ose një metodë biometrike (shenjë gishti, njohje fytyre). Po ashtu, ekspertët rekomandojnë përdorimin e menaxherëve të fjalëkalimeve, programe që krijojnë dhe ruajnë fjalëkalime të sigurta për secilën faqe që përdor.

Me pak fjalë: mos u bëj dembel me fjalëkalimet! Një ndryshim i vogël në mënyrën si i menaxhon ato mund të të shpëtojë nga shumë probleme në të ardhmen.

Burime: Forbes, Huff Post