Nëse zgjoheni vonë këto ditë dhe nuk është për shkak të gjumit, por sepse alarmi i iPhone-it nuk ka rënë fare - mos u shqetësoni, nuk jeni të vetmit. Përdorues të shumtë kanë raportuar një problem që ka prekur disa pajisje iPhone, ku alarmi nuk bie ose del pa zë, duke shkaktuar vonesa, takime të humbura apo një telefonatë të sikletshme nga shefi që pyet: “Po sot ke ndërmend të vish në punë?”
Shkaku i kësaj çështjeje duket se lidhet me funksionin “attention aware”, i prezantuar me iOS 17. Kjo veçori përdor kamerën “TrueDepth” të iPhone-it për të kuptuar nëse po e shikoni telefonin dhe rregullon automatikisht disa cilësime, si ndriçimin e ekranit ose volumin e sinjalizimeve. Ideja është që të mos bjerë alarmi me zë të lartë kur po e shihni telefonin, por mesa duket, disa telefona po vendosin që ju jeni të zgjuar edhe kur po bëni një gjumë të thellë.
Nëse nuk doni që ky funksion të vendosë për gjumin tuaj, mund ta çaktivizoni fare lehtë:
1. Hapni “Cilësimet”
2. Shkoni te “Aftësitë e Përdoruesit”
3. Klikoni “Face ID & Vëmendje”
4. Çaktivizoni “Veçoritë e Ndjeshme ndaj Vëmendjes”
Gjithashtu, sigurohuni që volumi i alarmit të jetë në maksimum dhe çaktivizoni opsionin “ndrysho me butonat”, që të mos ulni pa dashje volumin gjatë përdorimit të zakonshëm të telefonit.
Deri sa Apple të rregullojë përfundimisht këtë problem, më mirë të bëni dyfish kontrolle ose të ktheheni te metodat klasike: një orë me zile nga ato që bien aq fort sa zgjojnë gjithë lagjen.
Burime: HuffPost