Art & Libra

“Kopshti dimëror”, historia e një gruaje që sfidoi luftën dhe jetën

Shkruar nga Anabel

6 Mars 2025

“Kopshti dimëror”, historia e një gruaje që sfidoi

Letërsia ka fuqinë të na çojë në epoka të largëta, të na bëjë të ndiejmë dhimbjen dhe gëzimin e personazheve, të na japë një pasqyrë të re për jetën. Pikërisht këtë arrin të bëjë Kristin Hannah me romanin e saj “Kopshti dimëror”, një histori që përshkon kohë dhe kufij, duke ndërtuar një narrativë të thellë për luftën, dashurinë dhe marrëdhëniet familjare.

“Kopshti dimëror”, historia e një gruaje që sfidoi

Ngjarja zhvillohet në dy kohë.

1941. Leningradi, dikur magjik, gjendet në luftë, i shkëputur nga pjesa tjetër e botës dhe i fundosur nën dëborë. Një qytet i mbushur me gra të dëshpëruara për të shpëtuar veten dhe fëmijët. Shpaloset historia e një vajze, pjesë e një komuniteti që vuajti shumë për shkak të mizorive të luftës, që tregohet përmes linjës së një përralle ruse.

2000. Humbjet e mëdha dhe mosha kanë lënë gjurmë të thella në jetën e Ania Uitsonit, e cila me një zë të lehtë e të pasigurt nis t’u rrëfejë të bijave për një vajzë të bukur ruse, e cila jetonte dikur në Leningrad.

Marrëdhënia mes nënës dhe vajzës është një aspekt tjetër i romanit, që është i mbushur me tension, me emocione dhe rrjedh gati në çdo faqe të librit. Merediti dhe Nina përpiqen të kuptojnë dhe të falin nënën e tyre, e cila ka qëndruar e ftohtë dhe e distancuar prej tyre pothuajse gjatë gjithë jetës. Përmes kësaj marrëdhënieje, Kristin Hannah hedh dritë në marrëdhëniet  komplekse, nevojës për një marrëdhënie të shëndetshme të prindërve me fëmijët, por edhe dëshirës për të kuptuar se cilët vërtet jemi.

“Kopshti dimëror”, historia e një gruaje që sfidoi
Kristin Hannah

Kristin Hannah është një autore amerikane, mjeshtre në rrëfimin e historive të fuqishme që përqendrohen te forca e jashtëzakonshme e gruas. Përmes personazheve komplekse dhe ngjarjeve sfiduese, ajo na kujton se dashuria dhe sakrificat janë armët më të forta të një gruaje. Nga lufta për mbijetesë në kohë të vështira deri te betejat emocionale për familjen dhe të dashurit, librat e saj janë një homazh për gratë që nuk dorëzohen kurrë.

Disa prej librave të saj më të njohur janë: “Vajza e Pirenejve”, një histori emocionuese e dy motrave franceze gjatë Luftës së Dytë Botërore dhe luftës së tyre për mbijetesë; “Parajsa e bardhë”, një roman që trajton historinë e një familjeje që përballet me dhunën dhe mundimet e jetesës në natyrën e egër të Alaskës; “Katër erërat”, që hedh dritë në sfidat e një gruaje gjatë Depresionit të Madh dhe migracionin në kërkim të një jete më të mire; “Motra tjetër”, roman që trajton marrëdhëniet komplekse familjare dhe identitetin e njeriut.

Pasazhe nga libri

1) Deri para një muaji Merediti do t’i kishte bërë namin Ninës, do t’i kishte thënë se dashuria është gjëja e vetme që ka rëndësi në jetë, se kishte ardhur koha të martohej dhe të krijonte familje, por gjatë muajve pas vdekjes së babait i kishte mësuar disa gjëra më shumë nga jeta. Çdo zgjedhje ndryshonte rrugën e jetës dhe nuk duhej shumë për të përfunduar në rrugën e gabuar. Ndonjëherë, të hidhje rrënjë diku kishte vetëm atë kuptim dhe asnjë tjetër.

2) E kush më mirë se nëna e saj do të ndërtonte diçka aq pa vend? Një daça ose shtëpi verimi ruse në Uashingtonin Perëndimor. Edhe emri i pemishtes ishte absurd: Bjellëje Noçi. Net të bardha, posi! Netët aty ishin të errëta si asfalti i sapohedhur.

3) - Babai yt mendon se nuk mund ta përballoj vdekjen e tij.
- Në të vërtetë, mundesh? - e pyeti Nina me qetësi.
- Ti nuk e ke idenë se sa mund të durojë zemra e njeriut.

4) Nina nuk ia shqiste sytë gruas që ngriti dorën, dhe më në fund u përball me të vërtetën. Nëna e saj ishte një luaneshë. Një luftëtare. Një grua që kishte zgjedhur një jetë ferri për veten, sepse kishte dashur të dorëzohej, por nuk kishte ditur se si.