A të ka ndodhur ndonjëherë të ndihesh sikur realiteti rreth teje po të rrëshqet nga duart, sikur çdo vendim të çon më thellë në një rrjedhë të pakontrollueshme? E tillë është bota e "Vorbullës", ku një vajzë, e mësuar të jetojë sipas rregullave të të tjerëve, papritur humbet gjithçka dhe e gjen veten në një spirale që s'e kishte parashikuar kurrë.
Romani "Vorbulla", romani i parë i autores Genta Hodo, sjell një qasje të veçantë në letërsinë shqipe duke e gërshetuar zhanrin horror me realitetin urban të Tiranës së sotme. Me personazhe të frymëzuara nga tipa e stereotipa të njohur, me histori që pasqyrojnë artistikisht përditshmërinë moderne, "Vorbulla" ofron një rrugëtim brenda psikikës njerëzore.
"Doja ta shndërroja pasivitetin tipik të personazhit kryesor, që nëpër rrëfime klasike gjërat "i ndodhin" si nga qielli, në motivin kyç të romanit" tregon Genta për Anabel.
Në qendër të romanit është historia e një sugar baby, një vajze që ka ndërtuar jetën e saj mbi një realitet të përkohshëm, të pasigurt, dhe të kushtëzuar nga të tjerët. Kur gjithçka ndryshon papritur, ajo zbret në një spirale të errët, ku realiteti dhe çmenduria fillojnë të ndërthuren. Përmes këtij personazhi, Hodo nuk sjell thjesht një histori të frikshme, por eksploron thellësisht marrëdhëniet njerëzore, dashuritë e ndërlikuara dhe përpjekjet për të mbetur i vërtetë në një botë që shpesh duket e rreme.
Një nga veçoritë më interesante të romanit është përdorimi i horrorit jo si qëllim në vetvete, por si metaforë për transformimin e individit brenda kaosit të realitetit. "Vorbulla" nuk synon të sjellë thjesht një histori horror, por të paraqesë personazhe që ngjajnë të vërtetë, me të gjitha dritëhijet e tyre.
Me një stil tërheqës, personazhe komplekse dhe një qasje që eksploron thellësisht psikologjinë njerëzore, "Vorbulla" është një roman që të shtyn të reflektosh mbi realitetin dhe transformimet e tij.
Fragmenti i mëposhtëm nga romani ilustron më së miri atmosferën dhe stilin e tij:
“Për Fionën, e vetmja mënyrë për të arritur diçka, ishte ta linte vorbullën e pleksur të jetës së saj me njerëz dhe ngjarje pa kurrfarë lidhjeje të natyrshme me njëra-tjetrën, ta merrte me vete dhe ta hidhte ku të donte, pa i bërë rezistencë, pa krijuar kurrfarë friksioni...”