Kinema & TV

Oscars 2025: Parashikimi i Anabel për fituesin e kategorisë “Aktori më i Mirë”

Shkruar nga Anabel

28 Shkurt 2025

Oscars 2025: Parashikimi i Anabel për fituesin e kategorisë

Siç mund ta keni vënë re, Anabel po bën një parashikim për fituesit e çmimeve prestigjoze Oscar dhe sot e ka radhën kategoria e “Aktorit më të Mirë”. Edhe në kategori, njëjë si për atë të aktoreve, gara është e ngushtë, pasi kemi në listën e nominimeve një aktor të jashtëzakonshëm si Adrien Brody, si dhe aktrimin fantastik të Timothée Chalamet dhe surprizën, Sebastian Stan. Tani, le t’i marrim me radhë.

Adrien Brody në rolin e László Tóth në filmin “The Brutalist”

Oscars 2025: Parashikimi i Anabel për fituesin e kategorisë

“The Brutalist” mund të jetë ndër filmat më të gjatë të listës së nominimeve për “Filmin më të Mirë”, por më besoni, ia vlen! Brody zotëron filmin në mënyrë të pashoqe dhe në fakt, pritej nga aktori i “The Pianist”, i cili i dha edhe trofeun e “Aktorit më të Mirë” kur ishte vetëm 29 vjeç, duke u bërë kështu fituesi më i ri që e ka fituar këtë çmim. Brody ka marrë për “The Brutalist” nominimin e tij të dytë për Oscar, në moshën 51-vjeçare. Ai është gjithashtu fitues i Golden Globe, çmimin e kritikës, si dhe Bafta.
 
Në “The Brutalist” ai portretizon László Tóth, një arkitekt hungarez, i cili i mbijeton Luftës së Dytë Botërore, kampeve të përqendrimit dhe shkon në SHBA. Filmi na tregon peripecitë e tij, karrierën, si dhe marrëdhënien sfiduese dhe të vështirë me bashkëshorten e tij, Erzsébet (Felicity Jones). 
 
Për të qenë e sinqertë, Brody është një aktor që ka shumë pak konkurrencë. Fillimisht, kur u publikuan filmat që patën premisa për nominime për Oscar (dhe mandej u nominuan), konkurrenca ishte e fortë, pasi u konsideruan si rivalë të mundshëm Timothée Chalamet dhe Ralph Fiennes. Megjithatë, kurora është rikthyer prapë te Brody, i cili është një ndër emrat më të përfolur për të fituar Oscar.

Timothée Chalamet në rolin e Bob Dylan në filmin “A Complete Unknown”

Oscars 2025: Parashikimi i Anabel për fituesin e kategorisë

Timothée Chalamet, pavarësisht moshës së re ka një emër goxha të respektuar në botën e kinemasë. Ky është nominimi i dytë i tij për Oscar. Nëse ai fiton në këtë kategori, do të thyejë rekordin e Brody-t, duke u bërë kështu aktori më i ri që merr trofeun. Chalamet vjen në rolin e Bob Dylan dhe tregon për fillimet e karrierës së tij, mbërritjen e New York dhe për emocionet e momenteve më vendimtare dhe domethënëse të karrierës së këngëtarit të famshëm.
 
Roli i tij është tejet i arrirë dhe njerëzit e përqafuan filmin, i cili mori kritika pozitive nga audienca dhe vetë kritikët e filmit. Megjithatë, sërish, ndoshta nuk është ende momenti i duhur për karrierën e Chalamet për të fituar një çmim kaq të rëndësishëm. Sigurisht, konkurrenca është shumë e fortë, pasi është përballë një prej aktorëve më të dashur ndërkombëtarisht.

Ralph Fiennes në rolin e Lawrence për filmin “Conclave”

Oscars 2025: Parashikimi i Anabel për fituesin e kategorisë

Ky është nominimi i tretë i aktorit për çmimet Oscar dhe s’përjashtohet mundësia (megjithëse jo e lartë) që të jetë edhe fitorja e tij e parë. Ai është vlerësuar shumë për rolin e tij si aktor jo protagonist në “Schindler’s List” (1993), por sërish, nuk ka arritur të triumfojë në Oscar. Këtë herë, luan rolin e kardinalit Lawrence, i cili përballet me një krizë besimi, por në të njëjtën kohë, duhet të mbledhë kardinalët nga bota për të zgjedhura Papën e ri. Ai vendoset mes 3 zgjedhjeve: Të zgjedhë një Papë liberal që do zhvillimin; një konservator ekstrem; apo të jetë vetë Papa?
 
Megjithatë, ndonëse u duk se do të ishin të larta gjasat që ai të rrëmbente trofeun, duke e ditur se sa shumë “Conclave” u pëlqye nga njerëzit dhe se le të themi të drejtën, çmimi është pak i vonuar në karrierën e Ralph, sërish, ndikimi i rolit të tij u zbeh. Por, si gjithmonë, ceremonia e Oscars mund të sjellë surpriza.

Colman Domingo në rolin e John Whitfield për “Sing Sing”

Oscars 2025: Parashikimi i Anabel për fituesin e kategorisë

Roli i tij në “Sing Sing” i jep Domingo-s nominimin e dytë në Oscars në këtë kategori. Më parë, ai është nominuar për rolin e tij si Bayard Rustin në biografinë “Rustin”. Megjithëkëtë, sërish, nuk ka fituar shumë çmime për rolin e tij si i burgosur në burgun famëkeq “Sing Sing”. John akuzohet për një krim që s’e ka kryer dhe arrin të gjejë një qëllim të ri për jetën dhe ta shohë gjithçka në një pikëpamje të re përmes një rehabilitimi që ka në qendër aktrimin teatror.
 
Interpretimi i tij, në fakt, është tërheqës dhe në njëfarë mënyre, unik. Ai dallon nga aktorët e tjerë dhe në shumë raste, duket sikur del nga rendi dhe harmonia e aktorëve të tjerë. Por sërish, edhe pse ju sugjeroj shumë ta shihni “Sing Sing” sepse është vërtet film i bukur, nuk mendoj se Domingo do ta fitojë trofeun e Oscar.

Sebastian Stan në rolin e Donald Trump në filmin “The Apprentice”

Oscars 2025: Parashikimi i Anabel për fituesin e kategorisë

Stan fitoi një Golden Globe në fillim të vitit për performancën e tij në “A Different Man”. Ai është surpriza “më e këndshme” e kësaj liste. Roli i tij si Donald Trump në fillimet e karrierës, ku mëson se si luhet loja e biznesit (dhe më pas, politikës), si dhe marrëdhënia e tij, fillimisht e ngushtë dhe më tej, e krisur me avokatin Roy Cohn janë në qendër të filmit, i cili tregon edhe një skenë ku Trump përdhunon ish-bashkëshorten e ndjerë, Ivana.
 
Ndonëse aktrimi i tij është deri diku mesatar dhe në shumë raste edhe patetik, sërish ai arrin të përcjellë në audiencë fiks Donald Trump-in që ne shohim sot, ndoshta për shkak të sinqeritetit brutal, pasi me thënë të drejtën, është një biografi aspak lavdëruese, por përkundrazi, kritikuese dhe shumë e ashpër për presidentin e porsazgjedhur të SHBA-ve. Nominimi i Stan mund të jetë edhe një përgjigje e Hollywood-it, i cili kryesohej nga njerëz të famshëm që mbështesnin fushatën e Kamala Harris dhe dolën publikisht jo pak herë kundër Trump, pavarësisht se çmimet Oscar nuk duhet të jenë politike.

Aktori që Anabel mendon se do të fitojë?

Për mua, fituesi i kësaj kategorie është Adrien Brody. Një rol magjepsës dhe një trofe (nëse fitohet), mëse i merituar. Por, Oscars ka gjithnjë surpriza, ndaj presim.