Kinema & TV

Gjithçka që duhet të dini rreth filmit “Luli & Goni Lemes”

Shkruar nga Anabel

20 Shkurt 2025

Gjithçka që duhet të dini rreth filmit “Luli & Goni

“Luli & Goni Lemes” është një nga komeditë që ndërthur humorin e pastër me emocione të forta. Filmi ka kaluar nëpër disa ndryshime gjatë fazave të para të produksionit, duke nisur fillimisht si “Luli & Goni”. Gjatë një bisede me aktorin Margent Caushi, skenaristja Klaudia Brahimaj tregon për Anabel se pati një moment frymëzimi kur pa rastësisht Aurela Gaçen. Edhe pse e njohur për muzikën, Aurela ka mbaruar për aktrim dhe në atë çast lindi personazhi i Lemes. Ajo e pranoi me entuziazëm rolin pasi lexoi skenarin, i cili më pas u rishkrua për ta integruar plotësisht personazhin e saj. Çuditërisht, historia e filmit mbeti e njëjtë, ndërsa Lemja u bë pjesë e saj në mënyrë aq natyrale, sa duket sikur ka qenë aty që nga fillimi.

Historia e filmit

Në këtë film, Goni (Deivis Myslymi), një djalë mami tipik dhe Lemja (Aurela Gaçe), nëna e tij autoritare, po kthehen nga emigrimi për të gjetur një nuse shqiptare tradicionale. Mirëpo, planet e tyre prishen kur Luli (Margent Caushi), një personazh komik dhe naiv, bashkohet me ta në udhëtimin e tyre. Edhe pse Luli ka si qëllim të ndihmojë, ai shpesh e bën situatën më të vështirë. Pjesë e kastit është edhe Fjoralba Ponari, e cila do të sjellë një surprizë të këndshme me interpretimin e saj.

Gjithçka që duhet të dini rreth filmit “Luli & Goni

Klaudia ndau me ne një nga pikat më të forta të filmit, që sipas saj është kasti i aktorëve, të cilët do të befasojnë me performancën dhe kiminë e tyre. Margent Caushi, i njohur për rolet e tij dytësore që gjithmonë kanë spikatur, shfaqet për herë të parë si protagonist. Deivis Myslymi, i suksesshëm në “Portokalli”, sjell një interpretim krejt ndryshe në film. Fjoralba Ponari shfaqet në një rol të ri për të, ndërsa Aurela Gaçe tregon se di të shkëlqejë jo vetëm në muzikë, por edhe në kinema.

Përzgjedhja e aktorëve është bërë bazuar në përputhjen me rolin dhe kiminë mes tyre, duke shmangur konceptin e përzgjedhjes së emrave thjesht për të tërhequr vëmendje. Çdo aktor ka testuar veten përpara se të bëhej pjesë e projektit dhe kjo ka sjellë një harmoni të natyrshme në ekran.

Gjithçka që duhet të dini rreth filmit “Luli & Goni

Ndër të tjerë, filmi ka në kast emra si Rita Lati, Parodistët e Vlorës, Irini Qirjako, Arjola Demiri, Mehdi Malkaj, Gëzim Rudi, Engjëll Hoxha dhe aktorë të rinj që do të shfaqen për herë të parë në ekran.

Ndryshe nga komeditë e zakonshme, “Luli & Goni Lemes” nuk është thjesht një film me batuta. Përveç të qeshurave, filmi do t’ju bëjë të emocionoheni, të dashuroheni dhe të reflektoni. Në thelb, ai vendos në lojë disa fenomene të shoqërisë shqiptare duke përcjellë mesazhe përmes gjuhës universale të humorit – që në fund të fundit, është aftësia për të qeshur me veten.

Gjithçka që duhet të dini rreth filmit “Luli & Goni

Xhirimi i një komedie “road trip” gjatë dimrit sipas saj ishte një çmenduri më vete. Moti i ftohtë dhe i paparashikueshëm, drita e kufizuar dhe netët e kaluara jashtë në temperatura të ulëta e bënë këtë një përvojë të paharrueshme për stafin dhe aktorët. Përkushtimi i tyre ishte i jashtëzakonshëm – nga sfidimi i temperaturave ekstreme deri te xhirimi i skenave duke qenë të sëmurë.

Por përveç vështirësive, filmi mbart kujtime të bukura. Njerëzit e thjeshtë që bashkoheshin për të kënduar me aktorët, fshatarët që qëndronin deri pas mesnate për të parë xhirimet dhe dashamirësia e çdo vendi ku u xhirua, e bënë këtë një eksperiencë të veçantë.

Kur del në kinema?

Filmi “Luli & Goni Lemes” do të shfaqet në kinema në prill 2025. Një histori që nis si komedi, por përfundon duke prekur zemrat e publikut, do të jetë një nga premierat më të pritshme të vitit.

Copyright Anabel.al / Ndalohet ribotimi pa lejen e redaksisë.