Inteligjenca artificiale (IA) është kudo - nga lajmet që lexojmë e deri te teknologjia që përdorim çdo ditë. Po tani, ajo po hyn edhe në zyrën e okulistit! Me mungesën e specialistëve të syrit në shumë vende, IA premton diagnostikim më të shpejtë dhe më të lehtë. Por, a mund të zëvendësojë vërtet një vizitë klasike tek okulisti?
Teknologjia tashmë është këtu! Kamera autonome me IA si LumineticsCore mund të analizojë retinën dhe të diagnostikojë retinopatinë diabetike (një nga problemet më të zakonshme tek diabetikët) brenda minutave - dhe pa pasur nevojë për një mjek në dhomë apo për zgjerimin e bebëzave të syrit. Ky sistem është miratuar nga FDA dhe po përdoret në qendra të shumta mjekësore.
E njëjta teknologji po testohet për të zbuluar edhe sëmundje të tjera. Ndërkohë që IA po ndihmon me diagnostikimin, chatbot-et si DocsBot ose EyeGPT po përdoren nga klinikat për të gjetur përgjigje rreth pyetjeve më të zakonshme të pacientëve.
Chatbot-et e Google, Bard dhe Gemini, arritën një saktësi prej 71% në provimin e oftalmologjisë, duke kaluar pragun e nevojshëm për t’u certifikuar si specialistë të syve!
Avantazhet dhe kufizimet e IA në kujdesin për sytë
- Për pacientët me diabet, një test i shpejtë në zyrën e endokrinologut mund të shmangë nevojën për vizita të shpeshta tek okulisti.
- IA mund të ndihmojë në mbulimin e mungesës së mjekëve të syve, sidomos në zonat rurale apo tek komunitetet e margjinalizuara.
- Chatbot-et mund të kursejnë kohën e stafit mjekësor duke u përgjigjur pyetjeve bazë të pacientëve.
Megjithatë, ka edhe disa kufizime:
IA nuk mund të zëvendësojë një kontroll të plotë të syve për probleme si miopia, hipermetropia apo astigmatizmi. Teknologjia nuk mund të përshtatë një recetë për syze ose lente kontakti. Inteligjenca artificiale kërkon një konsum të madh energjie dhe disa ekspertë thonë se modelet e ardhshme duhet të jenë më efikase për të shmangur ndikimin negativ në mjedis.
Pra, a do ta zëvendësojë IA vizitën tek mjeku i syve? Për momentin, jo. Edhe pse teknologjia po përmirëson kujdesin shëndetësor, doktorët janë ende të pazëvendësueshëm për diagnoza të detajuara, përcaktimin e trajtimeve dhe vendosjen e recetave.
Artikuj të sugjeruar:
Burime: Popsugar