Eurovision është ende disa muaj larg, por dramat kanë nisur. Në Itali, jo pak njerëz po bëjnë thirrje që kënga e Estonisë të përjashtohet pasi sipas tyre tallet me stereotipet italiane: mafia, dëshira për të pirë kafe dhe dashuria për spaghetti-t.
“Espresso Macchiato”, një këngë nga reperi Tommy Cash, këndohet duke ndërthurur anglishten me italishten dhe përshkruan një stil jetese që duket se ngjason me atë të italianëve. “Ciao bella, I’m Tomaso, addicted to tobacco. Mi like mi coffè very importante” thuhet në këngë (Përshëndetje, bukuroshe! Jam Tomaso, i varur nga duhani. Më pëlqen kafeja ime, shumë e rëndësishme).
Ai vazhdon të këndojë: “Mi money numeroso, I work around the clocko. That’s why I’m sweating like a mafioso” (Paratë e mia janë të shumta, punoj natë e ditë. Prandaj po djersitem si mafioz) dhe: “Life is like spaghetti, it’s hard until you make it” (Jeta është si spaghetti, e vështirë derisa t’ia dalësh).
Codacons, një shoqatë e mbrojtjes së konsumatorëve, ka vendosur në pikëpyetje faktin nëse “është e përshtatshme të lejohet një këngë që ofendon një vend dhe një komunitet të tërë” të jetë pjesë e konkursit.
“Indinjata është shprehur nga shumë qytetarë [për një këngë] tekstet e së cilës përmbajnë stereotipe për Italinë dhe italianët – klishetë e zakonshme të kafesë dhe spaghetti-t, por mbi të gjitha mafian dhe shfaqjen e luksit, që përcjell një mesazh të një populli të lidhur me krimin e organizuar.”
Megjithatë, jo pak italianë e kanë vlerësuar këngën. “Do të votoj për Estoninë!” shkroi një komentues italian në YouTube.
Duke shkruar disa nga vargjet, një tjetër shkroi: “‘No stresso, no stresso, don’t need to be depresso’ - si italian, mendoj se do ta bëj tatuazh këtë frazë” (pa stres, pa stres, s’ka nevojë për depresion).
Një tjetër komentoi: “Si italian, jam i habitur, por edhe i hutuar, por edhe i ofenduar, por edhe i nderuar.”
"Si italian, më duket qesharake sesi disa njerëz ofendohen nga 'Espresso Macchiato'. Kënga nuk stereotipizon Italinë - është stereotipi se si të huajt mendojnë se janë italianë. Është një qëndrim i ekzagjeruar, ironik për atë perspektivë të huaj, jo një sulm ndaj kulturës sonë," thotë një tjetër.
"Unë jam italian dhe do të ofendohesha nëse kjo kryevepër nuk do të fitonte Eurovision-it," lexohet në një koment të radhës. "Unë: Çfarë dreqin është kjo këngë. Sërish unë 10 minuta më vonë: MI AMOREE EEE."