Mund të themi se këtë vit, ceremonia e Oscars ka plot surpriza. Filma tejet interesantë, kaste aktorësh që nuk lënë vend për kritika, debutime të reja, zhanerë e tematika të larmishme; gjithçka në nominimet e Oscars (të cilat mund t’i lexoni këtu). Gjithsesi, shumë interes na ngjall pikërisht kategoria e Aktores më të Mirë dhe më lejoni ta them se gara është shumë e ngushtë. Kemi një nominim për Demi Moore, e cila ka një rol shumë të vështirë dhe tronditës në “The Substance”, si dhe 25-vjeçaren Mikey Madison në rolin e Anora-s në filmin me të njëjtin titull.
Më poshtë, Anabel ju bën një analizë të shkurtër të aktoreve të nominuara në një prej çmimeve më të mira të kinemasë, si dhe një parashikim se kush mundet ta fitojë trofeun.
Nisim me Demi Moore në rolin e Elisabeth Sparkle në “The Substance”
Demi Moore luan rolin e Elisabeth Sparkle, një yll në rënie, e cila për shkak të moshës pushohet nga puna në emisionin e saj të aerobisë. Kështu, e dëshpëruar dhe me dëshirën e madhe për të qenë sërish në krye, ajo gjen një ilaç që i sjell “versionin më të mirë të vetes”, por sigurisht, çdo dëshirë kaq e madhe që realizohet, e ka një çmim, zakonisht, tejet të lartë.
Demi Moore, për rikthimin e saj në një rol të vështirë, ku luan me të gjithë fuqinë dhe gjestikualcionet e saj, është një pretendente e mirë për të fituar Oscar, nisur edhe nga karriera e saj e gjatë në kinema, por rishtazi (referuar edhe kritikave dhe përshtypjeve të adhuruesve të kinemasë), reputacioni i saj mund të jetë lëkundur pikërisht nga Mikey Madison.
Mikey Madison në rolin e Ani/Anora në filmin “Anora”
Madison është një prej aktoreve më të reja në nominimet për Oscar. Vetëm 25 vjeç, ajo fitoi çmimin “Indipendet Spirit”, si dhe një “Bafta”, si dhe një nominim për Oscar në kategorinë e "Aktores më të Mirë". Madison luan rolin e Anora-s, por të gjithë e thërrasin Ani dhe është një punonjëse seksi në një club të famshëm. Ajo njihet me djalin e një oligarku rus, i cili përpos se do të bëjë vetëm qejf, është jashtëzakonisht i papjekur dhe i papërgjegjshëm.
Duke qenë se Madison e zotëron shumë mirë rolin e saj dhe është e dinamika e filmit, aktrimit të saj të patëmetë, duke marrë parasysh se është edhe një aktore jo shumë e njohur, gjasat që ta fitojë çmimin Oscar mbeten të larta, pasi është risi në kinema dhe një aktore interesante që ka zgjuar kuriozitetin e të gjithëve.
Fernanda Torres në rolin e Eunice Paiva në filmin “I’m Still Here”
Fernanda Torres ka shumë për të treguar dhe le të themi se e ka bërë shumë krenare Amerikën Latine, pasi ka fituar çmimin si "Aktorja më e Mirë" në Kanë për “Love Me Forever or Never” (1986), si dhe "Aktorja më e Mirë" në një film dramë në “Golden Globes”. Ajo ka një rol fantastik në “I’m Still Here”, ku portretizon Eunice Paiva-n, aktiviste që përballet me sfidën e madhe të zhdukjes së bashkëshortit të saj, politikani i shquar dhe disident, Rubens Paiva. Filmi bazohet në kujtimet e Marcelo-s, djalit të tyre.
Megjithëse filmi është një prurje e mirë, sërish gjasat që Torres të fitojë nuk janë shumë të larta, duke marrë parasysh nominimet e filmit në kategori të ndryshme, si dhe duke e krahasuar me prodhimet e tjera kinematografike. Sigurisht, ky është një parashikim dhe surprizat mund të ndodhin gjithnjë.
Cynthia Erivo në rolin e Elphaba Thropp në filmin “Wicked”
Erivo është një prej aktoreve më të përmendura këtë vit, pasi edhe është nominuar në thuajse çdo garë dhe ka qenë prezente në çdo festival filmi (duke qarë me Ariana Grande-n). Ajo ka fituar një “Daytime Emmy”, si dhe ka marrë 2 nominime në “Bafta”, 4 në “Golden Globes” dhe 4 të tjerë në “SAG Awards”.
Erivo luan rolin e Elphaba, një grua e cila ka lëkurë të gjelbër dhe të gjithë e përbuzin dhe s’e afrojnë, duke e paragjykuar kështu për pamjen e saj. Ajo është e destinuar të jetë “Shtriga e Ligë e Perëndimit” në Oz, para se të vijë Dorothy. Por, duhet thënë që Oscars nuk janë si çdo garë tjetër! Në këtë rast, kritikat nuk e konsiderojnë fituese Erivo-n dhe me thënë të drejtën, gjasat janë të ulëta.
Karla Sofía Gascón në rolin e Emilia-s në filmin “Emilia Pérez”
Gascón fitoi çmimin për "Aktoren më të Mirë" në Kanë, triumfoi në çmimet “European Film” si "Aktorja më e Mirë", si dhe është aktorja e parë transgjinore që nominohet në çmimet Oscar, në kategorinë e "Aktores më të Mirë". Ajo është nominuar gjithashtu në “Bafta” dhe në “Golden Globes” në kategoritë simotra. Të jem e sinqertë, është pretendentja kryesore për të triumfuar, pasi luan në mënyrë spektakolare në një film që rrëfen historinë e pabesueshme të një bosi të një karteli droge, i cili shtiret i vdekur për t’iu nënshtruar operacioneve që të bëhet grua.
“Emilia Pérez” është padiskutim filmi më i përfolur dhe fama e tij erdhi që nga Festivali i Filmit në Kanë. Mbetet një ndër filmat më të fuqishëm për momentin dhe më të vlerësuar (bashkë me “The Brutalist” dhe “Anora”). Gascón është një aktore shumë e arrirë, për më tepër, është momenti i duhur që Oscar të vlerësojë edhe aktorët transgjinorë, ndaj është kandidate kryesore.
Cilën aktore parashikon Anabel?
Mes “Anora” dhe “Emilia Pérez”, mendoj se ka më shumë gjasa të fitojë Karla Sofía Gascón. Filmi rrëfen një histori befasuese, kaloi sprovat e kritikëve dhe të komenteve negative, veçanërisht nga komuniteti LGBT në Meksikë, si dhe ka arritur të mbetet në mendjen e njerëzve.
Artikuj të sugjeruar: