Para se të ankohesh dhe të thuash që nuk ka më filma të mirë, më lejo të të them që ndoshta po gabon dhe s’i ke dhënë shumë rëndësi një prej prodhimeve më të fundit kinematografike që bën bashkë Miles Teller (në rolin e Levi) dhe Anya Taylor-Joy (Drasa). Ky, padyshim është një film që nuk do ta harrosh!
Filmi me regji të Scott Derrickson, na rrëfen historinë e dy snajperistëve, të cilët kanë një mision të çuditshëm: Të ruajnë dy kullat, lindore dhe perëndimore, në një vend mistik, të cilin askush nuk e di se ku ndodhet dhe i referohen si “lugina”. Levi dhe Drasa, të cilët mund ta them me plot gojë që i qajnë rolet respektive, përballen me disa përbindësha që nuk e dinë nga dalin dhe që thyejnë barrierat e botës së vërtetë dhe imagjinatës.
Drasa është një snajperiste profesioniste nga Lituania, e cila ka një marrëdhënie shumë të ngushtë me të atin, krijon një lidhje me Levi-n, homologun e saj nga ana tjetër e humnerës. Ata komunikojnë përmes dylbive, “shkruhen” sipas mënyrës së vjetër, takohen në një mënyrë spektakolare dhe padashje, bëhen pjesë e një aventure që u rrezikon jetën.
Levi është një djalë i vetmuar, snajperist me nam, i cili intrigohet nga Drasa. Ai rrezikon shumë për të shkuar në anën tjetër të humnerës dhe për të shijuar një mbrëmje romantike me Drasa-n. Megjithatë, kur gjithçka duket se shkon mirë, ata duhet të kalojnë nëpër ferrin e luginës.
Në këtë film, elemente si muzika dhe efektet vizuale janë thjesht fantastike. Muzika të përfshin shumë në skenat specifike, duke të të dhuruar suspancën e duhur, si dhe duke bërë që të presësh me padurim se ç’do të ndodhë në sekondat në vijim. Ndërsa efektet vizuale janë të ngjashme me filmin “Annihilation” dhe me një video-lojë, (më kujtoi “Resident Evil”) ku mjegulla ta vështirëson pamjen, por jo pa qëllim. Gjërat nuk janë siç duken dhe ne shohim në të njëjtën mënyrë si Drasa dhe Levi.
Rrallëherë ndodh që një film të ketë sukses kur “gërsheton” zhanerët, por në këtë rast, romanca, misteri dhe aksioni bëhen bashkë për të na falur një eksperiencë tejet të bukur të kinemasë.
“The Gorge” duhet parë patjetër dhe pasi ta shohësh, do të më kujtosh.
Artikuj të sugjeruar: