Shpesh i frikësohemi gjërave të mëdha si errësira, një të panjohuri në rrugë apo një kafshe të egër në pyll. Por e vërteta është se disa nga rreziqet më të mëdha ndodhen shumë pranë nesh, madje brenda shtëpisë.
Një prej sendeve të zakonshme që mund të shkaktojë pasoja fatale është pistoleta e masazhit. Nëse e keni përdorur ndonjëherë për të çliruar tensionin në muskuj, duhet ta dini se ka zona ku nuk duhet ta aplikoni në asnjë mënyrë. Ekspertët mjekësorë paralajmërojnë se dridhjet e forta të pistoletave të masazhit mund të dëmtojnë inde të ndjeshme në qafë dhe, në raste të rralla, të shkaktojnë simptoma të ngjashme me goditjen në tru. Gjithashtu, përdorimi pranë shtyllës kurrizore, veshkave, enëve të mëdha të gjakut dhe brinjëve mund të shkaktojë dëmtime serioze, deri në fraktura apo mpiksje të rrezikshme të gjakut.
Një tjetër rrezik i papritur, që njerëzit nuk e mendojnë shpesh, janë kuajt. (Okej e kuptojmë që mund të mos keni kuaj në shtëpi, por ku i dihet jetës.) Këto kafshë mund të duken të buta dhe të mësuara me njerëzit, por realiteti është ndryshe. Një lëvizje e papritur e tyre, një goditje e fuqishme me thundër apo edhe paniku që mund t’i kapë në një moment të caktuar, mund të rezultojnë fatale. Për ata që nuk kalojnë shumë kohë pranë kuajve, rreziku nuk është i dukshëm, por për profesionistët që kujdesen për ta çdo ditë, është shumë i qartë.
Një tjetër rrezik i zakonshëm, por i nënvlerësuar, është rrëshqitja në dush. Një rrëzim mund të çojë në trauma të rënda në kokë dhe mpiksje të gjakut, të cilat në raste ekstreme mund të jenë fatale, veçanërisht tek të moshuarit. Dëmtimet traumatike të trurit janë një problem i madh shëndetësor, me mijëra raste që rezultojnë në vdekje çdo vit.
Ndërsa zjarret në shtëpi apo në pyje duken si kërcënimi kryesor, në të vërtetë thithja e tymit është shkaku kryesor i vdekjeve në këto raste. Gazrat toksikë që çlirohen nga djegia mund të shkaktojnë humbje të vetëdijes brenda pak minutash, duke penguar daljen nga një ambient i përfshirë nga flakët.
Pra, herën tjetër që mendoni për rreziqet e jetës së përditshme, mos harroni se ndonjëherë ato nuk vijnë nga ndonjë gjë e frikshme apo e rrallë, por nga një pajisje e zakonshme në shtëpi, një kafshë që kemi parë gjithmonë si miqësore apo një moment pakujdesie në dush.
Burime: Daily Mail
Artikuj të sugjeruar: