Zelensky: “Zhvillime pozitive në marrëdhënien me SHBA-të”
Presidenti ukrainas, Volodymyr Zelensky, tha të mërkurën se kanë ndodhur zhvillime pozitive në bisedimet SHBA-Ukrainë. Po ashtu, ai bëri të ditur se palët po diskutojnë për një takim të ardhshëm edhe pse takimi i parë mes tij dhe Trump nuk shkoi mirë.
Zelensky theksoi se shefi i shtabit qeveritar ukrainas, Andriy Yermak, ka zhvilluar një telefonatë me këshilltarin e sigurisë kombëtare të SHBA, Mike Waltz, për të diskutuar detajet mbi takimin e mundshëm.
Po ashtu, Yermak njoftoi se gjatë telefonatës "diskutoi hapat e ardhshëm drejt një paqeje të qëndrueshme me Waltz”.
Francë: Qindra mjekë hyjnë në grevë urie
Qindra mjekë emigrantë, me diploma nga vende jashtë BE-së, kanë nisur një grevë urie treditore në Francë për të protestuar kundër mënyrës sesi po trajtohen.
Mediat franceze raportuan se në grevë urie kanë hyrë rreth 300 persona, të cilët synojnë të marrin gradën "padhue" – që njihet si grada më e lartë në vend.
Kolegët e tyre me diploma nga BE vlerësohet se fitojnë afërsisht tre herë më shumë se mjekët pa një diplomë europiane.
Po ashtu, shpesh mjekët emigrantë shprehen se nuk kanë garanci se do të mund të qëndrojnë në territorin francez pasi kontratat e tyre kërkohet të rinovohen çdo gjashtë muaj.
Kina: “Jemi gati për luftë me SHBA-në”
Kina ka reaguar ndaj rritjes së tarifave doganore nga presidenti amerikan, Donald Trump, duke theksuar përmes një deklarate zyrtare se “është gati të luftojë çdo lloj lufte”.
"Nëse lufta është ajo që SHBA-ja do, qoftë luftë tarifash, luftë tregtare apo çdo lloj tjetër lufte, ne jemi gati të luftojmë deri në fund," tha ambasada kineze në SHBA në platformën "X".
Po ashtu, Kina iu përgjigj rritjeve të tarifave nga SHBA, duke vendosur tarifa prej 10-15% mbi produktet bujqësore amerikane.
Macron: “Rusia përbën kërcënim për BE-në”
Presidenti francez, Emmanuel Macron, se do të diskutojë për shtrirjen e ombrellës bërthamore franceze tek partnerët europianë, duke e konsideruar si një formë për të mbrojtur kontinentin prej kërcënimeve nga Rusia.
Macron, në një fjalim televiziv drejtuar kombit francez, e përshkroi Rusinë si një "kërcënim për Francën dhe Europën".
Franca është e vetmja fuqi bërthamore në Bashkimin Europian. Presidenti francez po ashtu theksoi nevojën për mbështetje të vazhdueshme për Kievin dhe nevojën për rritjet e aftësive ushtarake për vendet europiane.